Filologjiku në protestë/ Ndryshojnë kushtet e kontratës për degët prioritare

Pas studentëve të mjekësisë këtë të martë kanë nisur të protestojnë edhe studentët e degëve prioritare të Fakultetit Histori – Filologji. Studentët sqarojnë se janë regjistruar në degë prioritare, pasi vendimi i këshillit të ministrave i mbështeste të rinjtë që do zgjidhnin këto degë me bursë sa paga minimale pavarësisht mesatares së tyre. Në nisje të studimeve ata janë njoftuar se ky përfitim i takon vetëm një pjese të studentëve.
“Ne kemi dal të protestojmë për një arsye shumë të qartë për mos mbajtjen e kushteve dhe premtimeve që janë thënë që në fillim dhe ato që jemi përballur tani. Studenti për të përfituar pagën 400 mijë lekëshe duhet të ruaj një mesatare prej 9.5 gjë që është e pa mundur në universitet. Në fillim u tha që do ta përfitojnë të gjithë studentët që do të ndjekin degët prioritare pa kriter mesatare”, thotë një studente.
Studentët kanë kërkuar të bëhet transparente edhe kontrata që do të nënshkruajnë në Ministri, e cila i detyron ata të punojnë për 6 vite në Shqipëri
“Diploma mbahet peng për 6 vite që do të thotë që 3 vite ti punon në shtet dhe 3 vitet e tjera në rast mos punësimi ti mund ta tërheqësh pas 6 viteve”, tha një studente.
“Nëse nuk na japin zgjidhje atëherë të gjithë studentët kemi vendosur të çregjistrohemi”, thotë një tjetër studente.
Procesi mësimor është bojkotuar sot nga të gjithë studentët e viteve të para të programit Gjuhë-Letërsi, si dhe nga një pjesë e studentëve të Historisë dhe Gjeografisë.
Gazetare: K. Toroveci
/RTSH/