Shqipëria shtyn aplikimin për statusin e vendit kandidat për në BE
Shqipëria është zmbrapsur nga aplikimi i shpejtë për statusin e vendit kandidat në BE dhe Komisioni Evropian e ka vlerësuar një gjë të tillë. Kjo iu konfirmua Ministrit të Jashtëm të Shqipërisë Lulëzim Basha në takimin që zhvilloi me Komisionerin për zgjerim Olli Rehn, një ditë para trojkës BE- Shqipëri në Bruksel. Qeveria shqiptare bëri një zgjedhje shumë të mençur për të mos u nxituar me aplikimin për statusin e vendi kandidat.
Qeveria ftohet të koordinojë këtë lëvizje me Presidencën e BE, me vendet anëtare dhe me Komisionin Evropian tha Krisztina Nagy, zëdhënësja e komisionerit Rehn. Sipas Komisionit Shqipëria nuk është ende gati për të hedhur një hap të tillë, fillimisht duhen plotësuar disa kushte, e një ndër to dhe i ripërsëritur si kusht kyç janë zgjedhjet sipas standardeve ndërkombëtare. Për Shqipërinë si për të gjitha vendet e tjera nevojiten dëshmi konkrete dhe të kënaqshme në zbatimin e detyrimeve të Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit, përfshirë masat tregtare të saj, si element thelbësor për konsiderimin e ndonjë aplikimi të mundshëm. Së fundmi, garantimi dhe zhvillimi i duhur i zgjedhjeve parlamentare të këtij viti në përputhje me standardet ndërkombëtare është një kusht kyç për përparimin e mëtejshëm të Shqipërisë në rrugën drejt BE-së, tha Nagy. Ministri i Jashtëm Basha ka mohuar që në takim të jetë folur për temën e nxehtë të kohëve të fundit, ligjin e lustracionit. Për këtë çështje zëdhënësja e Komisionerit Nagy deklaroi se Ren ka shprehur qëndrimin e BE-së dhe se ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese për ndërprerjen e zbatimit të këtij ligji. Gjatë takimit, Ministri Basha informoi Komisionerin Rehn mbi ecurinë e reformave në Shqipëri, mbi zhvillimet ekonomike, për përgatitjet për zgjedhjet e 28 qershorit, si dhe vullnetin e qeverisë shqiptare për të thelluar reformat në çdo fushë. Bashkëbiseduesit u ndalën gjithashtu edhe tek procesi i liberalizimit të vizave me këtë rast, Ministri Basha informoi Komisionerin Rehn mbi ecurinë e procesit të prodhimit dhe shpërndarjes së letërnjoftimeve dhe pasaportave biometrike.