Arbën Xhaferri: “Ideja ime për projektin e bashkëpunimit mes shqiptarëve”
Flet mendimtari dhe politologu i njohur për marrëdhëniet mes shqiptarëve në të gjitha trevat
Fill pas debateve që lindën nga një deklaratë e kryeministrit Berisha për bashkëpunimin e shqiptarëve të Shqipërisë dhe Kosovës dhe pas reagimeve që erdhën nga Beogradi, politologu dhe mendimtari i njohur, Arbën Xhaferri, ka hedhur një tezë të tijën për mënyrën se si mund të realizohet ky ndërveprim. “Më duket se ka ardhur koha që të korrigjojnë këto pasoja përmes standardeve, konventave ekzistuese që nuk mund të parandalojnë një popull të gjejë forma që mundësojnë bashkëpunimin mbi interesa të përbashkëta, si, bie fjala, projekti i Komonuelthit, Frankofonisë, Unionit Mesdhetar dhe një varg lidhjesh të ngritura mbi interesat ekonomike, kulturore etj.”, - thotë Xhaferri në një intervistë ekskluzive të dhënë për gazetën “Albania”. Ai ka komentuar rolin e Tiranës zyrtare për mbrojtjen e bashkëkombësve të saj në rajon, duke pohuar se “askush sot nuk mund ta akuzojë Shqipërinë për paternalizëm, përkundrazi, kërkojnë prej saj që t’i qetësojë shqiptarët që jetojnë jashtë kufijve të saj”. Së fundi, ish-kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare në Maqedoni ka deklaruar në mënyrë të prerë se Marrëveshja e Ohrit e ka përfunduar misionin e saj disa vjet më parë dhe se shqiptarët duhet të negociojnë një marrëveshje të re me maqedonasit.
Javët e fundit ka pasur shumë vizita të udhëheqësve shqiptarë të Maqedonisë dhe Kosovës në Tiranë. Madje, mediat apo partitë politike po e trajtojnë si një lëvizje të Tiranës zyrtare, e veçanërisht të zotit Berisha për të koordinuar veprimet me faktorin shqiptar në rajon. Ashtu siç ka edhe konstatime se Berisha po fut hundët në punët e shqiptarëve të atjeshëm. Ju mendoni se janë çoka liderësh shqiptarë, apo diçka më tepër?
Është shumë vështirë që të jepet një përgjigje e saktë për këtë pyetje ngaqë mungojnë informatat e tërësishme për çdo takim, veç e veç. Për mua, çdo takim ndërmjet partive politike, në çfarëdo niveli dhe intensiteti qofshin ato, nga aspekti demokratik, është metodë normale e veprimit, dhe jo vetëm kaq. Në këtë kohë të ndryshimeve rrënjësore në planin social-historik, takime të këtilla jo vetëm që nuk janë të jashtëzakonshme, por normale dhe të domosdoshme. Takime të këtilla janë pasojë e fragmentarizimit të habitusit mijëvjeçar të shqiptarëve; përkatësisht, të kapaciteteve të tyre njerëzore, ekonomike, financiare, kulturore, politike, ushtarake etj. Po të mos imponohej nga jashtë kjo shkërmoqje e organizmit shqiptar, nuk do të shfaqej as motivi për vizita të këtilla të ndërsjella. Takimet e përfaqësuesve të partive politike që veprojnë jashtë Shqipërisë me kryeministrin Berisha janë në kuadër të një tradite, të një parimi të pashkruar që takimet të zhvillohen me institucionet ekzekutive, dhe jo me gjithë spektrin politik. Në këtë mënyrë evitohet hatërmbetja eventuale e përfaqësuesve të partive të ndryshme politike që japin kontributin e tyre të çmueshëm në procesin e tranzicionit. Nëse ka diçka të kontestueshme në këtë mes, atë