Filmi i animuar, për herë të parë në ditët e festivalit AniFestRozafa
Për herë të parë vjen në vendin tonë një festival, i cili i kushtohet animacionit, i cili në vendin tonë i ka fillimet në vitin 1975. Në vijim të aktivitetit të krijuesve të animacionit, në vendin tonë mbërrin dhe AniFestRozafa, që është i pari festival i përvitshëm
ndërkombëtar i filmave të animuar për fëmijë, që do të zhvillohet në qytetin e Shkodrës. Në këtë festival veç atyre konkurrues do të jenë dhe 80 filma të animuar për 35-vjetorin e filmit të animuar. Drejtues të tij bëjnë të ditur se gjithashtu ky festival është anëtar dhe i shoqatës evropiane të filmit për fëmijë. Drejtori i festivalit producenti Artan Maku tregon se ky festival, i cili do të zhvillohet nga muaji tetor në qytetin Shkodrës, ka një hartë të gjerë gjeografike. Sipas tij ka pasur shumë aplikime për të konkurruar në këtë festival, nga shtete të ndryshme të botës, gjë që tregojnë dhe rëndësinë e zhvillimit të tij. Aplikimet për festivalin kanë nisur më 1 prill. Ky festival do të zhvillohet në teatrin Migjeni të Shkodrës dhe deri tani janë aplikime nga shumë shtete të botës si Italia, Franca, Argjentina, Japonia, Rusia, Egjipti, Anglia, etj. Në këtë festival do të ketë dhe disa çmime, ku i madhi do të jetë për filmin më të mirë të animuar të vitit, tregon drejtori Maku. E ndërkohë që nga organizatorët bëhet e ditur se zhvillimi i tij është menduar në data 4-9 tetor. Drejtori i festivalit Artan Maku tregon se ky është një eveniment madhështor, i cili do të jetë një traditë në vendin tonë dhe sipas tij AniFestRozafa është një eveniment madhështor, i cili do të zhvillohet çdo vit. Kryetari i Bashkisë së Shkodrës, i cili edhe e mbështet këtë festival z.Lorenc Luka, e cilëson si të rëndësishëm për jetën kulturore të qytetit. Ky festival organizohet nga Shoqata e Animacionit Shqiptar, dhe organizata Koha e fëmijëve. Filmi i animuar shqiptar, në vitet e krijimtarisë së tij ka pasur një armatë të tërë krijuesish që do të derdhnin pasionin e tyre, duke skalitur portretin e kësaj gjinie. Pasionin dhe ëndrrën e Vlash Dobronikut dhe Tomi Vasos, e ndoqën po me të njëjtën korrektësi dhe disiplinë, për tu respektuar, krijues si Bujar Kapexhiu, Tonin Vuksani, Boris Ikonomi, Esperanca Konomi, Artur Dauti, Artan Maku, Jani Zhonga, Gazmend Leka, etj, piktorë ekzekutues si: Natasha Vodica, Elefteri Mella, Zamira Keçi, Alma Devolli, Vehap Kokalari, Zana Thaçi , Milto Carka, etj. Operatorët si: Tomi Vaso, Jovan Kondakçiu, Diana Diamanti, Vangjush Valla, Sonja Mamaqi dhe Leonard Dorri. Koha kërkoi domosdoshmërinë e krijimit dhe përsosjes të kësaj gjinie, prandaj ishte kjo armatë krijuesish, që ju përgjigj ritmit të kohës. Fazat e ndryshme që kaloi filmi i animuar në zhvillimet e tij, ishte e detyruar të prekte të gjitha teknikat bashkëkohore të asaj kohe si: kartoni i lirë, kartoni i animuar, vizatime të pasqyruar në celofan, kukullat të animuara, etj, ndërsa sot te krijuesit e rinj janë parë tendenca në përdorimin e teknikave bashkëkohore kompjuterike.
Artistë vendas dhe të huaj në AniFestRozafa
AniFestRozafa është i vetmi festival me karakter konkurrues në këtë gjini. Krijuesit e filmit të animuar dhe fëmijët artistë, të cilët merren me realizimin e filmave të animuar nga e gjithë bota, janë të mirëpritur të prezantojnë punët e tyre. Ky festival ofron një mundësi unike për realizimin e një filmi të përbashkët gjatë ditëve të qëndrimit në qytetin e Shkodrës. Nga ana tjetër ky festival është sinonimi i takimit të artistëve vendas dhe të huaj dhe një mundësi më shumë për të njohur historikun e kësaj treve të pasur me legjenda dhe objekte monumentale. Filmi i parë i animuar për fëmijë në vendin tonë titullohej Zana dhe Miri, dhe sot sa i takon realizmit të këtyre prodhimeve, ata financohen nga Qendra Kombëtare Kinematografike. Tashmë mund të themi se portreti i filmit të animuar është i skalitur. Mjafton të kthesh kokën dhe të shikosh. Do të ndjesh fazat e zhvillimit dhe të suksesit jo vetëm brenda vendit, por edhe jashtë Shqipërisë, me angazhimet e krijuesve në shumë kompani filmike që merren me realizimin e filmave të animuar në botë, dhe me sukseset e arritura me pjesëmarrjet në shumë festivale ndërkombëtare. Në politikat e filmit të animuar, është edhe bashkërealizimi i filmave me kompanitë e huaja. Një sukses i tillë ishte bashkëpunim i Ert-Time Lapse Pictures Hellas-Maku production, në realizimin e filmit të animuar Esenca e Jetës me regjisor Jani Zhonga.
