E Shtunë, 31 Tetor 2026

Moderniteti është brenda nesh



Oktavio PAZ (Nobel)

ǒështë moderniteti?
Para së gjithash, është një term i paqartë: ka po aq lloje të shumta moderniteti, sa ka edhe shoqëri. Çdo shoqëri ka të sajin. Kuptimi i fjalës është i pasigurt dhe arbitrar, siç është emri i periudhës që i paraprin asaj, Mesjeta. Nëse jemi modernë krahasuar me kohën e Mesjetës, a mos jemi vallë mesjetarë në lidhje me një modernitet të ardhshëm? A është i vërtetë një emër, që ndërron me kalimin e kohës?
Moderniteti është një fjalë në kërkim të kuptimit të saj. Është një ide, mirazh apo një moment në histori? A jemi ne bijtë e modernitetit apo krijuesit e tij?

1.
Askush nuk e di me siguri.
Kjo s’ka shumë rëndësi: ne i shkojmë pas, e ndjekim. Për mua, në atë kohë moderniteti ishte shkrirë me të tashmen, ose gati-gati e kishte prodhuar atë; e tashmja ishte lulja e saj supreme.
Rasti im nuk është as unik dhe as përjashtimor: që nga periudha simboliste, të gjithë poetët modernë kanë rendur pas asaj figure tërheqëse dhe iluzive, që i magjepste. Baudelaire qe i pari. Ai ishte gjithashtu i pari që e preku atë dhe zbuloi se ajo nuk ishte veçse koha, e cila thërrmohet në duart e tua.
Unë nuk kam ndër mend të rrëfej aventurat e mia në kërkim të modernitetit: ato nuk janë dhe aq ndryshe nga të poetëve të tjerë të shekullit XX. Moderniteti ka qenë një pasion universal. Që nga 1850-ta ka qenë perëndesha dhe demoni ynë. Në vitet e fundit, ka patur përpjekje për ta yshtur atë dhe është folur shumë për postmodernizëm”.
Por ç’është postmodernizmi, në mos një modernitet edhe më modern?!

2.
Për ne si latino-amerikanë, kërkimi për modernitet poetik shkon historikisht paralel me përpjekjet e përsëritura për të modernizuar vendet tona. Kjo tendencë nis në fund të shekullit XVI e përfshin edhe Spanjën vetë. Shtetet e Bashkuara u lindën në modernitet dhe nga 1830-ta ato ishin tashmë, siç vinte re Tocqueville, mitra e së ardhmes; ne lindëm në një kohë, kur Spanja dhe Portugalia po i largoheshin modernitetit.
Ndaj dhe shpesh flitej për “europianizimin” e vendeve tona: modernia qe jashtë dhe duhej importuar. Në historinë meksikane ky proces fillon menjëherë përpara Luftës së Pavarësisë. Më pas, ajo u shndërrua në një debat të madh ideologjik e politik, që e ndau në mënyrë pasionante shoqërinë meksikane gjatë shekullit XIX.
Një ngjarje do të vinte në pyetje jolegjitimitetin e lëvizjes reformiste për mënyrën sesi ajo u zbatua: Revolucioni Meksikan. Ndryshe nga lëvizjet homologe të shekullit XX, Revolucioni Meksikan në të vërtetë nuk ishte aq shprehje e një ideologjie utopike të vagullt, sesa shpërthim i një realiteti të shtypur historikisht dhe psikologjikisht. Ai nuk ishte vepër e një grupi ideologësh të përqendruar në prezantimin e një sërë parimesh të bazuara në një teori politike; ai ishte një lëvizje popullore, e cila zbuloi atë që fshihej. Për këtë arsye, qe më shumë zbulesë sesa revolucion.
Meksika e kërkonte të tashmen jashtë për ta gjetur atë brenda vetes, të varrosur, por të gjallë. Kërkimi për modernitetin na çoi drejt zbulimit të antikitetit tonë, fytyra e fshehur e kombit.
Unë nuk jam i sigurt nëse të gjithë e kanë nxjerrë këtë mësim të papritur të historisë: mes traditës dhe modernitetit ekziston një urë. Kur ato janë reciprokisht të izoluara, tradita amullon dhe moderniteti avullon; kur ato lidhen me njëra-tjetrën, moderniteti i jep jetë traditës, ndërsa kjo e fundit i përgjigjet me thellësi dhe rëndesë.

3.
Çdo aventurë poetike është e qartë dhe çdo poet ka mbjellë një bimë të ndryshme në pyllin e magjishëm të pemëve, të cilat flasin. Megjithatë, nëse veprat janë të ndryshme dhe secila rrugë e dallueshme nga tjetra, çfarë është ajo që i bashkon këta poetë?
Jo estetika, por kërkimi.
Kërkimi im nuk qe imagjinar, edhe pse ideja e modernitetit është një mirazh, një tufë refleksesh. Një ditë zbulova se po kthehesha te pikënisja, në vend që të bëja përpara: kërkimi për modernitet ishte një ndjekje për tek origjina. Moderniteti më çoi te burimi i fillesës sime, tek antikiteti im. Ndarja qe bërë tashmë pajtim. E kështu, zbulova se poeti është një puls në rrjedhjen ritmike të brezave.
Në këtë pelegrinazh në kërkim të modernitetit, në shumë pika e humba rrugën time për të gjetur veten përsëri. Unë u ktheva te burimi dhe zbulova se moderniteti nuk është jashtë, por brenda nesh. Ai është e sotmja dhe antikiteti më i lashtë; ai është e nesërmja dhe fillimi i botës; është një mijë vjet i vjetër e sërish i sapolindur. Ai flet në gjuhën e astekëve, vizaton ideogramat kineze që në shekullin IX dhe e shohim në ekranin e televizorit.
Kjo e tashme e plotë dhe e paprekur, e sapozhvarrosur, shkund pluhurin shekullor, buzëqesh e papritmas nis të fluturojë, duke u arratisur nga dritarja. Një shumësi e njëkohëshme kohe dhe pranish; moderniteti shkëputet nga e shkuara e afërt vetëm për të rigjetur një të shkuar të moçme dhe për të transformuar një figurë të vockël prodhimtare nga Neoliti në kohën tonë.
Ne e ndjekim modernen në metamorfozat e saj të pafundme dhe përsëri nuk arrijmë ta fusim në kurth. Ajo na ikën gjithmonë: çdo takim përfundon në arrati. Ne e përqafojmë e ajo menjëherë zhduket: ishte veç ajër. Ajo është çasti, zogu që është kudo dhe askund. Ne duam ta kapim të gjallë, por ai rreh krahët dhe zhduket në formë rrokjesh. E ne mbesim duarbosh. Pastaj dyert e përsosmërisë hapen fare lehtë dhe koha tjetër shfaqet, ajo e vërteta, që ne po kërkonim pa e njohur fare: e tashmja, prania.

Përktheu Teuta Barbullushi

31 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›