E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sekreti i suksesit

Qendërmbrojtësi i Manchester Unitedit, Rio Ferdinand thotë se vendimi i sulmuesit Wayne Rooney për të mbetur në Old Trafford ka udhëhequr ekipin drejt titullit rekord të 19-të në kampionatin anglez. Sipas tij, përforcimi i ri Javier Hernandez është dashur të zgjidhet futbollisti i vitit, ndërsa thekson se menaxheri Sir Alex Ferguson ende ka pasionin dhe motivimin e duhur të drejtojë skuadrën drejt sukseseve të reja. Nga Express më 22 maj 2011 në ora 11:50

Rio Ferdinand beson se vendimi i sulmuesit Wayne Rooney për të mbetur në Old Trafford ishte pika kthyese e sezonit rekord të Manchester Unitedit. Afër përfundimit të pjesës së parë të sezonit, Rooney paraqiti kërkesë për largim, duke përmendur mungesën e ambicieve të klubit si arsye për dëshirën e tij të braktisë Djajtë e Kuq.

Mirëpo, një ndryshim të papritur të skenarit, reprezentuesi anglez ndryshoi mendjen dhe nënshkroi kontratë të re me klubin, një ngjarje të cilën Ferdinand e përshkruan si faktor të rëndësishëm në rrugëtimin e ekipit drejt titullit rekord të 19-të në Premierligë këtë sezon.

“Qëndrimi i Rooneyt ishte ngjarje e rëndësishme në atë që arritëm këtë sezon”, tha Ferdinand për tabloidin anglez The Sun. “Ekzistonte një shenjë e lehtësimit te futbollistët, tifozët, të gjithë. Wayne është një prej sulmuesve më të mirë në botë, andaj ta kemi në ekip është bonus”, shtoi ai.

Ferdinand bëri të ditur se zhvilloi një bisedë private me Rooneyn, pas paraqitjes së kërkesës për largim nga ana e sulmuesit dhe beson se fjalët e tij kishin ndikuar në qëndrimin e bashkëlojtarit të tij në Old Trafford.

“Kam biseduar me të në javën kur ai mendonte për largim. I kam shpjeguar atë që mendoj se është më së miri për klubin dhe i kam treguar se dua që ai të mbetet. Nëse do të ishte larguar, do të linte një zbrazëtirë të madhe për të mbushur. Nuk them se do të kishte qenë e parealizueshme, sepse menaxheri Ferguson gjithmonë nxjerr diçka dhe ne i besojmë vlerësimeve të tij. Por, më tepër se çka do, qëndrimi i Rooney dërgoi një sinjal për secilin prej rivalëve tanë në Premierligë se fijet e shpresës që kishin për rënien tonë ishin larguar”, theksoi ai.

Derisa Rooney gjeti formën e mirë në fazën përfundimtare të sezonit dhe luajti rol të rëndësishëm në rrugë drejt titullit, partneri i tij sulmues Javier Hernandez ka gjetur rrjetën nga dita e parë e sezonit debutues të tij në United. Ferdinand beson se ylli meksikan është dashur të shpërblehet me çmime individuale për kontributin e tij këtë sezon. “Nëse do të kishim votuar sot, jam i sigurt se Chicharito (Hernandez) do të fitonte çmimin e futbollistit të vitit, meqë ka shënuar shumë gola të rëndësishëm”, vazhdoi ish qendërmbrojtësi i Leeds United.

Derisa Ferdinand, Rooney dhe Hernandez dhanë paraqitje të mira në fushë, ishte Sir Alex Ferguson ai që udhëhoqi ekipin drejt titullit rekord. Dhe Ferdinand beson se është pasioni ai që udhëheq Fergusonin, pavarësisht moshës së tij 69 vjeç.

“Zjarri ende djeg, kjo shihet çdo ditë. Ju mund ta vëreni nga detajet në të cilat hyn ai në bisedat para ndeshjeve, xhirimet me stafin dhe hulumtimin që bëjnë, ju nuk mund t’i bëni të gjitha këto pa pasur dëshirën dhe urinë që ka ai. Në fakt ai hyn në më tepër detaje tani se që bënte kur erdha në klub nëntë vite më parë”, përfundoi Ferdinand, i cili me bashkëlojtarët e tij do të synojë të përfundojë sezonin me fitore ndaj Barcelonës në finalen e Ligës së Kampionëve në Wembley, më 28 maj.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›