Miku i Shkëlzen Berishës, Rrahman Selmanllari, qëndron pas “Orikumit”Nga “Faktori Plus” Qindra banorë të Orikumit janë përleshur një ditë më parë me forca të policisë, që kanë ushtruar edhe dhunë ndaj tyre. Situata degradoi, pasi forca spec
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Miku i Shkëlzen Berishës, Rrahman Selmanllari, qëndron pas “Orikumit”Nga “Faktori Plus”Qindra banorë të Orikumit janë përleshur një ditë më parë me forca të policisë, që kanë ushtruar edhe dhunë ndaj tyre. Situata degradoi, pasi forca speciale të ardhura nga Tirana rrethuan vendin duke goditur organizatorët e protestës. Të paktën dy persona, Flora Meçaj dhe Islam Xhuveli, kanë përfunduar me plagë të rënda në trup.
Avokati i Popullit ka mbledhur dëshmitë e tyre të rënda mbi dhunën e policisë, e cila ka reaguar pa asnjë shkak duke u dhënë kohë firmave të ndërtimit të rrethojnë vendin dhe të nisin hapjen e gropës…
Por cili është thelbi i këtij konflikti?!...
Banorët e Orikumit, si ish-punonjës të Ndërmarrjes Bujqësore, kanë marrë në tërësi tokën në përdorim bazuar në Ligjin 7501. Kjo situatë ka qenë e tillë për vite të tëra.
Por vetëm kohët e fundit disa banorëve toka u është dhënë në pronësi dhe jo në përdorim, duke përdorur standarde të dyfishta.
Duke ndjekur hap pas hapi origjinën e atyre që janë bërë pronarë në këtë sipërfaqe nga Bashkia e Orikumit, sigurohet ky dokument, që tregon për pronarët reale të kësaj toke, të cilëve u është kthyer ajo disa vite më parë, por që askush nuk thotë se si dhe çfarë dokumentesh kanë paraqitur që kanë përfituar pronësinë. Lista e pronarëve është e gjitha një familje me mbiemrin Sinanaliaj, krahas saj rezulton edhe Rrahman Selmanllari, njeriu më i afërt i Shkëlzen Berishës
Një prej emrave që shfaqen si pronarë është dhe Tatjana Bardhi, njëherësh avokate e çështjes në fjalë, ndërsa tjetra, Alba Qirjako, duket të jetë vajzë e kësaj familjeje me mbiemrin e bashkëshortit, Qirjako. Nuk dihet, nëse ajo ka lidhje me Arben Qirjakon, Drejtorin e Përgjithshëm të Hipotekave.
“Faktori Plus” iu drejtua për këtë situatë prefektit të Vlorës, Hasan Halili, i cili u shpreh qartas në mbrojtje të banorëve dhe zgjidhjes së drejtë të problemit në fjalë.
Nga ana tjetër, kryetari i Bashkisë së Orikumit, Kanan Braho, thotë se do të kërkojë në rrugë ligjore mënyrën se si kjo pronë u është njohur dhe kthyer këtyre pronarëve.
Banorët tregojnë se toka më parë ka qenë kënetë dhe tokë e përbashkët dhe gjatë kohës së komunizmit u kthye në tokë buke. Ata pohojnë me siguri se këtu nuk ka pasur pronarë.
Por mbi të gjitha këtë histori e bën dhe më korruptive një listë tjetër që tregon standarde të dyfishta, ku disa banorëve u është kthyer toka me Ligjin 7501, në një kohë që pala tjetër rezulton pronare me tokë të vjetër, të kthyer.
Historinë e bën më të rëndë emri i Rrahman Selmanllarit, që për këdo është bërë i njohur nga përfshirja e tij në historinë e Gërdecit. Në një investigim për tragjedinë e punishtes së demontimit, “Faktori Plus” botoi dëshminë e zotit Selmanllari në prokurori. Ai vetë pohonte lidhjet me djalin e kryeministrit, Sali Berisha, Shkëlzen Berisha.
Banorët thonë se ky njeri ka përfunduar pronar, pasi ka ndërmjetësuar kthimin e tokës te familja Sinanaliaj, veprim që, sipas tyre, është spekulativ.
