E Diel, 1 Nëntor 2026

Kontrolli teknik i automjeteve, "SGS" fiton koncesionin për 10 vjet



Kompania zvicerane "Societe Generale de Surveilance" (SGS) do të kryejë për 10 vjet në Shqipëri shërbimin e kontrollit të detyrueshëm teknik të mjeteve me motor dhe rimorkio, kundrejt pagesës prej 5 % të të ardhurave në llogari të buxhetit të shtetit shqiptar. Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi dhe zëvendëspresidenti i kompanisë "SGS", Jacques Vollenweider, nënshkruan dje marrëveshjen koncesionare, përmes së cilës kompania zvicerane angazhohet për një shërbim me standarde evropianë dhe rritjen e sigurisë së automjeteve në rrugë. Ministri Olldashi tha se, "dhënia me koncesion e këtij shërbimi do të jetë pionier jo vetëm për përafrimin e shërbimit me cilësi dhe standarde me shërbimin e kontrollit teknik në vendet e BE-së, por dhe në përmirësimin e ndjeshëm të sigurisë së qarkullimit rrugor të mjeteve". Ndërkohë zëvendëspresidenti i kompanisë "SGS", Vollenweider theksoi se synohet përmirësimi i standardeve, rritja e sigurisë në rrugë dhe mbrojtja e ambientit, realizuar në bashkëpunim me qeverinë shqiptare. "Në një kohë të shkurtër, programi do të përputhet me të gjitha direktivat e BE-së në fushën përkatëse",- tha ai. Në këtë drejtim, Jacques Vollenweider shtoi se, "SGS" do të realizojë edhe rinovimin e qendrave aktuale të kontrollit teknik dhe ngritjen e një rrjeti të mirrëintegruar të qendrave në të gjithë Shqipërinë. "SGS" u shpall fituese e tenderit për marrjen me koncesion të kontrollit teknik të detyrueshëm të mjeteve me motor dhe rimorkio në muajin dhjetor 2008, dhe më pas vijuan negociatat për kontratën koncesionare. Në tender u paraqiten dy kompani. kompania franceze "Sas Sakar" dhe ajo zvicerane "SGS".

4 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›