Kuçovë, nën hetim drejtuesit e sektorit të naftës, dyshohen për rroga abuzive
Ndërmarrja e Prodhimit të Naftës në qytetin e Kuçovës dyshohet të jetë përfshirë në një skandal abuzimi me pagat e punonjësve. Disa ish- punonjës ose punonjës fiktiv që tashmë pritet të përcaktohet nëse kanë qenë të tillë nga hetimet, dyshohet se kanë përfituar paga për një periudhë disa mujore nga ana e ndërmarrjes. Burime nga organi i akuzës në Berat bëjnë me dije se ky organ është në fazën e përmbledhjes së provave materiale në lidhje me dyshimet e hedhura nga agjentët e krimit ekonomik rreth faktit se disa persona kanë përfituar nga ana e Ndërmarrjes së Prodhimit të Naftës paga pa qenë punëtorë të saj.
Sipas burimeve të organit të akuzës një muaj më parë pranë zyrës së krimit ekonomik mbërritën informacione se disa persona pa qenë punonjës të ndërmarrjes merrnin paga në mënyrë të rregullt. Agjentët e antikrimit mësohet se kanë bërë hetimet e para në ndërmarrje dhe tashmë kjo çështje i kaloi prokurorisë. Sipas burimeve të organit të akuzës, menjëherë pas marrjes së informacionit ka nisur hetimi rreth kësaj ngjarjeje. Hetimorët kanë bllokuar ditën e djeshme gjithë bazën materiale të borderove të kësaj ndërmarrjeje. Dyshimet e para hedhin dritë mbi faktin se më shumë se dy persona për një periudhë disa mujore merrnin paga pranë ndërmarrjes pa qenë punonjës në të. Por, në verifikimet e kryera në borderotë e ndërmarrjes ka rezultuar se disa persona merrnin pagë në të, por ata ishin duke u trajtuar me asistencë një vjeçare nga ndërmarrja duke qenë ish punonjës të saj të larguar nga puna. Ky fakt i dalë nga verifikimet e para ka bërë që prokuroria të deklarojë nisjen e hetimeve rreth kësaj çështjeje. Tashmë gjithë regjistrat e borderove të punonjësve të ndërmarrjes ndodhen që prej ditës së djeshme në organin e akuzës për të kaluar në sitën e hetimeve. Për këtë çështje, sipas hetimorëve do të përballet me hetimet vetë shefi i sektorit të prodhimit të naftës, Romeo Harizi dhe përgjegjësi i sektorit të naftës Arben Musagalliu. Mësohet se shefi i sektorit të prodhimit është hetuar edhe më parë për një çështje të tillë, çështje e cila është mbyllur, pasi hetimet nuk nxorën në dritë abuzimet e dyshuara. Sipas burimeve të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor në Berat ende nuk mund të flitet për akuza konkrete të ngrita ndaj dy shefave të sektorëve, por mësohet se hetimet do të zbardhin të vërtetën nëse kanë marrë paga pa qenë në punë dy ose më shumë persona në ndërmarrjen e naftës.