E Diel, 1 Nëntor 2026

Emri i Shkupit, nga OKB në Strasburg

Nuk është sqaruar plotësisht se çfarë dhe kush e frymëzoi guximin e hapit të qeverisë së kryeministrit Nikolla Gruevski, që 11 majin, ditën kur do të merrte presidencën e Këshillit të Europës, ta përdorte si një test të ri të konfliktit të vjetër me Greqinë për çështjen e emrit. Në fillim të muajit prill, Shkupi shpalli zyrtarisht se gjatë presidencës së tij të Këshillit të Europës do të vendoste logon "Presidenca maqedonase 2010". Kjo shkaktoi një hutim në disa qarqe diplomatike në Shkup dhe jashtë tij, të cilët menduan se ky hap i guximshëm i qeverisë së kryeministrit Gruevski duhet të ishte ndonjë indikacion, apo ndonjë element prekursor i ndonjë zhvillimi të ri, apo kthese në bisedimet e gjata dhe të vështira mes Shkupit dhe Athinës për çështjen e emrit. Spekulimet u shtuan sidomos pas informacioneve të shpërndara nga diplomacia maqedonase se Greqia nuk kishte paraqitur ndonjë objeksion për këtë hap të Shkupit në Strasburg. Duke i bashkuar gjitha këto edhe me deklaratën hiperoptimiste të ministrit të Jashtëm spanjoll, Moratinos, shtetit që ka presidencën e radhës të BE-së, se çështja e emrit do të zgjidhet deri në qershor, në disa qarqe u krijua përshtypja se me logon "Presidenca maqedonase" e KE-së, po hapej kapitulli i ri i zgjidhjes së konfliktit 18-vjeçar për emrin. Madje edhe reagimet e qarta zyrtare në Athinë, në mënyrë paraprake, se ajo nuk do të lejonte përdorimin e një logoje të tillë, sepse binte në kundërshtim me vetë dokumentet e pranimit të Maqedonisë në Këshillin e Europës 15 vjet më parë, nuk ndihmuan shumë të shpërndaheshin iluzionet e "ndryshimit të madh."
Por 11 maji erdhi shpejt dhe në uebsajtin zyrtar të Këshillit të Europës, edhe diplomatët, edhe qeveritë, edhe publiku, panë se logoja ishte "Presidenca e ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë", dhe të gjitha dokumentet e botuara në faqet zyrtare i referohen Maqedonisë me emrin e saj të pranimit në OKB, në Këshillin e Europës dhe në të gjitha organizatat e tjera ndërkombëtare, si FYROM. Opinioni publik dhe mediatik në Maqedoni, i cili ishte pompuar nga diplomacia maqedonase për suksesin e madh diplomatik të "Presidencës maqedonase" të Këshillit të Europës padyshim mbeti i shokuar dhe i zhgënjyer nga ajo, që po shihte realisht në Strasburg. Hulumtimi i gjitha rrethanave rreth kësaj afere diplomatike evidenton kurdisjen e një mizanskene artificiale, e cila nuk kishte ndonjë bazë reale, por thjesht një përpjekje për të gjetur spunton e një fushate propagandistike për arritjet e mëdha të qeverisë në fushën e politikës së jashtme. E vërteta e thjeshtë ishte se as Greqia, as Këshilli i Europës dhe as faktori ndërkombëtar, nuk kishin ndryshuar qëndrimin e njohur zyrtar të përdorimit të referencës "FYROM" në dokumentet dhe organizatat ndërkombëtare. Sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Europës, Tjobjorn Jaglad sqaroi më 12 maj se "Ne në Këshillin e Europës respektojmë qëndrimin për emrin e përkohshëm në OKB. Nuk duam të shkaktojmë probleme për procesin, që zhvillohet nën kujdesin e OKB-së, meqë ajo çështje zgjidhet në OKB dhe jo në Strasburg".