e gjej te motivet, bie fjala, z. Menduh Thaçi kishte motiv të arsyeshëm që të takohej me kryeministrin aktual të Shqipërisë, z. Berisha, për ta informuar atë lidhur me dështimin definitiv të Marrëveshjes së Ohrit, si dhe për nevojën e arritjes së një marrëveshjeje të re, që marrëdhëniet e ndërsjella etnike në Maqedoni do t’i rregullonte në mënyrë më të saktë dhe më të detyrueshme. PDSH-ja doli me një platformë se si mund të zgjidhet kjo çështje shqetësuese që, sipas të gjitha gjasave, i brengos të gjithë shqiptarët. Në vend që t’i bashkohet kësaj nisme fisnike, z. Ahmeti zgjodhi rrugën e kontestimit të kësaj. Madje mori përsipër detyrën që t’i bindë institucionet ndërkombëtare (vizita e tij në Bruksel) dhe ato kombëtare në Shqipëri dhe Kosovë që të mos e përkrahin iniciativën e PDSH-së se u bëka fjalë për marketing politik. Kjo fjali dëshmon se atyre që kontestojnë çdo ide, kryesisht vend e pa vend, u mungojnë informatat themelore për misionin e politikës në shoqëritë e ndryshme: Në të gjitha shoqëritë moderne demokratike, partitë politike bëjnë marketing politik, ato fetare marketing fetar, ato kulturore marketing, ose shquarjen e interesit të tyre të veçantë.
Sa i përket z. Berisha, nuk besoj se vetë i nxit këto iniciativa, ngaqë do të humbte përfundimisht mbështetjen e faktorit ndërkombëtar. Si politikan, tashmë i regjur, ai e di fort mirë ku gjendet vija e kuqe dhe atë ai nuk guxon ta kapërcejë.
Mendoj se kjo çështje duhet shikuar si pasojë e fragmentarizmit të kauzës shqiptare, dhe jo si derivat i vetive komplotiste të liderëve politikë shqiptarë...
Shqipëria ka statusin e vendit amë për shqiptarët dhe klasën politike në Kosovë e Maqedoni. Si e ka luajtur gjatë gjithë këtyre viteve rolin e saj prej “prindi” për mbrojtjen e interesave të shqiptarëve të Kosovës e të Maqedonisë? A ka bërë sa duhet? Apo sa mundet? A e ka peshën e saj politike e gjeopolitike?
Konstelacioni gjeostrategjik, gjeopolitik nuk krijohet vetëm e vetëm me pozicionin gjeografik të një shteti. Ekzistojnë shtete që s’kanë pozicion të rëndësishëm gjeografik, por kanë ndikim të madh politik, ekonomik etj. Këto shtete handikapin gjeografik e shndërrojnë në përparësi, falë faktorit njeri, falë premisave tjera qytetëruese, kulturore etj. Këta faktorë duhet të merren parasysh kur flitet për çështjet, siç janë interesat kombëtare dhe roli i shtetit amë në këtë segment. Populli shqiptar nuk është i vetmuar vetëm në segmentin etnik, por edhe nga aspekti politik ka qenë i izoluar; ose thënë më mirë, vetizoluar në emër të disa dogmave të pakuptimta, të panevojshme dhe kryekëput të dëmshme. Shqipëria, e vetmuar, e vetizoluar, shikuar realisht, s’ka pasur kapacitete politike, gjeopolitike, ekonomike, ushtarake etj., që t’u dalë zot jo vetëm shqiptarëve përreth saj, por ka pasur telashe edhe të brendshme. Kundër saj kanë vepruar vazhdimisht shtetet fqinjë që, si langonjtë para mishtores, prisnin momentin për të ndërhyrë në punët e brendshme të saj. Ajo, si vend amë i gjithë shqiptarëve, së pari, është dashur që ta mbrojë vetveten, pastaj të merret seriozisht me kauzën shqiptare përreth.
