Urdhri kofidencial, Fullani: “Bankat private të pezullojnë shpërndarjen e fitimeve”
Habjon Hasani
Tiranë - Më 2 prill të këtij viti, të gjitha bankave private shqiptare u ka ardhur një letër-urdhër nga ana e Bankës së Shqipërisë, me anë të së cilës këto banka njoftoheshin se nuk mund të shpërndanin tek aksionerët fitimet e tyre të arritura në vitin 2008 dhe në vitin 2009. Në letrën e nënshkruar nga një drejtor i BSH-së, i quajtur Indrit Banka, përveçse komunikohej vendimi (i marrë nga Këshilli Mbikëqyrës i BSH-së që në mars 2009), paraqitej dhe një përshkrim i detajuar i arsyeve që e kishin çuar Bankën e Shqipërisë në marrjen e këtij vendimi. “Banka e Shqipërisë, me Vendimin Nr. 28, datë 05.03.2009 të Këshillit Mbikëqyrës vendosi të pezullojë për një afat të pacaktuar shpërndarjen e fitimit (a) të mbartur nga periudhat e mëparshme, (b) të fitimit të realizuar në vitin 2008 dhe (c) të fitimit që do të realizohet përgjatë vitit 2009 nga bankat dhe degët e bankave të huaja që operojnë në vend”, - shkruhet në letrën që komunikon urdhrin për bankat private.
Urdhri
Sipas Bankës së Shqipërisë, vendimi në fjalë merr shtysë nga disa faktorë konkretë të zhvillimit të bankave dhe sistemit bankar në vend dhe të zhvillimit e situatës së tregjeve financiare në botë, si dhe të ndikimit që këto zhvillime mund të sjellin në perspektivën afatshkurtër dhe afatmesme edhe të sistemit bankar shqiptar. ”Viti 2008, në ndryshim nga një vit më parë, u karakterizua nga zhvillime të paqëndrueshme; analizat vlerësojnë një shkallë rreziku në rritje dhe një tendencë në rënie të fuqisë financiare të sistemit bankar gjatë vitit 2008, ku pjesa e dytë e tij, veçanërisht tremujori i fundit i vitit, evidenton përkeqësimin e disa prej treguesve kryesorë financiarë; aftësitë e sistemit bankar për të mbuluar me kapital humbjet e mundshme nga kreditë u përkeqësuan në fund të vitit 2008 dhe zhvillimet e pritshme në portofolin e kredive mund ta përkeqësojnë edhe më tej këtë tregues; vijueshmëria e financimit të aktivitetit të bankave dhe degëve të bankave të huaja nga depozitat e publikut në të ardhmen është i paqartë; cilësia e portofolit të kredive u përkeqësua ndjeshëm, ndërkohë që pritshmëria parasheh vijueshmëri të kësaj tendence; treguesit e rentabilitetit parashikohen në nivele të përafërta me fundin e vitit 2008”, - shkruhet në letrën që Banka e Shqipërisë u dërgon të gjitha bankave private shqiptare.
Vlerësimi
Më tej në letrën kofidenciale dërguar bankave private BSH-ja paralajmëron se në vazhdim, Departamenti i Mbikëqyrjes së Bankës së Shqipërisë do të ushtrojë një monitorim të vazhdueshëm ndaj subjekteve bankare, të cilat kanë pasur një rezultat financiar negativ gjatë vitit 2008, ose që nuk janë subjekt i këtij vendimi, me qëllim ruajtjen e një niveli të kënaqshëm kapitalizimi në çdo kohë për të përballuar rreziqet e mundshme si dhe për të mbështetur rritjen e aktivitetit kreditues. “Në këto kushte, ruajtja e stabilitetit të sistemit financiar nëpërmjet zbutjes së ndërhyrjes negative të ekonomisë reale në sjelljen e sistemit bankar si një promotor i rëndësishëm në zhvillimin e suksesshëm të ekonomisë, kërkon rritjen e mundësive të sistemit bankar për të përthithur humbjet nëpërmjet forcimit të mëtejshëm të rezervave dhe bazës së kapitalit. Në përfundim, përmbushja e këtij misioni parasheh, ndër të tjera, që fitimi i realizuar në periudhat e kaluara, si dhe fitimi që do të materializohet gjatë vitit 2009, të jetë një ndër instrumentet që do të ndikojë pozitivisht në këtë drejtim”, shkruhet në dokumentin kofidencial që BSH-ja u ka dërguar operatorëve privatë bankarë.
