Kur hartojmë projektet tona...
Charles BAUDELAIRE
Këto ëndërrime të gjata, këto tablo poetike, me gjithë karakterin e tyre të përgjithshëm simbolik, për një lexues inteligjent ilustrojnë shumë më mirë sesa tregimet apo shënimet biografike karakterin moral të autorit tonë.
Në pjesën e fundit të Suspirias, ai bën me kënaqësi një kthim në vite tashmë të largëta dhe ajo që me të vërtetë është e çmuar aty, sikurse gjetkë, nuk është fakti por komenti, komenti shpesh i zymtë, i hidhur, plot dëshpërim; mendimi solitar që aspiron të fluturojë larg kësaj toke, larg teatrit të luftrave njerëzore, rrahjet e fuqishme të krahëve drejt qiellit; monologu i një shpirti që gjithmonë është lehtësisht i plagosshëm. Këtu, ashtu si edhe në pjesët tashmë të analizuara, ky mendim është thyrsea për të cilin ai foli me kaq kënaqësi, me çiltërsinë e një endacaku që e njeh mirë veten. Subjekti nuk ka tjetër vlerë, përveçse atë të një shkopi të thatë e të zhveshur. Por fjongot, zbukurimet dhe lulkat, të thurura bukur, mund të jenë një pasuri e çmuar për sytë. Mendimi i De Kuinsit nuk është thjesht dredhues, fjala nuk është edhe aq e fortë: ajo natyrisht është spirale. Në fakt, këto komente e reflektime do të kërkonin një analizë të gjatë, por mua më duhet të kujtohem se qëllimi i kësaj pune ishte të tregoja, nëpërmjet një shembulli, efektet e opiumit mbi një shpirt meditativ dhe të prirur për të ëndërruar.
Besoj se ky qëlllim është realizuar.
Mjafton të them se mendimtari i vetmuar flet herëpashere me ëndje për atë ndjeshmëri të parakohshme, që ka qenë për të burimi i kaq e kaq kënaqësive; flet për dashurinë e tij të pakufi për lirinë dhe rrëqethjen që i shkaktonte ndjenja e përgjegjësisë. “Në rininë time të herëshme, neveria për jetën mpleksej me ëmbëlsinë qiellore të saj.” Në këto faqe të fundit të Suspirias, ka diçka funebre, therëse e që aspiron përtej tokësores. Aty-këtu, kur flet për aventurat e rinisë, vihet re gëzimi dhe humori, ngasja për t’u tallur me veten, të cilën e ka provuar disa herë, por ajo çka është më e dukshme, që bie më shumë në sy, janë shpërthimet lirike të një melankolie të pashërueshme.
Për shembull, lidhur me qeniet që pengojnë lirinë tonë, hidhërojnë ndjenjat tona dhe dhunojnë të drejtat më legjitime të rinisë, ai shkruan: “Oh! Si shpjegohet që këta vetëquhen miq të këtij burri ose të kësaj gruaje, kur janë pikërisht ata më shumë se çdokush tjetër, të cilët ky burrë ose kjo grua, në çastin suprem të vdekjes, do t’i përshëndeste me këtë lamtumirë: “Dashtë Zoti, mos e pafsha kurrë fytyrën tuaj!” Ose, në mënyrë cinike, ai lëshon këtë pohim që, me të njëjtën çiltërsi, e pranoj se ka për mua një sharm vëllazëror: “Në përgjithësi, individët e paktë në këtë botë që kanë nxitur përbuzjen time, kanë qenë njerëzit shëndetmirë e me emër. Sa për batakçinjtë që kam njohur dhe që nuk janë pak, mendoj për ta, për të gjithë pa asnjë përjashtim, me kënaqësi dhe dashamirësi.”
Të vërejmë kalimthi se ky mendim shfaqet përsëri, kur është fjala për juristin, i cili merrej me punë të dyshimta. Ose diku gjetkë ai afirmon: në rast se jeta do të shfaqej para nesh në mënyrë të magjishme, në rast se syri ynë ende i ri do të mund të përshkonte korridoret, të zhbironte sallat dhe dhomat e hoteleve, teatrot e tragjedive të ardhshme e të ndëshkimeve që na presin ne dhe miqtë tanë, të gjithë së bashku, atëherë ne do të sprapseshim duke u dridhur prej tmerrit. Ai, pasi ka pikturuar me një hijeshi dhe kolorit ngjyrash të paimitueshme tablonë e mirëqenies, të shkëlqimit e të dëlirësisë, bukurinë e mirësinë brenda kornizës së pasurisë, na tregon njëra pas tjetrës të gjitha heroinat e hijshme të familjes, nga nëna tek e bija, duke kaluar secila retë e rënda të mundimit. Ai përfundon duke thënë: “Ne mund ta shikojmë vdekjen në sy; por duke ditur se ç’është jeta njerëzore, siç e dinë tashmë disa prej nesh, kush do të mund të shohë në sy (supozojmë që për këtë është paralajmëruar) orën e lindjes së saj pa u drithëruar?”
Në fund të një faqeje gjej një shënim. Duke pasur parasysh vdekjen e parakohshme të De Kuinsit, ky shënim merr një kuptim ogurzi. Suspiria de profundis, në mendimin e autorit, merr kuptimin me u zgjatë e me u rritë në mënyrë të jashtëzakonshme. Shënimi lajmëron se legjenda mbi Motrat e Trishtimit do të shërbejë si një klasifikim i natyrshëm i botimeve të mëvonshme. Kështu, sikurse pjesa e parë (vdekja e Elisabetës dhe pikëllimi i të vëllait) lidhet në mënyrë logjike me Madonën ose Shën Mërinë e Lotëve, po ashtu pjesa e re Les mondes de Pariahs, duhet të zinte vend nën mbrojtjen e Shëm Mërisë së Psherëtimave. Së fundi, Shën Mëria e Territ duhet të marrë nën mbrojtje mbretërinë e territ. Por Vdekja, të cilën ne nuk e pyesim kur hartojmë projektet tona dhe që nuk mund t’i kërkojmë pëlqimin, Vdekja, e cila na lë të ëndërrojmë për lumturi e për emër të mirë, që nuk thotë as po e as jo, del papritmas nga prita që na ka zënë, duke i fshirë me një të rrahur krahësh planet tona, ëndrrat tona dhe arkitekturën ideale, ku ne strehonim në formë mendimi lavdinë e ditëve tona të fundit!
Përktheu A. Andoni
31 Mars 2008