Rritet frikshëm kostoja e huas. Tregjet i druhen sërish krizës
Spanja ndodhet në një situatë të rëndë financiare, ndërsa kostoja e qeverisë për të marrë hua është shtuar në mënyrë të ndjeshme, që në njëfarë mënyre e ka përshkallëzuar krizën. Në këtë mënyrë është shtuar shqetësimi vendas dhe ndërkombëtar në lidhje me ekonominë dhe financat publike të Spanjës. Përqindja e interesit që u kërkohet investitorëve për të paguar tani është 2.23% më e lartë se ajo që u kërkohet investitorëve në Gjermani. Thellimi i hapësirës në tregun e bonove ka bërë që të bjerë ndjeshëm edhe besimi në aftësinë e Spanjës për të paguar borxhet që ka. Kabineti spanjoll ka aprovuar gjithashtu një ndryshim aspak popullor në rregullat e punës. Sipas zëvendëskryeministres Maria Tereza de la Vega, është shumë e nevojshme ndërmarrja e një reforme në fushën e punësimit dhe ajo pritet që të jetë një nga reformat më të mëdha të ndërmarra në Spanjë këto 20 vitet e fundit. Ndryshimi parashikon një shkurtim të nivelit të shumë pagesave ndaj punëtorëve dhe kjo ka bërë që mjaft organizata punëtorësh të bëjnë thirrje për grevë të përgjithshme në shtator. Spanja, e cila është duke dalë nga një periudhë recesioni që zgjati 2 vjet rresht, është duke kërkuar tani marrjen e masave të ashpra që reduktojnë shpenzimet publike. Këto përfshijnë një shkurtim prej 5% të shpenzimeve në sektorin publik dhe shumë reduktime të tjera që bien në kurriz të punëtorëve.
Deficiti buxheti i Spanjës është tashmë në një pikë shumë të lartë prej 11% të Prodhimit Kombëtar Bruto. Këtë javë, Kryeministri spanjoll është detyruar që të mohojë lajmet e gazetave në lidhje me bisedimet e mundshme që ka bërë ai me shefin e FMN-së për të marrë një ndihmë nga vendet e BE-së dhe FMN-së të tipit të Greqisë. Ai do të takohet me shefin e FMN-së, por zyrtarët spanjollë bëjnë të ditur se takimi nuk do të zhvillohet për marrjen e ndonjë kredie të mundshme për të shpëtuar nga situata e rëndë e deficitit buxhetor.
Investitorët vazhdojnë që të jenë të shqetësuar në lidhje me situatën e vërtetë në të cilën ndodhet ekonomia spanjolle. Ka shqetësime të dukshme se masat e marra për uljen e shpenzimeve mund të prekin shumë edhe rritjen ekonomike të vendit dhe ta stopojnë, apo ngadalësojnë atë.
#