Aspak për t’u habitur
Dimitër DINEV
Dielli djeg, vapa zhurit, tre punëtorë në të zezë ndërtojnë në Vjenë, për gjashtë euro ora, një shtëpi. Punojnë paradite, punojnë mbasdite, punojnë në mbrëmje. Paguhen të premten, ose edhe më pas, kur të bëjë emër zotnia, që i ka marrë në punë. Po të bënte emër që shtëpinë t’ia ngrinin deri në kupë të qiellit, edhe deri atje do t’ia ngrinin me gëzim. Vetëm se askush nuk don të paguajë aq shumë. Zotnia, që i ka marrë në punë, është i thjeshtë. Do vetëm dy kate dhe një pishinë. Qejfin më të madh e ka t’i paguajë me vonesë.
Kështu, pra, të tre do të ngrenë vetëm dy kate, kurse Perëndia nuk do ta bëjë qejfin qeder atje lart, sepse pagat janë aq të ulëta dhe zotërinjtë në tokë janë aq neqezë, sa askush nuk ka interes të ngrejë kulla deri afër Tij në kupë të qiellit.
Të tre punëtorët janë nga Europa Lindore. I pari, ustai, është çek. Pesëdhjetë dimra qysh kur ka ardhur në këtë botë, pesë vera qysh kur ka ardhur në Vjenë. Emrin e ka Karel Nemec, me pamjen ende rinore, me sytë të veckël e të kaltër, me çaçkën e kresë - tullë pa një qime, me mendjen - te vendlindja, me gjermanishten - bajagi mirë. Ka punuar edhe në Itali. Bashkë me të atin e të birin. Mbledhje mollësh në plantacione. Punë goxha e rëndë. Kacavjerrje nëpër pemë. Në njërën sosh - i ati 70-vjeçar, në tjetrën i biri 22-vjeçar, në mes - ai vetë, Kareli. Jo vetëm burrat e familjes Nemec, por të gjithë burrat e rrugës “Fitorja” të Bërnos janë kacavjerrë nëpër pemët frutore të plantacioneve italiane. Hidheshin sa lart poshtë, për katër euro në orë. Keq. Shumë keq. Më pas, Kareli gjeti një punë më të mirë në Austri.
Babai ndërkaq iku nga kjo jetë, përndryshe do ta kishte sjellë edhe atë këtu. “Më në fund, gjeti prehje nën dhè. Tashmë askush nuk mund ta hedhë, as lart, as poshtë”, thotë Kareli, në punë e sipër.
Punëtori i dytë është nga Rumania, quhet Dan, 28 vjeç, prej shtatë vjetësh jeton ilegalisht në Vjenë, ka rënë shtatë kilogram në peshë, rregullisht u çon pará shtatë vëllezërve e motrave dhe, edhe pse merret vesh gjermanisht mjaft mirë, prapseprapë nuk e di ç’do të thotë fjala “varhajt”. Gjatë gjithë këtyre viteve as edhe një herë të vetme nuk i është dashur. I është dashur viza, regjistrimi me adresë, puna, por kurrë e vërteta. Para disa ditësh, Kareli se ç’po i rrëfente në gjermanisht dhe e zuri ngoje këtë fjalë. Dani nuk e kishte pasë dëgjuar. Në fillim, Kareli u mundua t’ia shpjegonte kuptimin, por menjëherë hoqi dorë. Nuk kishte ndonjë rëndësi kushedi se çfarë. Po edhe ç’i duhej, kaq e kaq vite kishte bërë pa të.
Punëtori i tretë ende nuk ua di kuptimin shumë fjalëve. Quhet Juri, 33 vjeç, vjen nga Moldavia, para një viti zbriti nga një farë anijeje në brigjet e Italisë, u përzie me turmën dhe, pas gjashtë muajsh, befas u gjend në Vjenë. Gjermanisht pothuaj nuk flet fare. Më shpesh përdor dy fjali, për të cilat do thënë se i shqipton për bukuri. Të dyja janë fjali pyetëse. “A do të vijë shefi sot?” - thotë njëra. “Sa do të presim ende që të na japin mëditjen?” - thotë tjetra.
Tani të tre po ngrenë së bashku këtë shtëpi. Punojnë paradite, mbasdite, në mbrëmje. Vetëm se mëditjen - kur të bëjë emër shefi.
Një mëngjes, duart e Jurit zenë të gjakosen. Natën, kur po flinte futur në thes në sheshin e ndërtimit, iu mbushën duart me flluska. E meqë nuk është i siguruar dhe nuk guxon t’ia tregojë plagët mjekut, njerëzve u shpëton rasti për t’u habitur, për të mësuar një mrekulli, kurse kishës i shpëton rasti për të fituar një shenjtor tjetër. Nga lopata e ka, mendon Kareli dhe sjell garza nga farmacia. “Hajde, shpejt, se mos na sheh shefi, të heq e pastaj merr një tjetër në vendin tënd”, e këshillon Dani. Juri i lidh duart me garzë dhe vazhdon punën.
Dielli djeg, vapa zhurit, tre punëtorë në të zezë ndërtojnë në Vjenë për gjashtë euro ora një shtëpi. Merren vesh me shoshoqin në gjermanisht. I pari rrëfen shumë, por më fort ia ka ënda të thotë se askush tashmë nuk mund ta hedhë të atin të kacavjerret e të zbresë në pemët e plantacioneve me mollë. I dyti rrëfen pak dhe ende nuk e di në gjermanisht fjalën “e vërteta”. I treti dëgjon, herë ua ngul sytë shokëve të punës, herë qiellit e pyet: “A do të vijë shefi sot?”, dhe “Sa do të presim akoma që të na japin mëditjen?” Dje atij i dolën flluska. Por askush nuk duhet ta marrë vesh. Përndryshe, do të mbesë pa punë.
Përktheu Abdurrahim Myftiu
------------------------------------------------------------
Shënim: Autori ka lindur në Pllovdiv të Bullgarisë, më 1966. Prozator dhe dramaturg, emigroi më 1990 në Austri. Shkruan në gjermanisht dhe është fitues i një numri çmimesh letrare të rëndësishme. Kritika e krahason me Gynter Grasin, Nabokovin, Çehovin.
31 Mars 2008