E Shtunë, 31 Tetor 2026

Finalet e kaluara

Finalistët e sivjetmë të Ligës së Kampionëve, Barcelona dhe Manchester United së bashku në histori të tyre i kanë zhvilluar 10 finale të garës elite të klubeve evropiane. Një prej këtyre takimeve ishte përballja mes vete e vitit 2009 në Romë, ku Barcelona fitoi 2-0. Një vështirim i paraqitjeve të tyre të kaluara në finale favorizon Djajtë e Kuq që nga katër ndeshje kanë fituar tri herë. Nga Express më 27 maj 2011 në ora 11:25

Barcelona dhe Manchester United kanë zhvilluar 10 finale të Kupave të e Evropës/Liga e Kampionëve mes vete duke përfshirë finalen e edicionit 2009, ku gjiganti katalan mposhti Djajtë e Kuq 2-0 në Romë. Ata janë takuar mes vete edhe në finalen e Kupës së Fituesve të Kupës, ku Manchester United fitoi 2-1. Para përballjes së tyre të ardhshme në finalen e së shtunës në Wembley, është interesant të shihet një vështrim i paraqitjeve të tyre të kaluara në aktin përfundimtar të garës elite të klubeve evropiane.

Barcelona

Bernë, 31 maj 1961: Benfica-Barcelona 3:2

Real Madridi dominoi futbollin evropian prej fillimit të Kupës së Evropës më 1955 deri kur rivali i tyre, Barcelona i mposhti 4-2 me rezultat të përgjithshëm në rrethin e dytë të garës në nëntor 1960 për të ndërprerë serinë e tyre pozitive. Megjithatë, Barcelona nuk arriti të mbërrijë mbretërinë e Realit në Evropë. Edhe pse kaluan në epërsi në minutën e 20-të kundër Benficës në finalen e vitit 1961, nëpërmjet Sandor Kocsis, ata u mposhtën 3-2 nga Benfica.

Sevilla, 7 maj 1986: Steaua Bucharest-Barcelona 0:0
(Steaua fitoi 2-0 me penallti)

Një çerek shekulli më vonë dhe kjo humbje ende konsiderohet si njëra prej befasive më të mëdha në futbollin evropian dhe njëra prej më të vështirave për t’u tejkaluar nga tifozët e Barcelonës. Të udhëhequr nga anglezi Terry Venables, Barcelona kishte mposhtur kampionin në fuqi Juventusin në rrugëtim drejt finales dhe ishte favorite për të fituar në Sevillë. Mirëpo, portieri i Setauas, Helmut Duckadam zhvilloi ndeshjen jetësore të tij dhe Barcelona nuk arriti të shënojë asnjëherë nga penalltitë.

Londër, 20 maj 1992: Barcelona-Sampdoria 1:0

Barcelona e shkeli tokën e paprekur duke ngritur për herë të parë Kupën e Evropës para se gara të bëhet e njohur si Liga e Kampionëve, në sezonin e ardhshëm. Holandezi Ronald Koeman shënoi golin e fitores tetë minuta para përfundimit të lojës shtesë në stadiumin Wembley.

Athinë, 18 maj 1994: Milan-Barcelona 4:0

Dy vjet pasi u kurorëzuan kampionë të Evropës, Barcelona u shkatërruar nga Milani i Fabio Capellos që tejkaloi mungesën e mbrojtësve të suspenduar Franco Baresi dhe Alessandro Costacurta, shkëlqeu në Athinë dhe kaloi në epërsi 3-0 pas 47 minutave me dy gola nga Daniele Massaro dhe një nga Dejan Savicevic. Marcell Desailly shënoi për rezultatin përfundimtar pas 58 minutave, derisa ‘Ekipi i Ëndrrave’ i Johan Cruyffit pësoi humbje të thellë.

