E Shtunë, 31 Tetor 2026

1 milion USD për tre muaj internet në shkolla

Me 1 milion dollarë, Ministria e Arsimit do të paguajë linjën e internetit për tre muaj me radhë për 2107 shkolla 9-vjeçare dhe të mesme në të gjithë vendin. Kontrata e garantimit të shërbimit të internetit në shkollat e sistemit parauniversitar u nënshkrua dje nga kreu i Ministrisë së Arsimit, Fatos Beja, dhe drejtori i Albtelekomit, Mustafa Arkdogan. Sipas drejtuesve të arsimit, kjo marrëveshje bëhet në kuadër të programit "Cilësi dhe barazi në arsim". "Kontrata me vlerë mbi 1 milion USD (vlera e plotë 1.051.814.40 USD) do të pajisë me shërbim interneti në tre muajt e ardhshëm të gjitha shkollat të mesme dhe bazë në çdo rreth të vendit", premtuan dje drejtuesit e arsimit. Sipas ministrit Beja, me instalimin e internetit për një periudhë kohore të shkurtër do të shfrytëzohen me mijëra kompjuterë që ne kemi shpërndarë ditët e fundit në të gjitha shkollat e Shqipërisë. "Është realisht një arritje për shkollarët e Shqipërisë, për familjarët e tyre, për të gjithë ne si qytetarë. Ne duam që fëmijët tanë të jenë në avangardë të vendeve evropiane sot", u shpreh Beja gjatë ceremonisë së nënshkrimit të kontratës. Ministri Beja u shpreh se me këtë kontratë mbyllet një fazë e rëndësishme e projektit të MASH, TIK-shkolla. Ai ka uruar që zbatimi i kontratës të jetë i suksesshëm deri në fund.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›