E Shtunë, 31 Tetor 2026

Financat, administrata shtrëngon rripin

Qeveria, projektligj për shkurtimin e shpenzimeve për të gjitha ministritë

Administrata shtrëngon rripin e shpenzimeve për trajnimet e nëpunësve civilë jashtë Shqipërisë. Me një urdhër të posaçëm të Ministrisë së Financave, të gjitha ministritë e kabinetit “Berisha” nuk do të mbulojnë më shpenzimet për punonjësit e tyre të administratës, në rast se ata do të marrin pjesë në seminare dhe trajnime jashtë vendit. Buxheti i shtetit për trajnimin e nëpunësve civilë jashtë kufijve të Shqipërisë është shënuar me shifrën “zero” për vitin 2010. Në diferencë nga viti 2009, ku janë shpenzuar gjithsej 51.8 milionë lekë nga buxheti i shtetit, këtë vit, nëpunësve civilë u ngelet vetëm t’i paguajnë personalisht shpenzimet për udhëtimet e tyre jashtë vendit, edhe pse ato janë në kuadrin e funksionit të punës që ata kryejnë. Ndërkohë që vetëm këshilltarët e Kryeministrit dhe të ministrave kanë një fond të posaçëm që përcakton dietat e tyre për vizitat zyrtare jashtë vendit.

Dietat

Qeveria u heq dietat nëpunësve civilë për shërbimet e punës jashtë Shqipërisë. Për këtë arsye, pjesëmarrja e administratës shqiptare ka qenë e varfër në seminaret, trajnimet dhe konferencat e organizuara për çështjet integruese, ekonomike, shëndetësore, në fushën e arsimit dhe në fushën e mjedisit. Duke veçuar rastet kur në krye të delegacionit është një ministër apo udhëtimet e shefave të kabinetit, në rastet e tjera Shqipëria ka një axhendë të varfër përfaqësimi jashtë kufijve për sa i takon nivelit të nëpunësve civilë. Përveç rasteve kur në takimet ndërkombëtare pjesëmarrës është një zyrtar i lartë i administratës, siç është ministri apo shefi i kabinetit, në rastet e tjera nëpunësit civilë duhet t’i gjejnë vetë donatorët që do të financojnë pjesëmarrjen e tyre në aktivitetet ndërkombëtare.

Shkurtimi i shpenzimeve

Në muajin korrik, Këshilli i Ministrave pritet të miratojë një vendim të posaçëm për shkurtimin e shpenzimeve të administratës. Ky vendim nuk lidhet vetëm me dietat e punonjësve të administratës, por edhe me shpenzimet e tjera të cilat pritet të reduktohen pas miratimit të këtij ligji. Sipas një vëzhgimi, asnjë prej ministrave nuk ka kryer rikonstruksion në zyrën ku ai punon, një traditë e pashmangshme kjo kryesisht për ministrat e rinj. Në buxhetin e shtetit për këtë vit është parashikuar një shumë e majme të ardhurash për teknologjinë dhe pajisjet elektronike, por janë përcaktuar në koston zero shpenzimet për pajisje zyre, si blerje tavolinash, karrigesh apo pikturash. Po në muajin korrik, qeveria “Berisha” do të rrisë në masën 10% pagat dhe pensionet për rreth 800 mijë persona dhe në masën 2% rrogat e larta. E përllogaritur në një mënyrë tjetër, pagesa shtesë mujore për personat që përfitojnë 10% rritje do të jetë jo më shumë se 4 mijë lekë të reja në muaj, ndërsa shtesa që do të përfitojnë zyrtarët me rroga të larta do të jetë mbi 5 mijë lekë në muaj.

Administrata

Rreth 72% e administratës janë nëpunës civilë me status të mbrojtur nga ligji dhe Kodi i Punës, 19.1% janë me kontratë dhe 8.9% e administratës përbëhet nga persona me status politik, si ministra, zv/ministra, këshilltarë dhe kabineti. Trajnimi i administratës është një ndër kushtet e Bashkimit Europian për integrimin e Shqipërisë. Por pala shqiptare për të përballuar rritjen e rrogave dhe pensioneve duket se ka hequr nga axhenda e saj trajnimet dhe pjesëmarrjen në seminare dhe konferenca të punonjësve të administratës jashtë vendit. Vetëm një pjesë e minimizuar e stafit të ngushtë të ministrave ka përfituar gjatë këtij viti për të marrë pjesë në aktivitetet e organizuara jashtë vendit. Pjesa tjetër e administratës, ose duhet t’i paguajë vetë shpenzimet, ose duhet të mjaftohet me trajnimet që organizohen nga të huajt në Shqipëri.

Statistikat

Një vit më parë, gjashtë prej ministrive që kanë organizuar më shumë trajnime me paratë e buxhetit të shtetit për stafin e tyre kanë shpenzuar 51.8 milionë lekë. Ministria e Integrimit, për vitin 2009 ka përdorur 2.9 milionë lekë për të trajnuar punonjësit në bashkëpunim me ITAP, 1.5 milionë lekë për trajnimin e nëpunësve civilë në bashkëpunim me TAIEX dhe 4.4 milionë lekë për trajnimin e administratës nga projektet e Bashkimit Europian. Ministria e Integrimit mban edhe vendin e parë për vitin 2010 nga departamentet e tjera në Shqipëri për trajnimin e punonjësve brenda vendit me fonde të donatorëve të huaj. Problemi me fondet e buxhetit të shtetit e ka detyruar Ministrinë e Integrimit të përqendrohet në trajnimet brenda vendit. Vetëm për angazhimin e administratës në procesin e përpilimit të pyetësorit të Shqipërisë për Bashkimin Europian janë trajnuar 435 nëpunës civilë, 365 nëpunës të tjerë për përdorimin e portalit elektronik të procesit dhe të përgjigjeve të pyetësorit të KE-së dhe trajnimin e 67 përkthyesve. Ministria e Bujqësisë ka shpenzuar 6.5 milionë për pjesëmarrje në panaire ndërkombëtare, ndërsa për trajnimet, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës ka shpenzuar 20 milionë lekë. Reduktime shpenzimesh ka pësuar edhe Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, për shkak se trajnimet e saj ndërkombëtare janë kryer jo për administratën, por për të rinjtë.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›