E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kthim në vendlindje



Besnik MUSTAFAJ

* * *
Gjej vjeshtën të shtrirë qetësisht në ngjyrat e veta,
E gjithëpushtetshme mbi drurët e mbi gurët si mbi mallin tim.
Po asnjë metaforë e ndritshme s’më ardhka
për pyllin me gështenja,
Asnjë metaforë për Valbonën e fryrë nga shirat,
Për Shkëlzenin e palëvizshëm asnjë,
Asnjë metaforë për qiellin e ftohur që u rri përmbi.

Unë e di, lehtësisht prej së largu do ta gjeja një fjalë të re
Për prarimin e pyllit pa mplakje, që më rriti,
Për Valbonën e kaltër si vështrim i vjedhur i një gruaje,
Për Shkëlzenin me majën e mprehtë,
Të ngrirë në akullin avullor të qiellit.

Unë e di… por fjalët vezulluese m’u trembën të tëra, më ikën,
Kur një nga njerëzit e mij,
një nga ata përbuzësit e lavdisë së përkohshme
Duke nënqeshur paksa, më pa drejt në sy e më pyeti:
- A punë quhet ende kjo që vazhdon të bësh ti?!...

1989

Këngë dashurie ose humbjeje

Ajri digjet në buzët e mia. Me flakën e tij të blertë
Vizatoj profilin tënd në hapësirë. Je aty e pakapshme
Dhe krejt e pranishme. Oh, je femra shkatërrim apo lindje?
Je ankthi im gati për t’u kthyer në vizion Hiroshime?

Sa shekuj jetë iu deshën njeriut të zbulonte atomin,
Demokriti është stërnip mijëravjeçar i njeriut të parë,
Siç janë stërnipër mijëvjeçarë të Demokritit
Ata që shpikën armën atomike.

Pse, pse një mundim njerëzor kaq i madh,
Mundim pagjumësie, ëndrrash të bukura dhe drite
Për të gjetur pikërisht një mjet kaq të tmerrshëm
Që zhurit vetë njeriun dhe folenë e tij të vogël në natyrë?
Si Don Kishoti tragjik një çast shpresoj me dashurinë time
Në zemrën e njerëzimit të zgjoj një gëzim të brishtë.
Më dëgjon? S’më dëgjon. Buzëve padashur më përvidhet
Refreni i këngës së vjetër: “Ty ma mirë mos të kisha njoft”.

Dhe s’e di mirë, dhe në fund të fundit pse duhet ta di,
Grua mospërfillëse ndaj kohës, është bërë për ty ajo këngë
Një qind e kusur vjet më parë
Apo për bombën atomike?

Askujt nuk i ngjaj...

Kisha njohur burra të lodhur nga malli,
Rrinin mënjanë, pa ngushëllim,
Thoshin të bindur se janë prej kashte,
Janë prej shkume,
Janë prej brumit të ngjyrosur të muzgut.

I kisha dëgjuar pohimet e tyre si një metaforë
Dhe diç mërmërisja me vete
Për kohët moderne
Si kohë pa heronj.

E para mungesë e jotja në Tiranë
Më ka mësuar ç’ndryshim i sjell trishtimi burrit.
Dhe kam thënë me vete, qartë e më qartë
Një fjalë të mirë për kohët moderne.

Unë? Unë jam i tëri prej lëndës së çuditshme,
të pazbërthyeshme
që të përbën ty.

… ndaj nuk i ngjaj askujt kur jam i përmallur.

Poemë politike

Edhe
Dashuritë
Vdesin.

Vdesin,
Vërtet,
Dihet prej shekujsh.
Japin shpirt më së shumti prej plagësh,
Por edhe vetvetiu vdesin, shuhen në heshtje.

Vdesin
Dashuritë.
Dhe gjithnjë vdesin dhimbshëm.

Po
Ku
Varrosen?
Ku varrosen?

A mos vallë ka lidhje me dashuritë e pakallura,
Me kufomat e braktisura të dashurive
Gjithë ky vrer i gjelbëremë që derdhet përditë
Nga gojët e vogla, buzëmavi si të kafshuara nga djalli
Të njerëzve?

