E Shtunë, 31 Tetor 2026

Copëza shqiptare

Tiranë, Sauk, Durrës, Kavajë, Qerret, Golem, Lushnjë, Rrogozhinë, Ballsh, Fier, Patos, Memaliaj, Borsh, Vuno, Dhërmi, Jalë, Uji i Ftohtë i Tepelenës, Syri i Kaltër, Vlorë, Sarandë, Butrint, Ksamil, Qafa e Gjashtës, Kalaja e Lëkurësit, Gjirokastër, Kalaja e Gjirokastrës… U ktheva në Shqipëri pas disa vitesh. Me mall. Me gëzim për të rigjetur imazhe, sensacione, shkëmbime, sprova e për të vërejtur ndryshimet e vendit amë.

Ngjyra blu e të blerta kalonin përpara syve të mi: një varg i “rreptë” malesh të pabesueshme për t’i ngjitur e për t’i zbritur. E zhuritur nga vapa, gjinkallat më ngacmonin dëgjimin dhe burimet ndanë rrugëve më dukeshin si një festë e bukur pagane kalimtarësh, ku ndieja erën e çajit të malit e të mjaltit që vendalit shisnin pranë burimeve. Një tablo e qeshur (paksa se lulet e thara mbi lapidarët e vegjël ndanë kthesave të rrugëve më ngjallnin nostalgji), njerëz simpatikë, të duruar, por të qeshur, të munduar, të vendosur të fitojnë jetën në një mënyrë ose në një tjetër. Një ndalesë e mezipritur në Lushnjë më zbulon byrekë me dhallë e më jep forcë të vazhdoj këtë itinerar të gjatë…

* * *

Ngrohtësia e njerëzve të familjes dhe e njerëzve të paktë të afërt më është e nevojshme. Një nevojë jo legjitime, por identifikuese për mua. Me vendin, me tokën… dhe me njerëzit natyrisht… Për çudi vëreja vetëm turma pushuesish, figura të njohura në televizion, emisione, ku prezantues rrëfenin jetën e tyre, pa ndonjë peshë. Dëgjoja të flitej për dashurinë e një motre për të vëllain e vuajtjen e një personi “të shquar” për ndarjen e prindërve. Mendova që në pushime banorët duhet ndoshta të argëtohen, me pak lehtësi. Të tjerët kanë detin e ushqimin e shijshëm… Qëndrimi, Rimi e Vera ishin të huajt e mi më të afërt. Dy të parët ishin shoferët që më shoqëruan gjatë itinerarit tim. Me mirësi e me durim. Mësova shumë nga ta. Larg titujve të shtypit. Asnjë stigmatizim për këta njerëz të thjeshtë. Vera ishte gruaja me të cilën bisedova gjatë. E re në moshë, ajo vinte nga fshatrat e Tiranës, për të mbijetuar e shitur manaferra në Tiranë. Me një zë të përvuajtur, më tregonte ditët e saj të mbara, duke lëvizur duart e saj me njolla. Ferrat, - vazhdonte e “njohura” ime, ndërsa mbulonte me shaminë e bardhë fytyrën e rrudhosur. E dëlirët në ngurrimin e saj, por fisnike në qëndrimin kokulur, kur e fotografoja për një kujtim.
Si quhesh, - e pyeta?
Vera, - më thotë me një fytyrë gjysmë të pafajshme e hezituese.
Emër i bukur, - vazhdoj unë, për ta çliruar nga një mëdyshje që vëreja në sytë e saj plot dritë e të lodhur.
Unë jam Vera Hoxha, - lëshon me vendosmëri më në fund, ajo. Por nuk vi nga familja e “Atij” e nuk mbaj emrin e vajzës së tij - thotë e kënaqur Vera nga Sauku.

* * *

Në kërkim të njerëzve. Ushqim ka plot. çmimet janë të larta për rrogat e shqiptarëve të mesëm, për të mos përmendur më të vobektët. Megjithatë, ritmi i jetës vazhdon. Ditë pas dite. Njerëzit janë më të sigurt për të ardhmen europiane e tashmë atlantike sesa për të ardhmen e tyre.
Pranë Lanës, në Tiranë, një varg i gjatë librash të vjetër. Asnjë blerës. Më poshtë lexoj një tabelë “Pronari u çmend – uli çmimet”. Asnjë blerës…
Një shprehje, them.
Mbaj një radhë. Midis freskoreve shumëngjyrëshe, njerëz shprehen me mllef: “Nuk ka shtet”, “është qelbur peshku nga koka”, “Ilaçet i blejmë vetë për të afërmit të shtruar në spital”, “Të thërrasësh një mjek në shtëpi, duhet ta marrësh vetë me taksi”… “Paraja i zbut shqiptarët!”…
Kjo e fundit më ngacmon dhe pyes “komshiun tim”, që quhet “Spiro”, për arsyen e zbutjes. Ai nënqesh e më tregon me një dialekt të veriut. Nuk e kuptoj rrëfimin e tij.
E shoqja e thërret: Preng, asht për na radha!
Spiro-Preng, më afrohet e me qesëndi, duke pëshpëritur më thotë: “Zonjë, e kam ndrrue emrin, dhashë do lekë…”, e ikën rrëmbimthi.

* * *

Meditim.
Më duhet të shkruaj një shkrim të gjatë për një revistë me zë në Paris.
Për Shqipërinë.
Dua të jem optimiste!

Autorja: Kërkuese, specialiste e Ballkanit, Paris, Francë

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›