E Shtunë, 31 Tetor 2026

Largim nga puna kush plotëson moshën e pensionit

Vendimi i qeverisë prek pedagogët dhe mjekët

Kush mbush moshën e daljes në pension, duhet të ndërpresë marrëdhënien me punën në shtet. Vendimi i fundit prek kryesisht pedagogët e fakulteteve apo mjekët, të cilët edhe pse kanë mbushur moshën e pensionit, vijonin ta kryenin ende aktivitetit. Aktualisht për pedagogët e fakulteteve shtetërore mosha e daljes në pension është 65 vjeç, por u lejohej ta vijonin punën deri në 68 vjeç. Vendimi i djeshëm i qeverisë rregullon procedurat që do të ndiqen nga organet e administratës shtetërore, të financuara tërësisht apo pjesërisht nga buxheti i shtetit, në rastet e plotësimit nga ana e nëpunësit/punonjësit të siguruar të kushteve për pension pleqërie, në përputhje me dispozitat e ligjit “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”.

Institucione të administratës shtetërore, në kuptim të këtij vendimi, janë institucionet qendrore, institucionet e varësisë, si dhe ndërmarrjet e shoqëritë tregtare shtetërore.

“Përjashtohen nga zbatimi i këtij vendimi të gjitha subjektet dhe individët që, pavarësisht objektit të veprimtarisë, ushtrojnë veprimtari private”, thuhet në vendimin e qeverisë.

Sipas rregullit të ri, organet e parashikuara në pikën 1 të këtij vendimi, me plotësimin e kushteve për pension pleqërie, sipas dispozitave të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, ndërpresin menjëherë marrëdhëniet e punës për këtë kategori nëpunësish/punonjësish.

“Nëpunësit/punonjësit, marrëdhënia e punës e të cilëve ndërpritet në zbatim të këtij vendimi, gëzojnë të gjitha të drejtat për përfitimin e pensionit të pleqërisë sipas legjislacionit në fuqi për sigurimet shoqërore”, ishte një tjetër rregull.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›