Derbi kuq e zi, për jetë a vdekje
Derbi i xhiros së 29-të i Superligës së Kosovës në futboll do të zhvillohet të dielën në kryeqytet, ku do të ballafaqohen dy skuadrat kuq e zi, Flamurtari dhe Vëllaznimi.
Të dyja këto ekipe gjenden në fund të tabelës dhe konsiderohen si tepër të rrezikuara për të rënë nga Superliga në fund të këtij edicioni.
Andaj, skuadra e cila ‘kikson’ në këtë sfidë shumë të rëndësishme do të shkonte edhe një hap përpara drejt Ligës së Parë.
Flamurtari aktualisht është në pozitën e parafundit të tabelës me 27 pikë, derisa Vëllaznimi me dy pikë më shumë gjendet në një pozitë më lart, por që çon në ndeshje barazhi.
Por, kuqezinjve nga Gjakova këtë pozicion do të përpiqen që me fitore t’ua rrëmbejnë të dielën kuqezinjtë nga Prishtina. Kështu thotë kryetrajneri i Flamurtarit, Abdyl Bellopoja, i cili thekson se për skuadrën e tij opsion i vetëm është fitorja.
“Kjo ndeshje është e rëndësisë ‘të jesh apo të mos jesh’. Është ndeshje shumë e rëndësishme, në të cilën ne objektiv të vetëm kemi fitoren. Jemi të vetëdijshëm për rëndësinë e këtij takimi, sepse nëse gabojmë do të rrëshqasim akoma më shumë drejt Ligës së Parë”, ka thënë trajneri i prishtinasve, i cili pohoi se e njeh mirë sfiduesin e radhës, Vëllaznimin, për të cilin thotë se i ka përgatitur djelmoshat e tij t’i kundërvihen.
Mirëpo, kryeqytetasit nuk do ta kenë aspak të lehtë ta arrijnë qëllimin, sepse gjakovarët me të gjitha forcat do të mundohen ta ruajnë pozicionin në të cilin gjenden. Madje, një gjë të tillë do të mund ta bënin edhe me një barazim eventual.
“Është një ndeshje me rëndësi për të dyja ekipet. Mirëpo, së pari pres një lojë korrekte në fushë, anim korrekt nga tifozët në tribuna por edhe referim të nivelit të kënaqshëm dhe rezultati të vjen nga ajo që ngjan në fushë. Normalisht, do të përpiqemi të fitojmë, por edhe barazimi do të ishte i mirëseardhur për ne, i cili do të na jepte gjasa të mëdha të mbesim në Superligë”, ka pohuar kryetrajneri i kuqezinjve nga Gjakova, Ajet Shosholli.
Përfundimisht ky takim pritet të jetë mjaftë dramatik, i cili me gjasë do të tuboj edhe shumë shikues.
Po të dielën zhvillohen edhe katër takime tjera të kësaj xhiroje. Lideri aktual, Hysi do të sfidohet në shtëpi të vet nga kampioni në fuqi, Trepça, derisa përcjellësi i parë i bardhezinjve, Prishtina do të ballafaqohet me KEK-un.
Superliga – xhiroja e 29-të
E diel
Trepça ’89 – Ballkani
Besa – Lira
Hysi – Trepça
Flamurtari – Vëllaznimi
Prishtina – KEK-u
Të gjitha ndeshjet fillojnë në orën 16:00