Deklarata e sekretarit të përgjithshëm nuk lë pikë dyshimi për konsekuencën e qëndrimit të adoptuar nga Këshilli i Europës, por ajo ka gjithashtu tonin e një mesazhi, që tërheq vëmendjen se Këshilli i Europës nuk mund të shfrytëzohet si një forum apo tribunë për të shkaktuar probleme në procesin e bisedimeve për emrin, që zhvillohen mes Greqisë dhe Maqedonisë, nën patronazhin e OKB-së. Nuk kishte dhënë ndonjë shenjë, qoftë edhe tërthorazi, as diplomacia greke, se ajo do të toleronte apo do të mbyllte sytë përballë hapit të Shkupit për ta bërë fakt të kryer logon e "Presidencës maqedonase" të Këshillit të Europës. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Greqisë, Gregori Delavekuras deklaroi lidhur me përpjekjet e Shkupit për logon e presidencës së KE-së se "Deklaratat e udhëheqjes së FYROM-it qartësojnë qëllimin e asaj qeverie për të ushtruar rolin e abuzuesit të presidencës, për të promovuar qëndrimin e saj për çështjen e emrit. Në këtë mënyrë, udhëheqja e FYROM-it dëmton procesin negociues në kuadër të OKB-së dhe hedh poshtë përpjekjet dhe nismat e Greqisë për të krijuar një klimë pozitive mes dy vendeve". Diplomacia greke në të njëjtën kohë ndërmori përçapjet e saj pranë institucioneve ndërkombëtare dhe pranë çdo shteti anëtar të Këshillit të Europës lidhur me qëndrimin e Athinës për pretendimin e Shkupit dhe vetë ministri plotësues i Punëve të Jashtme, Drusas e theksoi këtë me qëndrimin e tij në Strasburg më 11 maj. është parim klasik në diplomaci se kur njëra palë e bisedimeve dypalëshe përsërit në publik qëndrimin e saj të njohur mbi objektin e çështjes konfliktuoze, pala e dytë nuk ka të drejtë të krijojë iluzione se diçka ka ndryshuar në qëndrimin e palës së parë. Shkupi krijoi një krisje të re në procesin e bisedimeve dhe të marrëdhënieve mes dy vendeve, duke shkaktuar grindjen e parë në Këshillin e Europës për çështjen e emrit të presidencës, në 61 vjet të krijimit të kësaj organizate paneuropiane. Ndaj çështja shtrohet se përse qeveria dhe diplomacia e Shkupit ndërmorën një hap dhe një veprim, i cili ishte e qartë se do të refuzohej nga qeveria dhe diplomacia e Athinës. Kjo lëvizje mund të jetë e diktuar nga nevoja të brendshme dhe të jashtme të qeverisë së kryeministrit Nikolla Gruevski, por në një klasifikim më të butë, veprimi i saj duket si një test i ri i gabuar publik për bisedimet mes dy shteteve për çështjen e emrit. Ka një mungesë të dukshme serioziteti në këtë veprim të diplomacisë maqedonase, e cila duket se është udhëhequr në këtë rast nga motive politike dhe elektorale të kryeministrit. Kryeministri Nikolla Gruevski ndodhet në një pozitë diplomatike ndërkombëtare tepër të pakëndshme, sepse në bashkësinë ndërkombëtare dominon përshtypja se ai nuk ka treguar dhe nuk po dëshmon predispozicionin e duhur për të zgjidhur konfliktin e vjetër me Greqinë për çështjen e emrit. Kjo pozitë e pakëndshme ndërkombëtare ndikon në një mënyrë apo tjetër edhe në rritjen e presionit mbi qeverinë nga opinioni publik brenda vendit, i cili kërkon zgjidhje të krizës. Në këto kushte, qeveria dhe diplomacia maqedonase tentojnë të krijojnë një përshtypje iluzore se diçka e madhe, në favor të qëndrimit qeveritar për emrin, po vlon në prapaskenat diplomatike. Marrja e presidencës së Këshillit të Europës u vlerësua si një artific i përshtatshëm për të krijuar një tymnajë diplomatike brenda vendit dhe në rajon. është interesant të nënvizohet këtu se diplomacia maqedonase e ndërmori këtë përpjekje, ndonëse vetë marrja e presidencës së KE-së nga ana e Shkupit i dedikohet pikërisht akronimit FYROM. Presidenca e Këshillit të Europës qarkullon mes shteteve anëtare mbi bazën e parimit të rotacionit dhe të respektimit të rendit alfabetik. Emri, me të cilin është pranuar Maqedonia në Këshillin e Europës është "The former Yugoslav Republic of Macedonia". Dhe është rezultat i llogaritjes së germës "T" te fjalëza anglisht "The", që Shkupi fitoi tani të drejtën e presidencës së KE-së për gjashtë muaj. Nëse qeveria e Maqedonisë do të ishte kaq rigoroze në qëndrimin e saj patriotik për emrin, ajo do të duhej të refuzonte një presidencë të cilën e fiton mbi bazën e akronimit FYROM, akronim që ajo nuk e pranon. Nëse do të ishte realisht rigoroze, qeveria e Maqedonisë nuk do të duhej të pretendonte përdorimin e një logoje, të ndryshme nga akronimi, me të cilin fitoi presidencën. Nuk po shkojmë më tutje dhe të përmendim se ministri i jashtëm maqedonas, Antonio Miloshoski, i cili do të kryesojë Komitetin e Ministrave të Jashtëm të Këshillit të Europës, pranon të qëndrojë në atë Këshill, i ulur te tabela, që ka emërtimin FYROM.
Veprimi i diplomacisë maqedonase për të spostuar çështjen e emrit nga OKB në Strasburg shfaqet si një përpjekje për të krijuar telashe të reja diplomatike, për të acaruar klimën e bisedimeve dypalëshe për emrin. Për atë, që ka ndjekur me vëmendje ecurinë e qëndrimit të qeverisë së kryeministrit Nikolla Gruevski, që nga dështimi për të marrë një ftesë pranimi në NATO në samitin atlantik të Bukureshtit në prill 2008 e deri në ditët e sotme, nuk e ka të vështirë të shkojë te bindja se qeveria dhe diplomacia aktuale e Shkupit po manifestojnë një vullnet gjithnjë e më të pakët politik për të zgjidhur çështjen e emrit. Kostoja e kësaj intransigjence po bëhet çdo ditë e më e lartë për shtetin e brishtë maqedonas, por interesat e integrimit euroatlantik duket se janë një kategori, të cilën kryeministri Gruevski nuk e ka në konsideratë prioritare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›