Ndërtimorja, aksion për objektet pa leje përgjatë autostradave
Inspektorati Ndërtimor ka vënë dje në punë mjetet e rënda dhe punonjësit për nisjen e aksionit për pastrimin e autostradës së kombit nga Miloti në Morinë. “Qëllimi kryesor i punës së Inspektoratit Ndërtimor në këtë aksion është që të pastrojë anët e autostradës nga ndërtimet pa leje që janë të madhësive të ndryshme”, deklaroi zyrtarisht institucioni që drejtohet nga Gjergj Bojaxhi.
Kërkesat për të prerë çdo kalim dhe hyrje në autostrada që krijohen nga ndërtimet pa leje kanë qenë të kahershme, pasi është vërtetuar që hyrjet e paligjshme janë ndër burimet kryesore të aksidenteve rrugore. Mjetet pastruese dhe stafi i Inspektoratit Ndërtimor, në këtë fazë të parë të pastrimit të aksit të kombit do të ndërhyjnë në kalimet dhe ndërtimet e paligjshme nga Rrësheni deri në Kalimash. Më pas, në javët e ardhshme, aksioni pastrues do të vijojë deri në Morinë, si dhe do të shtrihet në të gjitha akset rrugore të vendit.
Sipas Inspektoratit, në aksin Rrëshen-Kalimash ndërtimet janë tërësisht të jashtëligjshme, dhe prej disa ditësh personat janë informuar për shkeljet që kanë kryer. Veç ndërtimeve, në këtë segment rrugor ka dhe kalesa e hyrje të jashtëligjshme në autostradë. Gjatë ditës së djeshme, mjetet pastruese, në bazë dhe të vendimeve që janë lëshuar, ndërhynë në 22 ndërtime dhe kalesa të jashtëligjshme, të cilat ulin sigurinë në këtë aks rrugor.
“Inspektorati Ndërtimor është i vendosur të ndërhyjë mbi çdo ndërtim pa leje që shkatërron dhe krijon probleme mbi pasuritë publike apo private. çdo kioskë, ndërtim apo objekt që vendoset buzë akseve kombëtare, do të prishet”, tha kryeinspektori Bojaxhi. Gjatë vitit 2009, në Shqipëri kanë humbur jetën 378 persona që u përfshinë në 1 mijë e 456 aksidente rrugore. Alarmant ka qenë dhe numri i personave të plagosur në aksidentet rrugore. Shqipëria, prej vitesh renditet si një ndër shtetet me numrin më të madh të aksidenteve rrugore dhe viktimave për frymë.
#