E Shtunë, 31 Tetor 2026

Serialvrasësja, hetim grupit të strukturuar kriminal

Policia greke dyshon për ekzistencën e një grupi kriminal, ku bënte pjesë edhe 54-vjeçarja minoritare

Policia greke po heton një grup të strukturuar kriminal, pjesë e të cilit ishte edhe minoritarja e dyshuar si serialvrasëse e arrestuar pak ditë më parë në Greqi. Po ashtu, autoritetet e vendit fqinjë po grumbullojnë të dhëna në lidhje me bashkëpunëtorët e Eva Zhangës, të cilët mendohet se janë të përfshirë në vrasjen e biznesmenit 42-vjeçar nga Athina.

Hetimet

Mediat greke, duke cituar burime të policisë, shkruajnë se pas zbulimit të ngjarjes tragjike, hetimet janë përqendruar në hetimin e pjesëtarëve të tjerë të grupit që dyshohet se e kanë ndihmuar 54-vjeçaren në vrasjen e Tasos Tsagaropoulos. Minoritarja ka dhënë dëshminë në polici, e cila mund të hidhet poshtë nga avokati i saj, pasi ai e ka kontestuar marrjen e dëshmisë nga policia pa prezencën e tij. Edhe nëse Zhanga ka folur për skenën e krimit, mbrojtësi i saj ligjor do të mundohet ta paraqisë atë si të pavlefshme për togat e zeza, pasi sipas tij është marrë në mënyrë të paligjshme. Nuk ka të dhëna nëse minoritarja ka folur rreth ekzistencës së grupit që ushtronte aktivitet të jashtëligjshëm, kryesisht atë të mashtrimit dhe ushtrimit të prostitucionit, ku bënte pjesë edhe vet. Pavarësisht deklarimeve të saj, policia e shtetit fqinjë po punon për zbardhjen e mekanizmit të veprimit të grupit, si dhe arrestimin e pjesëtarëve të tij.

Ngjarja

Pak ditë më parë, policia greke, falë informacioneve të marrë në rrugë operative, ka mundur të zbulojë një vrasje, e cila kishte të bënte me një ngjarje të pazbardhur për arsye të mungesës së informacionit, që daton që më 23 maj të vitit 2009. Viktima ishte 42-vjeçari Tasos Tsagaropoulos, kërkimet për të cilin, sipas sitit neës.gr, nisën paralelisht edhe nga emisioni “Fos sto Tunel” me Agjeliki Nikolulin, nga e cila doli një dëshmi e veçantë që e dha një dëshmitar shqiptar, i cili kishte parë makinën me të cilën qarkullonte 42-vjeçari ditën që u zhduk, në Egjio. Po sipas sitit grek, një tjetër dëshmitar kishte parë punimet që bënte në shtëpinë e marrë me qira “gruaja merimangë” e dhënë kjo që krijoi dyshime, pasi punimet në një banesë të marrë me qira nuk mund të bëheshin pa dijeninë e pronarit të banesës. Mediat greke raportuan se nga kontrolli i banesës u konstatua se ishte betonuar poshtë pllakës së dushit një kufomë. Pas kryerjes së ADN-së, ajo rezultoi t’i përkiste Tasos Tsagaropoulos, i shpallur i humbur prej një viti. Mediat raportuan se biznesmeni ishte vrarë nga një shtetase shqiptare, që banonte prej kohësh në Greqi. Eva Zhanga u arrestua disa ditë pas zbulimit të kufomës dhe u mor në pyetje në Patra. Ajo pranoi se kishte asistuar në vrasjen e 42-vjeçarit, por se nuk kishte të bënte me ekzekutimin e tij, por ishte dikush tjetër ai që e kishte realizuar krimin. Këtu policia hodhi dyshimet e para për ekzistencën e një grupi kriminal. Madje këtë version e ka hedhur për konsumim publik edhe avokati i 54-vjeçares, duke aluduar se 42-vjeçari mund të ishte koka e grupit dhe se klientes së tij i jepte një lëmoshë për kontributin në grup, kur vet përfitonte miliona. Mendohet se shkak i ekzekutimit të biznesmenit mund të jenë edhe pazaret prishura me anëtarët e grupit.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›