E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lista e re e barnave, propozohen ilaçe të shtrenjta

Për listën e re të barnave me rimbursim propozohen ilaçe të mira, efektive, por edhe më të shtrenjta. Grupet e specialistëve që punojnë në klinikat kryesore të spitaleve të vendit, kryesisht të spitalit "Nënë Tereza", tashmë kanë përmbledhur sugjerimet e tyre, duke kërkuar nga Komisioni i Hartimit të Listës së Barnave që të merren në konsideratë propozimet e tyre. Konkretisht, "blloku" me listën e sugjerimeve ndodhet në Drejtorinë e Farmaceutikës, në Ministrinë e Shëndetësisë. Ndërsa secili nga grupet që kanë bërë propozimet për sëmundjet që trajtojnë klinikat e spitaleve, disponojnë listën e tyre të propozimeve. Bashkë me shërbimet spitalore, mjekët që njohin sëmundjet, trajtimet që përdoren në vende të tjera dhe njëkohësisht edhe sasitë e përbërjeve, propozime dhe sugjerime për listën e re, kanë ardhur edhe nga distributorë të ilaçeve. Grosistë apo përfaqësues të filialeve kryesore të prodhimit të medikamenteve në të gjithë botën, të cilët kanë çelur degët në Shqipëri, kanë sugjeruar futjen e barnave të tyre në listën e re, duke bërë propozimin dhe prezantimin e ilaçeve. Këto preparate janë më të mira, barnat më të sugjeruara nga farmako-vigjilenca, shkenca që ekzaminon cilësinë e barnave, por edhe nga grosistët e ilaçeve. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, tashmë janë mbledhur propozimet. Pritet që gjatë këtyre ditëve, Drejtoria e Farmaceutikës, t‘ia bëjë të njohura sugjerimet ministres së Shëndetësisë, Anila Godo.

Medikamentet e listës

Barnat e reja që janë propozuar për listën e re të rimbursimit janë kryesisht për sëmundjet kronike, nga të cilat vuajnë pjesa më e madhe e pacientëve, mosha e tretë apo fëmijët. Propozimet kanë ardhur për sëmundjet e tensionit, zemrës, për pacientët që vuajnë nga prostata, kryesisht të sëmurët kronikë. Propozime të reja kanë ardhur për pacientët që vuajnë nga hepatitet, nga sëmundjet e sistemit mendor, problemet shëndetësore të stomakut.

Po ashtu propozimet për listën në adresë të Drejtorisë së Farmaceutikës në Ministrinë e Shëndetësisë janë edhe për sëmundje të cilat deri tani nuk kanë gjetur shumë vend në listat e mëparshme. Ndër to mund të përmenden sëmundjet e vështira, tumoret, diabeti, problemet me veshkat, shqetësimet e mbipeshës, obeziteti. Pas diskutimeve me drejtuesit e shëndetësisë, propozimet do të shqyrtohen nga Komisioni i Hartimit dhe Rishikimit të Listës së Barnave me Rimbursim. Komisioni kryesohet nga ministrja e Shëndetësisë dhe përbëhet nga 21 anëtarë.

Diskutimet

Këto ditë, teksa janë mbledhur propozimet dhe sugjerimet e para për pasurimin e listës së re të barnave, pritet shqyrtimi dhe diskutimi në parim për këto alternativa të reja.

Këto sugjerime do të merren parasysh në bazë të fondit të akorduar nga shëndetësia, vetëm për listën e barnave, si dhe kostos që do të ketë futja e secilit prej tyre. Ndërsa, ish-ministri i Shëndetësisë, Nard Ndoka, pothuajse bëri një ndryshim rrënjësor të listës aktuale, të miratuar në vitin 2008, deri tani asnjë deklaratë zyrtare për risitë e 2009-ës, nuk ka ardhur nga ministrja e re, Anila Godo. Sakaq, Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor ka premtuar se nga viti në vit do të ketë përmirësime të kësaj liste, futje të alternativave efektive dhe të shtrenjta, në mënyrë të veçantë për moshën e tretë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›