Shqiptarët e viseve shumë shpejt e kuptuan këtë dhe filluan të vetëmbrohen pa pritur instruksionet nga qendra, ngaqë ajo nuk funksiononte, ashtu siç e kërkonte serioziteti i momentit historik. Kjo situatë përfundoi me pjekurinë politike të shqiptarëve të viseve. Kjo është një risi inkurajuese që dha dhe do të japë vazhdimisht fryte. Së këndejmi askush sot nuk mund ta akuzojë Shqipërinë për paternalizëm, përkundrazi, kërkojnë prej saj që t’i qetësojë shqiptarët që jetojnë jashtë kufijve të saj.
Gjatë procesit të shthurjes së Jugosllavisë ndodhi një fenomen i çuditshëm: Serbët si popull, politikisht dhe ushtarakisht më i organizuari se të tjerët, e instaluan qendrën e vendosjes në Beograd. Në mbledhjen e Dejtonit, serbët e Bosnjës u përfaqësuan nga Beogradi: Millosheviçi negocionte për interesa të serbëve të Bosnjës. Për ta ishte krejtësisht normale që Beogradi të vendosë për interesin e tyre, kudo që ndodheshin ata, brenda ose jashtë Serbisë. Ky centralizëm ndikoi që serbët që jetonin jashtë Serbisë të jenë të varur tërësisht nga qendra e tyre; përkatësisht nga figura qendrore politike, nga oborri “mbretëror” i Millosheviçit. Ata nuk arritën të piqen politikisht, kështu që edhe ushtarakisht mbetën të paardhur. Zonat serbe në Kroacinë e sotme u dorëzuan brenda 2-3 ditëve, ndonëse ata kishin në dispozicion armatimin më cilësor të armatës së dikurshme jugosllave; si, bie fjala, aeroplanë, helikopterë, tanke, sisteme raketore etj. Gjithë ky potencial, për shkak të papjekurisë së tyre politike, nuk u shndërrua në përparësi, por më shumë u krijoi telashe. Armata e sapokrijuar kroate dëshmoi se serbët, armata e tyre e sajuar nga kriminelë të llojeve të ndryshme, nuk është e zonja të luftojë kundër një armate tjetër; ashtu siç, me plot vetëbesim, luftonte kundër popullatës së paarmatosur civile. Tërësisht ndryshe u zhvillua procesi në Kosovë dhe viset tjera. Shqiptarët e panë shumë qartë dhe shumë herët se nga Shqipëria nuk mund të vijë mbështetja, ashtu siç e kërkonte momenti historik. Vetë ata vendosën mënyrën dhe momentin se si të kundërvihen. Madje, vendimmarrja, shpeshherë është marrë në nivel kapilar. Të gjitha takimet e përfaqësuesve shqiptarë të të dyja anëve të kufirit kanë qenë të natyrës ceremoniale dhe simbolike. Kjo ishte normale nëse analizohet seriozisht fenomeni i vetmisë dhe i izolimit. Flas për dimensionin politik të kësaj çështjeje. Ndërkaq, në segmentin kapilar ky bashkëpunim ishte intensiv, vëllazëror dhe efektiv. Shqipëria në planin shtetëror i kishte duart e lidhura, por në segmentet tjera ajo dha kontributin e madh dhe efektiv.
Vlerësuar nga aspekti historik, raportet serbo-shqiptare, përkatësisht, ndërmjet konceptit centralist dhe atij kapilar, betejën e fitoi i dyti, meqë arriti t’i aktivizojë të gjitha resurset kombëtare. Një analist serb për çështje ushtarake, Mirosllav Lazanski, konstatoi se serbët e humbën Kosovën për shkak se ata nuk deshën të vdisnin për Kosovën. Ndërkaq, të gjithë shqiptarët, brenda dhe jashtë Kosovës, ishin të gatshëm të flijohen për të. Konstatim ky katërcipërisht i saktë.
Në Kosovë është përfolur për krijimin e një aleance të partive të djathta mbarëshqiptare, të koordinuar nga zoti Berisha. A mendoni se ka ardhur koha që spektri i djathtë të lëvizë?
