Gati për Zvicrën
Pas Valon Behramit, Xherdan Shaqirit, Blerim Xhemajlit dhe Albert Bunjakut, përfaqësueses së Zvicrës shumë shpejt pritet t’i bashkohen edhe dy lojtarë shqiptarë. Ata janë mesfushori i Baselit, Granit Xhaka dhe sulmuesi i Zurichut, Admir Mehmedi.
Mediat zvicerane shkruajnë se selektori Ottmar Hitzfeld, sipas të gjitha gjasave, do ta përfshijë në përfaqësuesen helvetike 18-vjeçarin e Baselit, në listën që do ta publikojë të premten, për ndeshjen kualifikuese për Euro 2012 ndaj Anglisë, më 4 qershor në stadiumin Wembley.
Xhaka pati një përparim të hatashëm. Ai debutoi me ekipin e Baselit në një moshë të pabesueshme – si 17 vjeç. Këtë sezon ai zhvilloi rreth 20 ndeshje me kampionin e ri të Zvicrës. Ai i mahniti të gjithë me kualitetin e tij të shfaqur në debutimin e tij në kampionatin zviceran.
Për këtë gjë, përfaqësuesi U21 i Zvicrës nuk arrin ende të besojë. “Unë vështirë se mund të besoj në këtë mundësi”, ka thënë futbollisti kosovar për uebfaqen 20 min.ch. Sidoqoftë, ai është i gatshëm në çdo moment, nëse merr një ftesë nga trajneri gjerman.
Mediat zvicerane shkruajnë se me gjasë, Xhaka do të heqë dorë nga Kampionati Evropian U21, i cili do të mbahet në Danimarkë, për t’iu bashkuar ekipit të parë të Zvicrës, në angazhimet që ka në kualifikime për Evropianin e Ukrainës dhe Polonisë.
Muaj më parë, Graniti e vazhdoi kontratën me Baselin, së bashku me vëllanë e tij, Taulantin, deri në vitin 2015. Ai e festoi të mërkurën mbrëma titullin e kampionit, me ç’rast konfirmoi se do ta lërë ekipin e tij, së paku edhe një vit. “Nuk dëshiroj të shkoj jashtë Zvicrës dhe ta ngroh bankinën. Nuk dua ta ndjek rrugën e Ben Khalifas”, tha Xhaka për tabloidin zviceran, Blick.
Futbollisti kosovar ishte shpallur kampion i botës me ekipin U17 të Zvicrës në vitin 2009. Për të, ky ishte sezoni i parë në ekipin e Baselit. Ndërkohë, shtypi zviceran shkruan se rrugën e Xhakës mund ta ndjekë edhe Admir Mehmedi. Pas pensionimit të dyshes sulmuese, Frei e Streller, dhe lëndimit të Bunjakut, rrugët e sulmuesit të Zurichut janë hapur.
Ai gjithashtu mund të ftohet për ndeshjen me Anglinë, e cila do të zhvillohet më 4 qershor. “Nëse grumbullohem, do të ishte një gjë e bukur për mua”, tha Mehmedi për 20min.ch. Selektori Ottmar Hitzfeld pritet ta publikojë listën e të ftuarve të premten, nga ora 11:00.