E Shtunë, 31 Tetor 2026

Financat: Fillimi i procedurave te falimentimit, procedure ligjore



Ervin KOÇI

Polemikat e ditëve të fundit mes disa kompanive private dhe Administratës Tatimore mbi çështjen e procedurave të falimentimit, detyruan dje Ministrinë e Financave që të ndërhyjë për të qartësuar situatën. Përmes një deklarate për shtyp Ministria e Financave ka sqaruar qëndrimin e saj mbi shqetësimin e disa bizneseve rreth masave që po ndërmerr administrata tatimore që lidhen me depozitimin në gjykatë të kërkesave për fillimin e procedurave të falimentimit të tyre. Sipas deklaratës, fillimi i procedurave të falimentimit është kërkesë ligjore dhe zbatohet për të gjitha subjektet që kanë kaluar në statusin pasiv të QKR-së për një periudhë prej 2 vjetësh. Por ai shtrihet dhe për ato subjekte, detyrimi tatimor i të cilave është deklaruar i pambledhshëm, pasi janë përfunduar të gjitha procedurat e parashikuara nga ligji tatimor procedural si dhe për subjektet, që nuk kanë kryer veprimtari tregtare apo nuk kanë shlyer detyrimet ndaj administratës tatimore për një periudhë prej të paktën 2 vitesh nga hyrja në fuqi e ligjit "Për procedurat tatimore". Lidhur me pikën për nisjen e procedurave të falimentimit për subjektet që kanë deklaruar rezultat me humbje të kapitaleve për periudha prej të paktën 3 vite rresht, ajo bëhet paralelisht me zbatimin e dispozitave të ligjit për falimentin, që parashikon dhe verifikimin e gjendjes së paaftësisë paguese, si parakusht. "Ministria e Financave inkurajon administratën tatimore në këtë veprim të sajin, plotësisht në përputhje me ligjin dhe ka bindjen në një proces verifikimi të drejtë dhe të ndershëm nga gjykatat shqiptare", thuhet në deklaratën e Ministrisë së Financave. Sipas këtij dikasteri, në gjykatë gjithkush do të ketë mundësinë të provojë me prova dokumentare se nuk ndodhet në kushtet e paaftësisë paguese, duke garantuar kështu edhe pagimin e tatimeve të ardhshme.

Skema

Tatimet parashikojnë të nxjerrin në sipërfaqe një numër të madh biznesesh, që rrezikojnë të falimentojnë. Kreu i Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, Artur Papajani, sqaron në lidhje me këtë çështje, se gjatë gjithë muajit shtator do të evidentohen nga drejtoritë rajonale të gjithë bizneset që rezultojnë me bilance negative tre vitet e fundit. “Kjo është periudha kur ndihen edhe efektet e ligjit të gjobave, gjashtë muaj pas dorëzimit të bilanceve nga bizneset. Deri në 30 shtator, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve parashikon të publikojë në vijim bizneset që rrezikojnë falimentimin për shkak të bilanceve negative dhe rezultateve me humbje”, sqaroi Papajani. Sipas tij, tatimet mbledhin informacione në bazë të bilanceve të dorëzuara gjashtë muaj më parë nga drejtoritë rajonale dhe duke u mbështetur te këto të dhëna. Më pas tatimet i drejtojnë subjektet sipas ligjit në gjykatë. “Të gjitha masat merren në gjykatë, pasi tatimet nuk kanë të drejtë të ushtrojnë masa administrative mbi këto biznese”,- u shpreh drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve. Gjithashtu, ai sqaroi se bizneset e radhitur në listën e zezë të falimentimit nuk janë absolutisht të destinuar që të falimentojnë, pasi gjatë procedurave gjyqësore, bizneset mund të deklarojnë fakte në favor të tyre. Krahas bizneseve VIP, ka edhe një sërë biznesesh të tjera që preken nga ligji i falimentit.

Detyra e tatimeve

Administrata tatimore në juridiksionin e së cilës është regjistruar tatimpaguesi, ose administrata tatimore në juridiksionin e së cilës ushtrohet veprimtaria ekonomike e tatimpaguesit dhe në favor të së cilës paguhen detyrimet tatimore prej tatimpaguesit, ka detyrimin të kërkojë në gjykatën kompetente fillimin e procedurave të falimentimit. Sipas udhëzimit të Ministrisë së Financave, të gjithë ata tatimpagues ndaj të cilëve administrata tatimore ka kërkuar fillimin e një procedure falimentimi, duhet të jenë të publikuar prej saj në faqen zyrtare të DPT-së informacionet përkatëse. Për këtë qëllim, zyra tatimore, drejtoria rajonale, e cila ka kërkuar në gjykatë fillimin e një procedure falimentimi, është e detyruar që të dërgojë në DPT-ë një informacion për subjektin tatimpagues, ndaj të cilit ajo ka kërkuar fillimin e një procedure falimentimi. Informacioni duhet të përmbajë emrin e shoqërisë tregtare, si dhe emërtimin e saj të shkurtuar, NIPT-in, adresën e selisë së regjistruar, emrin e administratorit apo të administratorëve të shoqërisë, si dhe datën dhe numrin e regjistrimit të kërkesës në gjykatë dhe gjykatën ku është depozituar kërkesa për fillimin e procedurës së falimentimit. Në rastet e hedhjes së të dhënave gabim, administrata tatimore është detyruar të korrigjojë menjëherë listën e publikimeve sipas kësaj pike, si dhe të vërë shënimin në faqen e saj për arsyen e heqjes së publikimit.

Kushtet e falimentimit

a) 2 vjet pas kalimit në statusin pasiv nga Qendra Kombëtare e Regjistrimit;

b) detyrimi tatimor i të cilëve është deklaruar i pambledhshëm;

c) që deklarojnë rezultat me humbje të kapitaleve të veta për të paktën 3 vite rresht;

ç) nuk kanë kryer veprimtari tregtare për një periudhë prej të paktën 2 vitesh nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji;

d) kanë detyrime të pashlyera ndaj administratës tatimore prej të paktën 2 vitesh nga data e hyrjes në fuqi e këtij ligji.

4 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›