Kohën e bën njeriu. Është vështirë që për një veprim të jashtëzakonshëm politik të caktohet se kur është i favorshëm momenti dhe kur nuk është. Të gjitha përçarjet politike në Kosovën e robëruar kishin këtë pretekst: Disa thoshin se nuk është momenti për kryengritje dhe këtë vlerësim e jepnin duke e bindur opinionin se ata janë të përgjegjshëm, se nuk janë aventuristë, se nuk do të lejojnë që disa romantikë ta marrin në qafë popullin, ndërkaq oponentët e tyre i kritikonin ata se nuk kanë kapacitete morale dhe politike për vendimmarrje; se janë frikacakë demagogë që paaftësinë e tyre e fshehin prapa një retorikë racionale. Edhe në këtë segment të vendimmarrjes dallohen majtistët nga djathtistët. Nga aspekti historik, të djathtët më lehtë marrin vendimin, qoftë për luftë, qoftë për paqe. Hëpërhë nuk ekziston një përkufizim i saktë për doktrinat politike, të majta apo të djathta. Në vend të përkufizimit ofrohet një katalog vetish: të djathtët janë konservativë, tradicionalistë, religjiozë, patriotë, ndërmarrës, individualistë, baza votuese e tyre është zakonisht fshati, bastioni i fundit i traditës. Ndërkaq, të majtët mëshirëplotë për shtresat ulëta të popullsisë, të paracaktuar për barazi, për liri nga zgjedha të çfarëdo lloji, për solidarizim me skamnorët, për humanizëm, kozmopolitizëm, shekullarizim etj. Pas humbjeve dramatike në zgjedhje, humbësi, zakonisht, në emër të reformave, heq embargon për huazime të disa vlerave të oponentëve. Pas dështimit të fashizmit (të nazizmit) e djathta huazoi nga e majta konceptet për liri, barazi etj. Po ashtu, pas shembjes së sistemeve komuniste të viteve ‘90 e majta huazoi vlerat kryesore të së djathtës; besimin në Zot, pluralizmin, lirinë e fjalës etj. Të gjitha këto krijojnë një konfuzion lidhur me përkatësinë ideologjike të partive politike, jo vetëm në hapësirat shqiptare, por, thuajse në të gjitha shoqëritë që rishtas janë demokratizuar.
Ndarja e doktrinave, në të djathta dhe të majta, ka ndodhur rastësisht, gjatë revolucionit francez, kur monarkia u zëvendësua me republikë, me sistemin parlamentar. Në anën e djathtë, vlerësuar sipas pozicionit të drejtuesit të seancave, rastësisht kanë qenë të ulur monarkistët (djathtistët), ndërkaq, në anën e majtë, republikanët, antimonarkistët. Mirëpo, kjo dikotomi që gjithnjë e më shumë po zhvillohet, nuk mund të zhvillohej e nxitur nga një rastësi, por ajo ushqehet nga nevoja e njeriut për oponencë, për të kontestuar diçka pa marrë parasysh a e kupton atë. Në sistemet perëndimore demokratike, orientimet e djathta dhe të majta nuk janë gjithaq të rëndësishme sesa respektimi i procedurës që është paraparë me ligj.
Ndërkaq, në Maqedoni, zoti Thaçi po artikulon disa fraza politike që të lënë të kuptohet se i është kërkuar Shqipërisë që të vendosë kushte ndaj Shkupit zyrtar nëse nuk respekton të drejtat e shqiptarëve etnikë. Madje, po flitet edhe për veto të saj në lidhje me integrimin e Maqedonisë në NATO. Aktualisht, çfarë mund të bëjë më mirë Shqipëria në interes të shqiptarëve të Maqedonisë?