Paris, 17 maj 2006: Barcelona-Arsenal 2:1

Pas 14 minutave lojë në Stade de France, Arsenali, që pjesën më të gjatë të ndeshjes e zhvilloi me 10 futbollistë, pas përjashtimit të portierit Jens Lehmann, ishte në rrugë për t’u bërë skuadra e parë nga Londra që fitoi garën pas golit me kokë nga Sol Campbell. Mirëpo, Barcelona u kundërpërgjigj kur Henrik Larsson u inkuadrua në mesin e pjesës së dytë dhe krijoi gola për Samuel Eto dhe Juliani Bellettin, i cili e realizoi atë të fitores, nëntë minuta para fundit.

Romë, 27 maj 2009: Barcelona-Manchester United 2:0

Barcelona u bë skuadra e parë spanjolle që fitoi tre tituj me Ligën e Kampionëve dhe triumfit të dyfishtë në La Liga dhe Copa del Rey, kur mposhtën Manchester Unitedin në stadiumin olimpik. Samuel Eto’o kaloi Barcelonën në epërsi pas 10 minutave. Ndeshja ishte paralajmëruar si përballje mes gjeniut argjentinas të Barcelonës, Lionel Messi dhe heroit të Manchester Unitedit Cristiano Ronaldo, dhe ishte Messi që doli fitues duke realizuar golin e dytë me shënim të rrallë me kokë, 20 minuta para fundit.

Manchester United

Londër, 29 maj 1968: Manchester United-Benfica 4:1

Njëra prej ndeshjeve më të famshme evropiane përfundoi 4-1 pas lojës shtesë, në favor të Manchester Unitedit që u kurorëzua mbret i Evropës vetëm 10 vjet pas fatkeqësisë ajrore në Munich. Menaxheri Matt Busby kaloi një tjetër dekadë, duke rindërtuar ekipin dhe skuadra e tij doli fituese kur Bobby Charlton, i cili i shpëtoi rrëzimit të aeroplanit, shënoi dy herë dhe George Best e Brian Kidd nga një tjetër. Por, mund të kishte përfunduar ndryshe nëse Eusebio, i cili ishte i vetëm përballë portierit në minutat e fundit të kohës së rregullt, nuk do të kishte goditur drejt në duart e portierit të Manchester Unitedit, Alex Stepney.

Barcelonë, 26 maj 1999: Manchester United-Bayern Munich 2:1

Manchester United bëri një prej rikthimeve më të mëdha në një finale evropiane, kur golat nga Teddy Sheringham dhe Ole Gunnar Solskjaer në minutat shtesë për fitore kundër Bayernit, që ishte në epërsi nga minuta e gjashtë nëpërmjet Mario Baslerit. Presidenti i atëhershëm i UEFA-s, Lennart Johannson kishte treguar se kur u largua nga zona VIP për t’u përgatitur për dhurimin e trofeut, Bayern ishte duke fituar, ndërsa derisa ai kishte zbritur poshtë, humbi të dy golat me të cilët fitoi skuadra angleze.

Moskë, 21 maj 2008: Manchester United-Chelsea 1:1
(Man Utd fitoi 6-5 me penallti)

Një tjetër fitore e Manchester Unitedit, një tjetër natë e dramës në stadiumin Luzhniki në Moskë, ku në finalen e parë angleze dhe të parën në Rusi, ndeshja pas 120 minutave përfundoi baras, kur Ronaldo dhe Frank Lampard kishin shënuar në pjesën e parë. Fituesi u desh të përcaktohej me penallti. Pasi Ronaldos, dështoi të shënojë, kapiteni i Chelseas, John Terry u desh të realizojë për t’i siguruar fitoren e ekipit të tij, por rrëshqiti derisa ishte duke goditur topin që përfundoi jashtë. Edwin Van der Saar e përcaktoi fituesin kur priti goditjen e Nicolas Anelkës.

Romë, 27 maj 2009: Barcelona-Manchester United 2:0

E lexuat më lart. Barcelona synon përsëritjen, Manchester United kërkon hakmarrjen.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›