Që gjithçka të jetë konform ligjit, prokuroria duhet të nisë urgjent hetimet dhe të provojë anën ligjore të kthimit të pronave në këtë sektor, duke verifikuar sidomos mënyrën se si Selmanllari ka përfunduar aty pronar. Lidhjet e ngushta të Rrahman Selmanllarit me Shkëlzen Berishën dhe konsiderimi i tij si njeriu hije i bizneseve të djalit të kryeministrit, e bën këtë histori shumë të rëndë, po të mendosh që këta njerëz janë rrahur, gjakosur dhe dhunuar në emër të pushtetit të djalit të Sali Berishës.
Kjo shpjegon qartë edhe faktin, pse policët nga Tirana u gjetën në krah të disa firmave të ndërtimit, duke goditur banorët dhe duke u dhënë kohë kompanive të rrethonin tokën.
Rastet kur policia përdoret si vegël nga Familja
Pamjet e dhunës policore mbi banorët e Orikumit tronditën shumëkënd. Pas fakteve të fundit që sjell “Faktori Plus” bëhet shumë e qartë se përse policia mbërriti nga Tirana, duke favorizuar dukshëm firmat e ndërtimit dhe duke dhunuar banorët e pambrojtur.
Fakti që pas kësaj afere fshihet djali i kryeministrit, tregon se policia është urdhëruar nga ai. Janë tashmë të faktuara disa raste, kur policia bëhet vegël në duart e njerëzve të Familjes dhe pranë saj.
Para disa kohësh “Faktori Plus” transmetoi pamje, ku pronari i TV Klan, Aleksandër Frangaj, urdhëronte policinë me telefon që të arrestonte njerëz. Bëhet fjalë për një përplasje të tij me pronarin dhe punonjësit e Ora News. Frangaj thërret në telefon policinë dhe kjo e fundit arreston punonjësin e Ora News, edhe pse ai ishte viktimë e sulmit të vëllezërve Frangaj. Vetëm para disa ditësh, sërish “Faktori Plus” solli fakte se si Frangaj urdhëronte Policinë Ndërtimore që të nisej natën për të shembur një antenë të televizionit Vizion Plus.
Gazeta “TemA” ka sjellë gjithashtu dosjen e plotë të përdorimit të Policisë Ndërtimore nga ana e dhëndrit të Berishës për të prishur ndërtimet në Jalë. Vetë autoritetet e Bankës Botërore kanë pranuar se policia ishte ndikuar në vendimet që kishte ndërmarrë nga emri i Jamarbër Malltezit, të shoqit të Argita Malltezit.
Gjithashtu, “Faktori Plus” ka publikuar një intervistë të kryetarit të komunës së Nivicës, Vladimir Kumi, ku rrëfen se si policia përdoret nga biznesmenët që qëndrojnë pas ndërtimit në Kakome, që rezultoi të mos ketë asnjë lidhje me Club Med. Ndërtimi po bëhet nga biznesmenët e Familjes Berisha.
Shkëlzeni emëron drejtuesit e AKKP
Që pas mbërritjes në pushtet, kryeministri shkriu Komitetin ekzistues për Kthimin e Pronave dhe krijoi një agjenci qeveritare në varësi të tij.
Pas kësaj lëvizjeje, emërimet që janë bërë në këtë organ të rëndësishëm janë bërë direkt nga Shkëlzen Berisha. Tre drejtorët e fundit janë miq dhe të njohur të Shkëlzenit që rrinë në këtë detyrë sa për të kryer ndonjë nevojë të Shkëlzenit.
Ndërkohë, nëndrejtoresha që vazhdon gjithçka me urdhër të Shkëlzenit është Helga Vukaj.
Shkëlzeni dhe Rrahmani emërojnë prefektin e ri për të grabitur prona
tema.al
20.08.2009
Pas shpalljes së aleancës me Metën dhe konfirmimit të një mandati të dytë, çdo mbledhje qeverie dhe çdo mbledhje e Këshillit të Rregullimit të Territorit është një rast i artë për familjen Berisha për të shtuar pasuritë. Çdo reporter e di që duhet të jetë dyshues për çdo vendim që merret e menjëherë kërkon motivet për to tek interesat e familjes kryeministrore.