Unë e mbështes analizën që buron nga parimi i dyshimit, të vlerësimit negativ apo pozitiv. Mirëpo, jam po ashtu që në kuadër të një kritike, të ruhen vlerat elementare, ose, siç thotë populli, “duke rregulluar vetullën të mos nxirret syri”. Tashmë është plotësisht e qartë se përfaqësuesit maqedonas të Maqedonisë nuk janë të gatshëm të bëjnë reforma dhe kompromis për bashkëjetesë. Ata, me nacionalizmin e tyre, kanë kontaminuar hapësirën politike, kështu që është bërë shumë vështirë që të arrihet suksesi. Marrëveshja e Ohrit është modifikuar tërësisht, veçmas në segmentet më të rëndësishme për shqiptarët, siç është përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe, decentralizimi, ndarja territoriale, përfaqësimi adekuat, respektimi i ligjit për amnisti etj. Këto modifikime u bënë brenda institucioneve të sistemit. Faktori ndërkombëtar i di të gjitha këto, sidomos faktin se Marrëveshja e Ohrit është dashur të realizohej deri në vitin 2004. Mirëpo, as nuk u realizua dhe as nuk u ruajt origjinaliteti i saj. Duke i ditur të gjitha këto, faktori ndërkombëtar ende flet për implementimin e asaj që është implementuar gabimisht. Kjo sjellje e garantuesit të implementimit të njëmendë të Marrëveshjes së Ohrit, pra faktorit ndërkombëtar, më duket cinik. E kuptoj hezitimin e tyre që të mos ofrojnë elemente për një triumfalizëm politik të shqiptarëve, të cilët një kohë të gjatë sinjalizojnë se Marrëveshja kornizë e Ohrit ka mbetur vetëm një kornizë. Të gjithë këtë e dinë dhe sillen se çdo gjë është normale. Kjo më duket jonormale dhe fyese për të gjithë ne. Nga ana tjetër, anëtarësimi në NATO është një relacion i dyanshëm; kjo, në vete, ngërthen formulën “Win-win”, e cila nënkupton fitoren e dyfishtë, fiton edhe NATO-ja, edhe Shqipëria. Hyrja në NATO nënkupton dëshirën e një populli që t’i takojë këtij sistemi jo vetëm të sigurisë globale, por edhe vlerave qytetëruese në përgjithësi. Përmbushja e kritereve është një rrugë e mundimshme për çdo shtet dhe shoqëri. Shqipëria, me impenjime serioze, i përmbushi këto kritere, por jo vetëm që t’i shërbejë NATO-s, por edhe të përfitojë nga ky sistem kompleks i sigurisë ushtarake, politike dhe i sistemit të vlerave në përgjithësi. Të gjitha kërkesat ndaj Shqipërisë u përmbushën me vullnet të skajshëm. Tashti Maqedonia e ka radhën dhe ajo duhet, për sigurinë dhe interesin e saj, që të tregohet kooperative dhe t’i përmbushë obligimet e saj. Mirëpo, Maqedonia, për ato që nga brenda e njohin politikën e këtij shteti, vazhdon ta luajë rolin e viktimës që rrezikohet nga fqinjët e saj, përfshirë këtu edhe Shqipërinë. Duke krijuar probleme absurde ajo pretendon që të hyjë në NATO pa i plotësuar kriteret dhe kërkesat.
Pra hyrja në NATO obligon një shtet që t’i respektojë standardet e kësaj organizate, por edhe i ofron të drejta që lirisht mund të zbatohen. Shqipëria ka një kulturë të gjatë diplomatike dhe me siguri do të gjejë rrugën sesi të problematizojë këtë çështje.
Lidhur me Maqedoninë, marrë në tërësi, shqiptarët kanë dhënë kontributin e tyre të pamohueshëm për konsolidimin shtetëror të saj. Këto janë fakte të pamohueshme. Tani e tutje çdo relacion me këtë shtet duhet të vendoset duke marrë parasysh faktin e mosimplementimit të Marrëveshjes së Ohrit, e cila, në vend që ta avancojë pozitën e shqiptarëve në sistem, është shndërruar në një instrument mashtrimi që shërben, paradoksalisht, për ngritjen e rejtingut të këtij shteti në arenën ndërkombëtare. Duhet të kemi një formulë të përbashkët për demaskim të kësaj qeverie.
