Financat: Pagat e rritura, në shtator
Ministria e Financave konfirmon marrjen e shtesave për kategorinë e pagave të buxhetorëve, në fillim të muajit shtator. Ndryshe nga sa pritej, asnjë buxhetor nuk mundi të merrte pagën e rritur, e parashikuar të ndodhte me vendim qeverie që prej muajit korrik. Fatura financiare e rritjes përllogaritet në rreth 27 milionë dollarë dhe i nis efektet në muajin korrik, pavarësisht se punonjësit në shtet do t’i marrin shtesat në paga nga shtatori. Burime nga Ministria e Financave sqarojnë se vonesa për akordimin e pagave të rritura lidhej me faktin e zbardhjes së procedurave dhe aspak me mungesën e fondeve në arkën e shtetit. Me vendim qeverie, pësuan rritje rroge rreth 90 mijë buxhetorë, në masën 4 deri në 10 për qind, ku të favorizuarit ishin mjekët, infermierët dhe mësuesit. Edhe pse qeveria e futi vendimin për zbatim që në ditën e parë të muajit korrik, vonesat në procedura nuk mundën të sillnin shtesat financiare për punonjësit në shtet. Sakaq, pensionistët i kanë marrë pensionet e tyre të rritura, për shkak se ISSH-ja nisi direkt nga puna për zbardhjen e vendimit dhe shpërndarjen e fondeve.
#