Kapitullon Rama, por kërkon shpëtim me propozime antikushtetuese
Edhe më syleshi e ka marrë vesh dështimin e grevës së urisë dhe të protestave revolucionare të PS. I demaskuar, Edvini ka synuar dje të zgjasë krizën përmes propozimeve antiligjore, por Drejtori i kabinetit të kryeministrit, Oerd Bylykbashi ka deklaruar se propozimi i opozitës bie ndesh me Kodin Zgjedhor dhe se zgjidhja e vetme gjendet tek rezoluta e Këshillit të Evropës
Propozimi i Kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, për hapjen e materialeve zgjedhore dhe për t’ia lënë Komisionit të Venecias të vendosë për fletët e votimit, u rrëzua nga ana ligjore menjëherë dje nga Drejtori i Kabinetit të Kryeministrit, Oerd Bylykbashi.
Sipas tij, propozimi i Ramës shkel drejt për drejt nenet e Kodit Zgjedhor ndaj nuk mund të zbatohet.
“Propozimi i bërë nga Rama shkel ligjin, nenet e Kodit Zgjedhor. E vetmja mundësi për zgjidhje është ajo që u propozua nga Byroja e Këshillit të Evropës, që Partia Socialiste të ankimojë në Gjykatën Kushtetuese kërkesat e saj për transparencë dhe nëse kjo e fundit e çmon ti kërkojë mendim Komisionit të Venecias”, tha Bylykbashi, duke e vlerësuar si të vetmen mundësi zgjidhjeje.
Sipas tij, në Kodin Zgjedhor më saktësisht në nenin 178, pika 6 të tij, përcaktohet se si veprohet me materialet zgjedhore dhe fletët e votimit.
“Me marrjen e kutive të votimit dhe fletëve të votimit të papërdorura dhe pas përfundimit të afatit për ankimet, sipas këtij Kodi, KQZ-ja hap të gjitha kutitë e votimit, nxjerr procesverbalet e votimit, si dhe tabelat dhe procesverbalin e numrit të fletëve të votimit dhe ia dërgon ato Arkivit Qendror të Shtetit në mënyrën e caktuar prej tij. Të gjitha fletët e votimit dhe kundër fletët digjen nën mbikëqyrjen e KQZ-së”, citoi Bylykbashi, duke rrëzuar kështu propozimin e bërë nga kreu i opozitës vetëm pak çaste pas bërjes publike të tij.
Për këtë arsye sipas ekspertit të kryeministrisë edhe Këshilli i Evropës, sugjeroi ndjekjen e kësaj rruge ligjore, pra ankimit në Gjykatë Kushtetuese dhe më pas në Komisionin e Venecias, për shkak të rregullimeve të përcaktuara në Kodin Zgjedhor. “Por deputetët e Partisë Socialiste nuk mund ti drejtohen Gjykatës Kushtetuese duke qenë pjesë e grevës së urisë sepse Gjykatës i drejtohen deputetët me ushtrimin e mandatit që kanë në Parlament”, theksoi Bylykbashi.
Neni 178 në Kodin Zgjedhor, përcakton procedurën e ruajtjes së materialeve zgjedhore, që nga procesverbalet e deri tek kutitë e votimit dhe se si veprohet me to pas përfundimit të proceseve zgjedhore.
Neni 178
Ruajtja e dokumentacionit
1. Asnjë procesverbal i KQV-së, KZAZ-së ose i një komisioni tjetër zgjedhor nuk mund të asgjësohet pa miratimin paraprak të KQZ-së.
2. Të gjitha procesverbalet e KQV-së ose të çdo komisioni tjetër të ngritur nga KZAZ-ja i jepen KZAZ-së në mënyrën dhe kohën e caktuar nga KQZ-ja.
3. KZAZ-ja mban nga një kopje:
a) të dokumentacionit të kandidatëve dhe partive politike që marrin pjesë në zgjedhje;
b) të listës së emrave dhe adresave të të gjithë anëtarëve të KQV-së dhe komisioneve të tjera;
c) të listës së qendrave të votimit;
ç) të listave të zgjedhësve për zonën zgjedhore;
d) të emrave dhe adresave të të gjithë anëtarëve të KZAZ-së;
dh) të hartës së zonës zgjedhore me kufijtë e zonave të qendrave të votimit;
e) të përshkrimit me shkrim të kufijve të të gjitha zonave të administrimit zgjedhor;
ë) të dekretit për caktimin e datës së zgjedhjeve, të njoftimeve zyrtare
për zgjedhjet të KZAZ-së, të shpalljes së rezultateve të zgjedhjeve për çdo qendër votimi dhe të shpalljes përfundimtare të rezultateve;
f) të deklaratës së shpenzimeve të bëra për administrimin e zgjedhjeve.
4. Dokumentet origjinale, të parashikuara në pikën 3 të këtij neni, i dërgohen KQZ-së brenda 3 muajve nga shpallja e rezultateve të zgjedhjeve. KQZ-ja mban një kopje dhe ia dërgon dokumentet origjinale Arkivit Qendror të Shtetit, në mënyrën e kërkuar prej tij dhe brenda 24 muajve pas shpalljes së rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve.
5. Menjëherë pas shpalljes së rezultateve nga KZAZ-ja, komisioni i dërgon KQZ-së, në mënyrën e caktuar prej saj, të gjitha kutitë e vulosura të votimit me procesverbalet e votimit, vulën e komisionit, fletët e votimit të përdorura në zgjedhje, si edhe fletët e votimit të papërdorura.
6. Me marrjen e kutive të votimit dhe fletëve të votimit të papërdorura dhe pas përfundimit të afatit për ankimet, sipas këtij Kodi, KQZ-ja hap të gjitha kutitë e votimit, nxjerr procesverbalet e votimit, si dhe tabelat dhe procesverbalin e numrit të fletëve të votimit dhe ia dërgon ato Arkivit Qendror të Shtetit në mënyrën e caktuar prej tij. Të gjitha fletët e votimit dhe kundër fletët digjen nën mbikëqyrjen e KQZ-së.