Zoti Xhaferri, me sa di, keni qenë vazhdimisht pro idesë për krijimin e një lëvizjeje politike mbarëshqiptare, me qendër në Tiranë. Në mos gaboj, është diskutuar një herë në kohën kur ishte e majta në pushtet. A mendoni se ka ardhur koha që të ketë një lëvizje të koordinuara, nën “kujdestarinë” e Tiranës zyrtare? Si mund të funksionojë dhe a do të jetë efikase për arritjen me sukses të problemeve që kemi sot?
Së pari, nuk jam i prirë që raportin e shtetit shqiptar ndaj çështjes shqiptare jashtë kufijve të shtetit amë të ndaj në të djathtë dhe të majtë. Secili krah ka dhënë kontributin e vet në këtë drejtim. Unë, jo për shkak të ndonjë interesi, vazhdoj të mendoj se vetëm shtetet, formacionet shoqërore që kanë kohezion të brendshëm, ku qytetarët shfaqin luajalitet ndaj elementit koheziv (etnik, fetar, gjuhësor etj.), mund të llogarisin një perspektivë të sigurt. Aty ku s’ka lojalitet ndaj shtetit, dalin në sipërfaqe faktorët destabilizues që rrënojnë çdo vlerë të përbashkët.
Të gjitha idetë që dalin nga laboratorët politikë shqiptarë janë legjitime: ato janë në funksion të korrigjimit, të zbutjes së pasojave që u shkaktuan nga fragmentarizimi i vazhdueshëm i territorit dhe i popullit shqiptar në përgjithësi. Këto pasoja janë konkrete dhe vazhdimisht parandalojnë frymëmarrjen e plotë të kombit shqiptar në përgjithësi. Kjo nuk është një floskulë patriotike, por një realitet i ri që e molis kapacitetin real të popullit shqiptar. Duke u nisur nga ky konstatim, më duket se ka ardhur koha që të korrigjojnë këto pasoja përmes standardeve, konventave ekzistuese që nuk mund të parandalojnë një popull të gjejë forma që mundësojnë bashkëpunimin mbi interesa të përbashkëta, si bie fjala projekti i Komonuelthit, Frankofonisë, Unionit Mesdhetar dhe një varg lidhjesh të ngritura mbi interesat ekonomike, kulturore etj.
Ne nuk mund të mbajmë hapin me të tjerët nëse nuk i shfrytëzojmë të gjitha kapacitet që i posedon populli shqiptar, kudo qoftë ai. Kryesorja është intenca për interes të përbashkët, pastaj rrugët mund të gjenden shumë lehtë. Moraliteti i kësaj politike është në anën tonë. Të gjithë ata të dëshirojnë të ngufasin zhvillimin e popullit shqiptar do të duhet t’i rishqyrtojnë parimet morale në politikë.
Sa e dëmtojnë çështjen e Kosovës dhe përfundimin e procesit te njohjes se saj iniciativa apo projekte të karakterit mbarëshqiptar në rajon, si ato që u artikuluan konkretisht nga Berisha?