Kështu ka ndodhur dhe me emërimin e prefektit të Tiranës, 30-vjeçarit Keltis Kruja, që vjen në këtë detyrë duke shmangur një nga prefektët më jetëgjatë, Ruzhdi Keçin.
Duke ditur se është mik i ngushtë i Shkëlzen Berishës, të gjithë rrëmojnë për të gjetur arsyet se pse u bë tani ky emërim. Ka disa hamendësime, që fillimisht lidhen me dyshimet se Keçi mund të jetë njeri i Topit. Por më shumë se kaq, arsyeja kryesore është thjesht ekonomike. Së shpejti pritet që të nisë puna për verifikimin e titujve të pronësisë. Kjo është fusha e preferuar e Shkëlzenit dhe Rrahmanit. Prefekti do të udhëheqë operacionin për shkak se do të jetë në krye të komisionit të verifikimit të titujve, dhe do të ketë të drejtë të marrë vendime për të hequr të drejtën e pronësisë.
Prefektura e Tiranës, e cila përfshin dhe zona shumë të mira bregdetare, është mundësia e artë për Shkëlzenin dhe Rrahmanin dhe emërimi i Keltis Krujës është bërë dukshëm për këtë qëllim.
Edhe drejtuesit kryesorë të Agjencisë së Kthimit të Pronave janë emëruar nën influencën e Shkëlzenit, e nën ndikimin e tij kanë dhënë dhjetëra vendime abuzive.
Pronat janë specialiteti i Shkëlzenit, që edhe në deklaratën zyrtare të pasurisë pranon se bën me dhjetëra mijëra euro në fare pak kohë duke punuar si sekser pasurish të patundshme.
Përse të gjithë duan të takojnë Shkëlzenin?
Nga Mero Baze
16.05.2009
Pashë një grua të tronditur te News 24, e cila fliste për një pronë të saj në kufirin me Gardën e Republikës, ku, sipas saj, një kompani ndërtimi e Rrahman Selmanllarit ishte duke ndërtuar. Pavarësisht në ç’fazë është ky projekt ndërtimi, ishte interesant fakti që gruaja e moshuar me shumë sinqeritet tha se “ne u ankuam te Shkëlzeni, e takuam atë, ai na premtoi se do na ndihmonte më vonë, por tani mos krijonim probleme” etj. E njëjta histori ka ndodhur dhe me të ndjerin Trebicka. Njësoj si në rastin e kësaj gruaje dhe Trebicka u spostua nga grupi i Selmanllarit nga biznesi në Gërdec dhe atë e çuan sërish te Shkëlzeni. Ortaku i Selmanllarit i siguroi takimin dhe ai po ashtu u “sqarua” me Shkëlzenin për problemin e tij. Po kështu i ka ndodhur dhe një ish-zëvendësministri që ishte dhe biznesmen ndërtimi. Në përpjekje për t’u sqaruar me Selmanllarin për një kontratë ndërtimi po nga zona e Liqenit, ai përfundoi në takim me Shkëlzenin dhe më pas përfundoi dhe më keq.
Përse gjithandej, sa herë shfaqet Selmanllari, njerëzit duan të takojnë Shkëlzenin?
Përgjigjja është e thjeshtë. Selmanllari është thjesht një mbulesë e bizneseve të tij. Ai është garanti real dhe “bosi” në hije i bizneseve të tij.
Është kjo arsyeja që gjithkush që ka një problem me këtë biznesmen, si gjithë biznesmenët e tjerë shqiptarë, nuk tenton ta zgjidhë me të, por me Shkëlzenin. Pra, në këtë rast nuk ka funksionuar vetëm legjenda urbane rreth Shkëlzenit, por mbi të gjitha ka funksionuar vetë Shkëlzeni që shkon nëpër takime dhe sqaron njerëzit që kanë konflikte me Selmanllarin. Kjo është një skemë tipike e bizneseve që ka ndërtuar familja Berisha. Njësoj si në rastin e Fazlliçit, i cili është një karikaturë boshnjake, që përdoret prej vajzës së Sali Berishës si mbulesë për bizneset e saj, Selmanllari po përdoret dhe natyrisht po përdor Shkëlzenin si mbulesë të bizneseve të tij.
