Më i mirë se ‘Ekipi i Ëndrrave’
Legjenda daneze Michael Laudrup beson se ekipi aktual i Barcelonës është më i mirë se skuadra e Johan Cruyffit. Laudrup luajti së bashku me futbollistë si Hristo Stoichkov dhe Ronald Koeman në ekipin e Barcelonës, që fitoi Kupën e Evropës më 1992 e që më pas u quajt ‘Ekipi i Ëndrrave’ për numrin e yjeve që kishte.
Mirëpo, derisa ekipi i tashëm lufton për një tjetër titull kontinental në finalen e Ligës së Kampionëve kundër Manchester Unitedit më 28 maj, Laudrup beson se ekipi që ka formuar trajneri Pep Guardiola është më i mirë se ai në të cilin luajti ai më 1992.
“Ekipi i Ëndrrave nuk ishte formuar me transferimin e katër prej 10 futbollistëve më të mirë në botë”, tha Laudrup për të përditshmen sportive spanjolle Marca.
“Ne ishim futbollistë të mirë dhe së bashku u bëmë ekip shumë i mirë. Skuadra e sotme ka më tepër kualitet individual dhe kjo ju ofron më tepër opsione”, shtoi ai.
Laudrup beson se kombinimi i aftësive të ekipit për të mbajtur posedimin e topit, si dhe aftësitë e tyre t’ia përcjellin futbollistëve që mund të bëjnë dëm, e bënë skuadrën e tashme të Barcelonës kaq të rrezikshme.
“Qarkullimi i topit është me rëndësi, por është i dobishëm vetëm nëse mund t’ia jepni dikujt që mund të bëjë dallimin”, theksoi ai. Laudrup nuk mendon se filozofia e Barcelonës varet nga shkëlqimi i yllit argjentinas Lionel Messi. Në fakt ai beson se ka kualitet të plotë në Nou Camp.
“Ky ekip ka Messin, i cili është më i miri në qarkullim, por ka edhe Iniestan, Pedron, Villan, Xavi dhe Alvesin”, vazhdoi ai. Megjithatë, Laudrup beson se struktura aktuale fituese në klub është ndërtuar nga heronjtë e vitit 1992, që instaluan filozofinë e futbollit të cilën e përcjell edhe ekipi i tashëm.
“Atë që bëri Ekipi i Ëndrrave ishte ndryshimi radikal i historisë së klubit dhe për këtë ky është një klub i veçantë. Cruyff definoi një filozofi dhe një stil se si duhej të luanim, lojë apozicionale, lloj i futbollistëve dhe profili i trajnerëve. Nëse Guardiola largohet, Puyol ose kushdo të tjerët do të vijnë dhe ky rrugëtim do të vazhdojë”, përfundoi ai.
Laudrup nuk është i huaj për ekipin aktual të Barcelonës, meqë është përballur kundër Guardiolës në rolin e tij si trajner i Mallorcas. Legjenda daneze kaloi pesë sezone në Nou Camp duke shënuar 49 gola në 167 paraqitje, edhe pse zgjoi zemërim te shumë tifozë të Barcelonës duke kaluar te rivali Real Madrid, pas mosmarrëveshjeve me Cruyff më 1994.