"Filumena Marturano", nesër premiera
Në Teatrin Kombëtar në Tiranë do të mbahen sot pasdite provat gjenerale të shfaqjes "Filumena Marturano", premiera e së cilës është vendosur më 20 shkurt. Pas provave, në orën 19.00 do të mbahet edhe konferenca për shtyp, ku pritet të flasë regjisori i shfaqjes Albert Minga, i shoqëruar me aktorët dhe skenografin e veprës. Në këtë vepër do të luajnë aktorë të njohur si: Yllka Mujo, Bujar Asqeriu, Artistja e Popullit Tinka Kurti, Neritan Liçaj, Gjergji Mena, Vangjel Toçe, etj. Vepra e autorit italian Edoardo de Filipo, do të hapë dyert e Teatrit Kombëtar për vitin 2009. Në këtë vepër trajtohet jeta e një ish-prostitute që jeton me një borgjez të kamur, e cila e detyron pasanikun të martohet me të në mënyrë që t‘i jepte një mbiemër fëmijëve të saj. Filomena, ish-prostituta, përfaqëson femrën e guximshme dhe të vuajtur në jetë, e cila më shumë ka falur dashuri sesa ka marrë prej saj. Sipas regjisorit Minga, "Filumena Marturano" është triumf i dashurisë, është një histori madhështore njerëzore. Njësoj si në shfaqjen "Pamje nga ura", sërish skenografia mban emrin e Agim Zajmit.