E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: “I vetmi që nuk duhet të flasë për tradhti është Edi Rama”



Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, u është kundërpërgjigjur ashpër akuzave të kryetarit të PS-së, Edi Rama, lidhur me marrëveshjen për bashkëqeverisjen midis PD-së dhe LSI-së. Meta tha se i vetmi që nuk duhet të flasë për tradhti është Edi Rama. Kreu i LSI-së e akuzoi gjithashtu Ramën se po përpiqet të dëmtojë rëndë imazhin dhe stabilitetin e vendit për shkak të interesave të tij të ngushta personale. “Për fat të keq zoti Rama synon të cenojë imazhin e vendit, stabilitetin e tij. Sepse dihet që edhe ato mangësi që u vunë re në zgjedhje vijnë vetëm si rezultat i insistimit të tij për të bërë një kod zgjedhor problematik. E majta ka dy detyra sot në Shqipëri, një përmes LSI-së për të kontribuuar për qeverisjen e vendit, për integrimin europian. Ka dhe një detyrë tjetër, që e ka PS-në për të realizuar një opozitë sa më të fuqishme”, - theksoi Meta. Më tej kreu i LSI-së foli edhe në lidhje me mundësinë e një koalicioni PD-LSI edhe në zgjedhjet e vitit 2013. “Ne nuk kemi përse të diskutojmë për çështje të cilat nuk janë të sotmet. Se sa e gjatë është kjo rrugë, unë këtë nuk mund ta them sot me bindje të plotë, pasi do të na duhet të dëgjojmë shqiptarët në vitin 2011 dhe në vitin 2013, sepse ata do të kenë fjalën kryesore”, - vijoi Meta. Ai foli gjithashtu edhe për marrëveshjen me kryeministrin Berisha. “Mendoj se është shumë më mirë të bësh marrëveshje me kundërshtar shumë të fortë, të vështirë, por serioz, sikurse është zoti Berisha, sesa të humbasësh kohë me njerëz që nuk merren vesh as me veten, as me partinë e tyre”, - vijoi kreu i LSI-së. Mediat kanë përfolur rikthimin e Metës në drejtimin e Ministrisë së Jashtme, ndërsa ai vetë ka shpjeguar se prioritet mbetet integrimi dhe se drejtimi i diplomacisë nuk ka qenë qëllimi i tij kryesor. “Ne nuk kemi synuar pozicione fikse në qeveri. Fikse kanë qenë prioritetet tona që kanë të bëjnë me integrimin dhe Ministria e Jashtme ka një rol kyç për procesin integrues”, - nënvizoi kreu i LSI-së.

4 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›