Dokumenti zbardh parashikimet e zymta të BSH-së për ekonominë
► viti 2008, në ndryshim nga një vit më parë, u karakterizua nga zhvillime të paqëndrueshme;
► analizat vlerësojnë një shkallë rreziku në rritje dhe një tendencë në rënie të fuqisë financiare të sistemit bankar gjatë vitit 2008, ku pjesa e dytë e tij, veçanërisht tremujori i fundit i vitit evidenton përkeqësimin e disa prej treguesve kryesorë financiarë;
► aftësitë e sistemit bankar për të mbuluar me kapital humbjet e mundshme nga kreditë u përkeqësuan në fund të vitit 2008 dhe zhvillimet e pritshme në portofolin e kredive mund ta përkeqësojnë edhe më tej këtë tregues;
► vijueshmëria e financimit të aktivitetit të bankave dhe degëve të bankave të huaja nga depozitat e publikut në të ardhmen është i paqartë;
► cilësia e portofolit të kredive u përkeqësua ndjeshëm, ndërkohë që pritshmëria parasheh vijueshmëri të kësaj tendence;
► treguesit e rentabilitetit parashikohen në nivele të përafërta me fundin e vitit 2008;
► ecuria e kursit të këmbimit të lekut ndaj monedhave të huaja, veçanërisht ndaj euros, kohët e fundit përbën një sinjal shqetësues të përkeqësimit të kushteve të kredimarrësve, të cilët kanë tashmë një kredi në valutë;
► së fundi, vlerësimi për rritjen ekonomike dhe perfomancën e ekonomisë shqiptare në përgjithësi parashihet më pak optimist se vitet e kaluara, rrethana këto që ndikohen edhe nga sjellja e sistemit bankar që vlerësohet të jetë prociklike.
BE-ja u kërkon bankave private të reduktojnë shpenzimet
Kriza financiare që ende nuk ka lëshuar ekonominë e vendeve të Bashkimit Europian e ka detyruar administratën e Brukselit që të marrë disa nisma të çuditshme për të frenuar problemet e ndryshme ekonomike. Një nga masat që së shpejti pritet të konkludohet nga Parlamenti Europian do të jetë edhe një reformë e gjithanshme në sistemin bankar të vendeve të BE-së. Reforma pritet të prekë jo vetëm bankat kombëtare të vendeve anëtare të BE-së, por edhe sektorin e bankave private duke kontrolluar shpenzimet dhe tërë aktivitetin e tyre. Sipas këtij projekti të BE-së, i cili pritet të hyjë në fuqi së shpejti, në vendet anëtare të tij nuk do të ketë më përjashtime në shpërblimin e menaxherëve të bankave. Madje do të ketë edhe një rikonsiderim të nivelit të pagave, shpenzimeve dhe bonuseve të këtij sektori. Ministrat e Financave të Bashkimit Europian, lidhur me një projekt të tillë, vendosën në Bruksel që të shkojnë në samitin e G20-s me kërkesën për shpërblime të merituara në bazë të punës të bankierëve, dhe jo ekzagjerimin e tyre. Ky projekt, ndër të tjera, parashikon edhe pika të cilat ende nuk janë vendosur, siç është ajo e uljes së pagave për menaxhim të keq dhe kufizimet në pagimin e bonuseve, të cilat mbështeten kryesish nga Gjermania dhe Franca. Sipas ekspertëve financiarë të administratës së BE-së, me anë të këtij projekti synohet një mirëmenaxhim i gjithë sektorit bankar në vendet anëtare, me qëllim eliminimin e problemeve që mund t’i vijnë këtij sektori delikat nga shpenzimet e ndryshme të pakontrolluara. Por, në rast të zbatimit të këtij projekti, reforma në paga dhe në reduktimin e shpërblimeve për punonjësit e bankave mund të prekë edhe degët e bankave europiane në shumë vende të tjera joanëtare të BE-së.
4 Shtator 2009