Nacionalizmi intensiv, i vazhdueshëm, sidomos greko-serb, shpifjet nga më të pamoralshmet, organizimi i komploteve brenda territorit të Shqipërisë, propaganda e hapur armiqësore ka ndikuar që faktori politik shqiptar, sidomos në Shqipëri, ta censurojë veten; të zbatojë një politikë defanzive, e cila fare nuk përputhet me realitetin. Bie fjala, serbët e Serbisë gjithmonë haptazi i kanë dhe tani i instrumentalizojnë serbët e Kroacisë, Bosnjë-Hercegovinës, Maqedonisë, Kosovës, Malit të Zi për interesat e tyre shtetërore; ashtu si qeveria greke shqiptarët greqishtfolës, por, për këto ndërhyrje primitive askush nuk e çan kokën. Sikur Shqipëria t’i kishte nxitur shqiptarët e Kosovës, Maqedonisë, të Luginës së Preshevës, të Malit të Zi, pastaj të Greqisë, pse jo, mendoj se paqja për Europën Juglindore do të ishte një fiksion. Ose Serbia, me një traditë më të gjatë të organizimit të sistemit shëndetësor, me klinika të specializuara për transplantim të organeve, e akuzon Shqipërinë se në kreshtat e maleve të saj, në Veri, paska organizuar biznesin me organe njerëzore. E veçanta e këtyre akuzave zbulohet te metoda e ndërtimit të fajit: Unë do të të akuzoj pa ofruar argumente, pastaj t’i gjej argumente se je i pafajshëm. Propagandat e këtilla, skajshmërisht armiqësore, megjithatë, kanë arritur që në kokat tona të mbjellin fajësinë, përkatësisht ndrojtjen nga artikulimi normal demokratik i çështjes shqiptare. Atë nuk mund ta dëmtojnë shpifjet e këtilla vulgare, por mosrespektimi i standardeve europiane në fushën e zbatimit korrekt të ligjit, të parimeve të shekullarizimit, të lirisë së fjalës, të parandalimit të krimit të organizuar, të tregtisë me qenie njerëzore etj. Nëse çështja shqiptare do të analizohet mirëfilli do të shihet se shqiptarët janë orientuar për një artikulim të butë të interesave të tyre. Të gjithë fqinjët e saj, duke filluar prej Maqedonisë së brishtë, Greqisë, që ka vënë në zap të drejtën mbi vlerat antike dhe bizantine, Malit të Zi që ëndërron të jetë një qendër e re e sistemit të kazinove, ku do të vijnë klientë të pasur nga shtetet arabe dhe Rusia, kanë artikulim shumë më rigid të interesit të tyre sesa Shqipëria.
Gjatë gjithë kohës së angazhimit tim aktiv politik, askush nga drejtuesit e shtetit, as z. Berisha, as z. Nano dhe as z. Rama nuk kanë kërkuar që të angazhohem në punë që mund të karakterizohen si destabilizim i ndonjë shteti që është fqinji i Shqipërisë. Më duket se problemet me të cilat ballafaqohet Kosova, krijimi i pengesave në funksionimin e saj si shtet i pavarur, destabilizohet Shqipëria dhe jo e kundërta. Shqipëria nuk e destabilizon Kosovën, por moszgjidhja optimale e çështjes së Kosovës, i të drejtave imanente të shqiptarëve të Maqedonisë, të Luginës së Preshevës, të Malit të Zi, probleme këto që vazhdimisht e destabilizojnë Shqipërinë duke bllokuar një pjesë të madhe të kapaciteteve të saja.
Në Maqedoni, sapo u mbushën 8 vjet nga Marrëveshja e Ohrit. Pikërisht, në këtë periudhë, PDSH-ja bojkotoi Kuvendin, ndërsa një akt i dhunshëm ndodhi në një zonë shqiptarësh në Shkup. Mos ndoshta duhet riparë Marrëveshja e Ohrit, në thelbin e saj, apo duhet ngulmuar fort në zbatimin e përpiktë të saj nga partitë kryesore politike, e veçanërisht nga maxhoranca qeverisëse?
Edhe me këtë rast kemi të bëjmë me pasojat e një problemi që ka projektuar vetë qeveria e Maqedonisë, ose thënë ndryshe, qarqet e hirta të vendosjes në këtë shtet. Nëse një marrëveshje politike, sikurse kjo e Ohrit, që luajti rolin e gjeneratorit të paqes, para syve të opinionit të brendshëm dhe atij të jashtëm, brutalisht modifikohet, duke i humbur njëkohësisht vetitë kryesore që sollën paqen, nëse merret parasysh se institucionet e shtetit vetë janë shndërruar në gjeneratorë të krizës, nëse këto pohime janë të sakta, atëherë, vetvetiu shtrohet pyetja e kuptimësisë së pjesëmarrjes së subjektit politik shqiptar në këtë institucion që e prodhon: Madje, segregimin mbi baza nacionale. Bie fjala, para disa muajsh Kuvendi i Maqedonisë solli ligjin që e stimulon natalitetin e popullatës maqedonase dhe e destimulon atë të popujve të tjerë, kryesisht të shqiptarëve. Fajin për këto ecejake joproduktive kanë një sërë faktorësh, kryesisht konceptet anakronike të partisë më të madhe maqedonase që e qeveris këtë shtet, pastaj pozita inferiore e subjektit politik shqiptar në qeveri, si dhe roli oportunist i faktorit ndërkombëtar që me heshtjen e tyre synon të mos trimërojë asnjërën nga palët e interesuara, por që realisht e stimulon nacionalizmin, sa agresiv po aq edhe komik të maqedonasve...
