E Shtunë, 31 Tetor 2026

E shtyn ultimatumin

Aziz Salihu ua ka dhënë edhe një rast institucioneve të Kosovës. Legjenda e boksit kosovar ka vendosur ta shtyjë ultimatumin dhe ta presë Qeverinë e Kosovës edhe një javë, maksimum dy. Ai kërkon nga institucionet që t’ia sigurojnë një vend pune dhe një vendbanim, pasi konsideron se është lënë anash nga të gjithë. Nëse kjo nuk ndodh, ai kërcënon se në qendër të Prishtinës do t’i humbë të gjitha medaljet dhe kupat dhe do të largohet nga Kosova. Nga Moral Pozhegu moral.pozhegu@gazetaexpress.com më 27 maj 2011 në ora 11:24

Aziz Salihu ka vendosur ta shtyjë ultimatumin dhe t’i presë edhe një javë ose dy maksimum, institucionet e vendit, për ta përmirësuar tretmanin ndaj tij.

Legjenda e boksit kosovar është lodhur duke pritur. Duke e parë që është lënë anash nga të gjithë dhe se i mungon përkrahja nga Qeveria e Kosovës, ai ka vendosur të hidhet në sulm. Salihu kërkon nga institucionet e vendit që t’ia sigurojnë një vend pune, ngase mendon se e meriton një gjë të tillë.

“Qe 10 vjet jemi shtet dhe askush nuk më ndihmon. Më kanë lënë anash, askush nuk mendon për mua. Unë kam dhënë kontribut të madh për Kosovën, nuk e kam merituar këtë tretman. Kam sjellë medalje në Kosovë, ndërsa tash kam mbetur në rrugë, i papunë”, deklaroi ai në një konferencë për shtyp të mbajtur të enjten.

Salihu kërkon që t’i gjendet një vend pune, si këshilltar në Ministri ose të bëhet ambasador i sportit të Kosovës. Ai po ashtu ankohet se nuk ka banesë të veten, kështu që thotë se sportisti i shekullit nuk meriton të mbetet në rrugë. Nëse nuk ndërmerr diçka, Qeveria në afatin e caktuar nga ai, ish-boksieri kosovar e përsërit kërcënimin e një muaji më parë.

“Nëse brenda një jave, maksimum 15 ditësh nuk plotësohen këto kërkesa të mia, unë do t’i ftoj mediat dhe para tyre në qendër të Prishtinës do t’i humb të gjitha medaljet dhe kupat dhe do të largohem nga Kosova. Nuk më ka mbetur tjetër. Do t’i ngre duart lart dhe do të dorëzohem. Nuk mund të pres më”, shtoi Salihu.

Ai është i bindur se është njeriu i duhur që do t’i ndihmonte sportistët kosovarë që të marrin pjesë në Olimpiadën Londra 2012, duke lobuar, nëse do t’i jepej rasti. Salihu ankohet se asnjë anëtar i familjes nuk i punon dhe se ka nevojë për ndihmë, e cila nuk iu ofrua pas luftës.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›