Dhe prapë ishte Fjala

Në fillim ishte fjala. U tha e u besua.
Pastaj erdhën të tjerët: diktatorët, filozofët, klerikët,
Dhe të tjerë, që s’ishin diktatorë, filozofë, klerikë,
Por që prapë fjalën diku e përlyenin
Me gjuhën e tyre të lëvizshme:
Demagogët, batakçinjtë, servilët, gënjeshtarët,
Njëherësh me të parët ca të tjerë, burra e gra,
të rinj e në moshë,
Ecnin mbi majë të gishtave, thua trembeshin, të gjorët,
Mos çelnin plagë dhe mbi tokën e butë
Por që prapë fjalën e vrisnin sipas mënyrës së tyre,
duke i lidhur vetes gjuhën.
Ishin ata, raca qafulur, farë që mbin në çdo kohë:
Frikacakët.
S’do harruar llafazanët e sotëm, kodoshët,
ca rrogëtarë gazetash, ca policë e kushërinj policësh.
Të gjithë kanë bërë si kanë bërë e shpesh ia kanë dalë
T’i marrin frymën asaj që ishte e para: Fjala.

Poetin e lodhur e shpëtoi nga dëshpërimi mortor
Një pëshpërimë e largët vajze, që filloi : I dashur…

E mblodhi veten poeti.
Zgjohu vazhdo përkthimin, i tha Shën Jeronimit.
Dhe prapë ishte fjala.

La belle epoque, dimër

Ka diçka që i shkon zjarrit në vatër:
kjo grua përballë bashkë me çizmet e saj
dhe një fund të shtrirë deri te gjunjët
më poshtë jo, po as dhe një gisht më lart.

Zbuluar dy kupat rrethore të gjunjëve
sa t’i lëpijë drita e flakëve.
Dimri ndaj erdhi dhe nuk do të zgjasë,
Ndryshe do çmendej zjarri në vatër.

Me pak bujari, sa ç’meriton i panjohuri
dhe në heshtje, mos prishet harmoni e kotë,
ajo sillet nga unë, më tregon gjunjët
për të më shtyrë në misterin e krijimit të botës;
Ose më zbulon diçka krejt të kundërt,
domethënë, botës së ëndërrt i erdhi fundi.
Tek një shuplakë vend, ndërmjet çizmes e veshjes
gruaja drejton a përthyen, sipas dëshirës, trupin.

Dhe unë gjunjët e saj marr nën vetulla
të shoh botën si zhytet ngadalë në një akuarium.
Apokalips nuk është. Gjunjët e saj lëvizin dhe ikin.
Fare nuk janë dhe shenja bëjnë. Për t’i parë kush?

Cognac, 30. 01. 2001

New York, shkurt 2002

Të mendosh për atdheun, thjesht të mendosh
Pa mall as krenari as turp as zemërim,
Të mendosh në një rrekje përtace të trurit
Kur befas është fshirë gjithçka
Veç pyetjes: Ku është, pra, fillimi?
Dhe pyetjes tjetër: Po fundi i tij ku është?

Një dritë e fshehtë e ardhur nga larg
Rëshqet nëpër trurin përtac.
Për të më kujtuar se pikërisht fillimi
E bashkë me të edhe fundi
Dhe vijë e lakuar nga fillimi në fund
E pastaj fund e fillim
Është kufiri, kupton, atdheu,
Tokë e rrethuar ku kam lindur unë;

Domethënë, veriu lart e drejt nën të jugu
Me lindjen djathtas,
Në të majtë perëndimin.

Pse jo anasjelltas?

Mirë, anasjelltas:
Tokë në kryq. Jugu përpara,
pikë midis syve
Dhe drejt nën të veriu.
Perëndimi djathtas, me detin e ngrohtë,
Majtas lindja me malet e ftohta
Nën dritën e fshehtë, ardhur nga larg,

Fluger i ngulur në trurin tim përtac.

Fluger i çmendur sillet rreth vetes
Vorbull, vorbull, vorbull:
Një copë tokë në kryq.
Ky është atdheu? më pyet me sy Dori,
kushëriri im i vogël.
Ky, i them unë, pa ditur ç’të shtoj.
I’m from my mom, më përgjigjet
Dhe kthehet në lojën e vet elektronike.

Natë mesdhetare

Fle i gjalli.
Flen dhe i vdekuri.
Nën dritën e hënës, kur edhe heshtja fle,
Nuk paska gjumë vetëm Mesdheu.

Nuk kam gjumë as unë.
As ti, sigurisht.
Perëndi dot nuk lindëm. Psherëtijmë dobët,
Sa për vete,
Të na kishte lindur, të paktën, Shën Pjetri.

31 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›