Marrëveshjet që nuk respektohen vetvetiu hapin shtegun për zgjidhje sa më efikase të problemit. Të paktën kështu na mëson historia.
Për takimin Berisha-Menduh Thaçi
Z. Menduh Thaçi kishte motiv të arsyeshëm që të takohej me kryeministrin aktual të Shqipërisë, z. Berisha, për ta informuar atë lidhur me dështimin definitiv të Marrëveshjes së Ohrit, si dhe për nevojën e arritjes së një marrëveshjeje të re, që marrëdhëniet e ndërsjella etnike në Maqedoni do t’i rregullonte në mënyrë më të saktë dhe më të detyrueshme
Paternalizimi i Shqipërisë
Kjo situatë përfundoi me pjekurinë politike të shqiptarëve të viseve. Kjo është një risi inkurajuese që dha dhe do të japë vazhdimisht fryte. Së këndejmi, askush sot nuk mund ta akuzojë Shqipërinë për paternalizëm, përkundrazi, kërkojnë prej saj që t’i qetësojë shqiptarët që jetojnë jashtë kufijve të saj
Marrëveshja e Ohrit
Faktori ndërkombëtar ende flet për implementimin e asaj që është implementuar gabimisht. Kjo sjellje e garantuesit të implementimit të njëmendtë të Marrëveshjes së Ohrit, pra faktorit ndërkombëtar, më duket cinik. E kuptoj hezitimin e tyre që të mos ofrojnë elemente për një triumfalizëm politik të shqiptarëve, të cilët për një kohë të gjatë sinjalizojnë se Marrëveshja kornizë e Ohrit ka mbetur vetëm një kornizë
Bashkëpunimi mes shqiptarëve
Më duket se ka ardhur koha që t’i korrigjojnë këto pasoja përmes standardeve, konventave ekzistuese që nuk mund të parandalojnë një popull të gjejë forma që mundësojnë bashkëpunimin mbi interesa të përbashkëta, si, bie fjala, projekti i komonuelthit, Frankofonisë, Unionit Mesdhetar dhe një varg lidhjesh të ngritura mbi interesat ekonomike, kulturore etj.
Shqipëria dhe shqiptarët finjë
Nga problemet me të cilat ballafaqohet Kosova, krijimi i pengesave në funksionimin e saj si shtet i pavarur, destabilizohet Shqipëria, dhe jo e kundërta. Shqipëria nuk e destabilizon Kosovën, por moszgjidhja optimale e çështjes së Kosovës, i të drejtave imanente të shqiptarëve të Maqedonisë, të Luginës së Preshevës, të Malit të Zi, probleme këto që vazhdimisht e destabilizojnë Shqipërinë duke bllokuar një pjesë të madhe të kapaciteteve të saj
Marrëdhëniet ndëretnike
Para disa muajsh Kuvendi i Maqedonisë solli ligjin që e stimulon natalitetin e popullatës maqedonase dhe e destimulon atë të popujve të tjerë, kryesisht të shqiptarëve. Fajin për këto ecejake joproduktive kanë një sërë faktorësh, kryesisht konceptet anakronike të partisë më të madhe maqedonase që e qeveris këtë shtet, pastaj pozita inferiore e subjektit politik shqiptar në qeveri, si dhe roli oportunist i faktorit ndërkombëtar që me heshtjen e tij synon të mos trimërojë asnjërën nga palët e interesuara, por që realisht e stimulon nacionalizmin, sa agresiv po aq edhe komik të maqedonasve
4 Shtator 2009