Ekspedita shqiptaro-amerikane zbulon anijen mesjetare në brigjet e Himarës
Ekspedita shqiptaro-amerikane e kërkimeve arkeologjike nën ujore nëpërmjet robotit të anijes amerikane Herkules ka zbuluar relitin e një anije mesjetare të mbytur në brigjet e Himarës. Ky relit arkeologjik është anija e vetme deri më tani e zbuluar në Shqipëri që i përket një periudhe midis shek të 16-të dhe atij të 17-të. Zbulimi i këtij reliti historik do të bëjë të mundur sjelljen e të dhënave të reja në historinë mesjetare të këtyre brigjeve. Roboti i ekspeditës, i cili ka filmuar të gjithë zonën ku shtrihet anija e mbytur ka sjellë pamjet e para mbi këtë zbulim, duke konfirmuar se anija ka qenë e pajisur me topa të vendosura në të dyja anët e kuvertës së saj. Po kështu shikohet qartë se një spirancë me përmasa të mëdha gjendet pranë relitit arkeologjik, duke konfirmuar edhe përmasat e mëdha që kjo anije duhet të ketë pasur. Të dhënat e para që vijnë nga fotot e kryera nga roboti konfirmojnë faktin se anija e sapo gjetur mund të ketë qenë pjesë e një flote ushtarake nëse do të kemi parasysh faktin e pranisë së topave në këtë anije. Deri më tani janë zbuluar 5 topa, të cilat të japin përshtypjen se anija ka qenë e mirë armatosur dhe me përmasa mjaft të mëdha për kohën. Arkeologet e ekspeditës arkeologjike mendojnë se me të dhënat paraprake, që janë deri më tani mund të thuhet se anija mund të ketë qenë pjesë e një prej flotave më aktive në këto brigje gjatë periudhës që kjo anije datohet dhe respektivisht flotës veneciane, otoman por nuk përjashtohet edhe mundësia e flotës spanjolle. Bazuar në modelin e spirancës së fotografuar nga roboti këto janë mendimet paraprake të arkeologeve shqiptarë dhe atyre amerikane. Topat e zbuluar deri më tani janë të mbuluar nga bimësia e madhe dhe është e pamundur që të japin të dhëna shtesë mbi origjinën e kësaj anije apo edhe vendin e prodhimit të këtij arsenali ushtarak. Nga burimet e shkruara janë të njohura disa prej ekspeditave ndëshkimore të ndërmarra nga Flota otomane ndaj brigjeve të Himarës, por edhe disa beteja navale shumë të rëndësishme historike të zhvilluara jo larg këtyre brigjeve. Arkeologët shqiptaro amerikanë do të vazhdojnë studime më të hollësishme mbi këtë relit në sezonin e ardhshëm dhe mendohet se duke parë gjendjen mjaft të mirë të objekteve të kësaj anijeje priten të dhëna mjaft interesante. Ndërkohë koordinatori i kësaj ekspedite Auron Tare shprehet se zbulimi më i fundit sjell edhe një herë në vëmendjen e publikut shqiptar rëndësinë e madhe që do të ketë themelimi i një Muzeut të Arkeologjisë nën ujore, i cili do të pasqyrojë historinë e pasur të lundrimit shqiptar në shekuj.
Shtatorja e Nënë Terezës, në 26 gusht vendoset në Detroit
Shumë shpejt shtatorja e bamirëses shqiptare do të jetë dhe në Detroit të SHBA-së. Shtatorja do të vendoset me ceremoni nderimi në 100-vjetorin e lindjes së Nënë Terezës në datën 26 gusht. Skulptori gjirokastrit me banim në Ohaio të SHBA Vasiliev Nini është në përfundim të monumentit të Nënë Terezës, i cili do të vendoset në Detroit në mjediset e katedrales së komunitetit shqiptaro-amerikan atje. Shtatorja, e cila tanimë ndodhet në fonderinë e Tiranës në procesin e derdhjes në bronz është në përmasat 200x80x60. Kjo shtatore e vlerësuar dhe nga drejtuesit e Ministrisë së Kulturës vjen si rezultat i një pune të nisur që në vitin 1996. Duke jetuar ndërmjet Tiranës dhe Ohaios me bashkudhëtaren dhe bijën e tij, Vasiliev Nini ish-pedagog i skulpturës në Akademinë e Art