E Shtunë, 31 Tetor 2026

Filmi italian për emigrantët hap polemika në Venecia

Nuk janë vetëm amerikanët ata që “guxojnë” të realizojnë filma “politikisht jokorrekt”; “Çështje të një bote tjetër”, e regjisorit italian Francesco Patierno, arriti të ishte në qendër të polemikave në faqet e të përditshmeve, ende pa u përfunduar si film, pikërisht për shkak të asaj që trajtohej në film. Por debati për filmin e regjisorit italian ka mbërritur edhe në Venecia, aty ku që prej 30 gushtit ka nisur Festivali Ndërkombëtar i Filmit dhe ku filmi “Çështje të një bote tjetër” është në konkurrim për Luanin e Artë. Kështu, sharmi i Cameron Diaz dhe i aktorit seks simbol Ryan Reynolds është zbehur në tapetin e kuq të Venecias nga filmi italian “Çështje të një bote tjetër” (Cose dell'altro mondo). Ndjeshmëria e kritikës dhe e publikut ndaj racizmit kaloi përtej sharmit femëror dhe bukurisë mashkullore të një aktoreje apo aktori. Filmi u shfaq premierë në Festivalin e 68-të të Filmit në Venecia, të shtunën. Polemikat rreth filmit që i ka kushtuar 1.3 milion euro italianëve (është financuar nga Ministria e Kulturës e Italisë) sollën një interes të madh mediatik edhe në Venecia. Organizatorëve u është dashur që të ndryshojnë sallën e konferencave, duke e zhvendosur në një më të madhe, për shkak të mediave të shumta që kishin zbarkuar në Venecia. Që në momentin që regjisori italian vendosi të bënte disa dubla në këtë krahinë, banorët kontestuan fort, duke e konsideruar filmin si “racist dhe ofendues për Italinë”. Ndërsa për vetë regjisorin Patierno ky debat vjen nga fakti se ai “ka vënë gishtin në plagë”. Gjithsesi, polemika të shumta janë ndezur edhe në prag të shfaqjes së filmit në Festivalin e Venecias, ku publiku ende pa e parë filmin ka protestuar, duke e konsideruar atë racist. Protagonisti kryesor është një sipërmarrës italian që në film luhet nga aktori i njohur italian Diego Abadantuono, racist e njëkohësisht dhe pronar i një televizioni privat në verilindje të Italisë. Abadantuono përdor mjetet e komunikimit që disponon për të predikuar idetë e tij mbi një botë pa të huajt dhe mbi padobinë e tyre në shoqërinë italiane duke hedhur slogane si “Bashkëjetojmë me fondamentalistë islamikë, arixhinj, shqiptarë të ndyrë: merrni devenë e kthehuni në shtëpi!”. Dhe një ditë të bukur “lutjet” publike të sipërmarrësit Abadantuono bëhen realitet. Një ditë të bukur krejt papritur e pa kujtuar, nga qyteti i vogël ku jeton “zhduken” të gjithë emigrantët. Qyteti mbetet shkretëtirë. Dyqanet janë të gjitha të mbyllura, furrat e bukës nuk punojnë më, fabrikat po ashtu, qyteti është në kaos, njerëzit vendalinj jetojnë në krizë totale. Ky “bojkot” nga emigrantët krijon situata komike dhe mjaft qesharake, pasi banorët kanë harruar sesi punohet. Me një stil grotesk regjisori Françesko Patierno përmes komedisë “Çështje të një bote tjetër” i jep përgjigje pyetjes “Si do të ishte bota pa emigrantët?”, duke nxjerrë në pah nevojën e pranisë së imigrantëve si dhe rëndësinë e tyre në tregun e punës. Për regjisorin Patierno, gjithë këto polemika nuk janë veçse tregues të faktit që “ka vënë gishtin në plagë”. Për herë të parë një regjisor italian guxon të sjellë në shinat e komikes një çështje, e konsideruar si mjaft delikate në Itali, mënyrën sesi u pritën emigrantët shqiptarë, por dhe të tjerë më pas në vendin fqinj. Por pavarësisht polemikave të ashpra të gushtit, “Cose dell'altro mondo” është njohur nga Ministria e Kulturës si film me interes kulturor kombëtar.

Disa komente nga kritika

“Filmi në një moment të caktuar ndryshon tonin, dhe në një moment të caktuar kthehet në një “poezi feliniane”, që duket se është e qëllimshme për të kënaqur të tërë, pa u pozicionuar për çështjen” – shkruan Paono Mereghetti në Corriere della Sera.

Ndërsa në faqen zyrtarë të Festivalit shkruhet se “Regjisori Patierno ka vënë gishtin në plagë, duke na treguar sesi një vend, nëse tregohet racist dhe i çorganizuar, si Italia, në këtë rast “zhdukja” e emigrantëve paralizon gjithë vendin, por regjisori sigurisht që nuk ka qenë aq sipërfaqësor sa çështjen në fjalë t’ia mveshë vetëm italianëve”.

A.Tuci

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›