“Polic” 24 orë për burrat e dhunshëm apo arrestet e shtëpisë
Ministria e Drejtësisë dorëzon në Kuvend draftin për monitorimin elektronik të personave që janë në arrest shtëpie, apo personat që janë detyruar me urdhër mbrojtjeje t’u rrinë larg familjarëve të tyre
Tiranë Të ndëshkuarit me arrest shtëpie apo burrat e dhunshëm, të detyruar me urdhër gjykate t’u qëndrojnë larg bashkëshorteve apo fëmijëve, do të survejohen 24 orë nga një “polic” në miniaturë. Bëhet fjalë për monitorimin elektronik, i cili pas miratimit të projektligjit “Për mbikëqyrjen elektronike në fushën penale”, nuk do të jetë më veçse një ide e huazuar nga Perëndimi. Drafti i firmosur nga ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi e që pritet të miratohet së shpejti në Kuvend, parashikon të gjitha kategoritë ndaj të cilave do të aplikohet monitorimi elektronik, si dhe avantazhet që ka qoftë Policia e Shtetit, qoftë buxheti me futjen në përdorim të këtyre pajisjeve. Projektligji ka parashikuar që pajisja elektronike të ketë përmasa të vogla, të mos bëhet shkak për stigmatizimin e mbajtësit dhe ta lejojë atë të kryejë pa vështirësi të gjitha veprimtaritë e zakonshme. Nga ana tjetër, kushdo që pranon të shpëtojë prej qelisë, duke përfituar dënim alternativ nuk do të mund të shpëtojë lehtë nga monitorimi elektronik, pasi pajisja do të jetë e dizenjuar për të lëshuar sinjal në një sallë operative në rast se dëmtohet ose hiqet. “Informacioni për vendndodhjen e subjektit shfaqet në hartë vetëm në rastet kur ai del nga zona e lejuar ose hyn në zonën e ndaluar të lëvizjes, sipas përcaktimit të vendimit gjyqësor që urdhëron përdorimin e pajisjes”, - thuhet në draftin që ka mbërritur për t’u shqyrtuar në Kuvend. Ministria e Drejtësisë sqaron në relacionin e këtij drafti arsyet që edhe në Shqipëri duhet aplikuar ky sistem monitorimi, duke argumentuar se lehtësohet puna e punonjësve të policisë dhe shoqëria mbrohet nga personat që paraqesin rrezikshmëri për ta. “Për sa u përket personave të cilëve u aplikohet si masë sigurie arresti në shtëpi dhe personave në ngarkim të të cilëve është dhënë një masë mbrojtëse, në kuadër të legjislacionit për dhunën në familje, qëllimi i kësaj zgjidhjeje është që t’u garantojë mbrojtje efektive personave që rrezikohen nga individë me rrezikshmëri shoqërore”, - thuhet në draftin për monitorimet elektronike. Si përfitues të kësaj nisme, Ministria e Drejtësisë ka listuar të gjithë qytetarët shqiptarë, që në një mbikëqyrje më efektive të vendimeve gjyqësore do të jetojnë në një mjedis më të sigurt, por edhe Policia e Shtetit apo Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve. “Përfitim do të ketë edhe buxheti i shtetit, pasi mbikëqyrja me punonjës policie rrit shpenzimet operative”, - thuhet në këtë draft, ku edhe është bërë një analizë ekonomike për implementimin e këtij sistemi. Sipas fondit të miratuar nga Këshilli i Ministrave për projektin pilot në vitin 2012, pritet të ketë një kursim prej 84 milionë lekësh në buxhetin e shtetit. “Efekti financiar i pritshëm në realizimin e këtij projekti nga viti 2013 e në vazhdim, vetëm për 300 të mbikëqyrur është me kursim prej 84 milionë lekësh në buxhetin e shtetit, ndërsa për të gjithë numrin aktual të të mbikëqyrurve, ky kursim llogaritet me 252 milionë lekë”, - thuhet në draft.