Finalja, ndeshja më e vështirë e sezonit

Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, ka kërkuar nga futbollistët e tij të trajtojnë finalen e Ligës së Kampionëve kundër Manchester Unitedit sikur të jetë hera e fundit që do të paraqiten në të, edhe pse gjiganti katalan ka arritur në këtë fazë të garës tre herë në gjashtë vitet e fundit.
Pas fitimit të kupës së tyre të parë evropiane më 1992, Barcelona synon të pushtojë kontinentin për herë të katërt prej kur mposhtën Arsenalin në finalen e vitit 2006 e më pas Manchester Unitedin para dy viteve në Romë.
Suksesi në Itali ishte njëri prej nëntë titujve që fitoi Barcelona në vetëm tre vite nën drejtimin e Guardiolas, i cili ishte pjesë e ekipit të Barcelonës që fitoi trofeun gati dy dekada më parë në stadiumin e vjetër Wembley.
Ai ka paralajmëruar ekipin e tij të jenë të vëmendshëm për finalen më 28 maj në Wembley.
“Shpresoj që futbollistët ta ndjejnë se mund të jetë finalja e tyre e fundit në Ligën e Kampionëve. Më 1992 ne menduam se nuk do të luajmë më kurrë në një finale të kupës evropiane. Dua që futbollistët e mi të ndihen njësoj. Nuk mund të humbin këtë rast. Jemi me fat që jemi në finale. E dimë se do të jetë vështirë, ndeshja më e vështirë e sezonit”, deklaroi Guardiola.