Kryeministri Berisha ka pasur dy rrugë për ta përballuar këtë realitet, t’i linte fëmijët e vet të mbroheshin publikisht ose t’ia linte drejtësisë. Ai nuk po bën asnjërën prej tyre. Po bën të tretën, po i mbron vetë fëmijët nga gjithë faktet e pakundërshtueshme që po u dalin si sekserët e pushtetit të tij në Shqipëri.
Kështu dolën fakte të qarta që Shkëlzen Berisha loboi kontratën e Gërdecit, duke kapur Mediun, duke tentuar ta bënte direkt me vendim qeverie dhe më pas e arriti atë përmes formës ligjore që i ofruan. Faksi i Aldo Bumçit për Shkëlzen Berishën vërtetohet nga tri sekretare para prokurorisë. Atë e provojnë dy sekretaret e Ministrisë së Drejtësisë, që është nisur nga faksi i tyre dhe nga sekretarja e Ministrisë së Mbrojtjes. Fakti që shënimi është me shkrimin e Bumçit apo dikujt tjetër, është një detaj që s’i hyn në punë kujt, kur vetë Bumçi nuk kundërshton dot faktin që i ka dorëzuar faksin me shënim sipër sekretares për t’ia nisur Shkëlzen Berishës. Po ashtu u provua se Selmanllari është ortaku real i fabrikës së Gërdecit me Delijorgjin, është personi që ka spostuar nga biznesi i paketimit Trebickën, dhe është njeriu i afërt i Shkëlzenit. Është provuar se baxhanakët, kunetërit, vëllezërit e tyre, burrat e tezeve e të hallave ishin të punësuar në një grup special që bënte punën natën në Gërdec dhe ishin të gjitha lidhje të Shkëlzenit dhe Selmanllarit. Me kaq fakte Shkëlzen Berisha, jo vetëm që do ishte i thirrur nga prokuroria, por duhet të ishte i pandehuri kryesor për Gërdecin. Vetëm Sali Berisha nuk do t’i quajë faktet fakte, dhe vetë shpall për fakte gënjeshtrat e tij. Vetëm një kryeministër i pafytyrë mund të shpikë që, kur vajza e tij i kërkon një klienti për një licencë që do ta firmosë babai i saj 3 për qind të vlerës së investimit, dhe që në rastin konkret i binte 30 milionë euro, e quan këtë faturë normale. Vetëm një kryeministër si Sali Berisha mund të quajë dikë trafikantin më të madh të naftës dhe pastaj ta nxjerrë në tribunë me gruan e tij për ta pastruar dhe për ta quajtur bamirës. Vetëm një kryeministër si Sali Berisha mund të quajë dëshmitë para prokurorit të falsifikuara, vetëm pse implikojnë djalin e tij dhe mund të quajë “fakt” thashethemin më të rëndomtë që shpik vetë ndaj kundërshtarëve.
Pra, ky kryeministër nuk ka më asnjë raport me të vërtetën, dhe asnjë raport me institucionet e shtetit shqiptar. Ai po qeveris vendin me “Kodin e Familjes” dhe për të askush nuk mund të veprojë në këtë vend, nëse s’ka interesa. Shikoni si flet për akuzat e medies. Përpiqet që çdonjërën prej tyre ta lidhë me ndonjë interes. Shikon ëndrra që media ka dashur t’i marrë vajzës së tij ARMO-n, djalit të tij celularin e katërt, mbesës së gruas paratë e ISKSH, fisit të gruas tenderët e matësve elektrikë etj. Pra, për të nuk ekzistojnë më parimet, nuk ekzistojnë më institucionet, nuk ekzistojnë më njerëzit që luftojnë për të vërtetën. Për të ekzistojnë djali, vajza, paratë, koncesionet, privatizimet, gjobat, dhe çdo gjë tjetër që ia prish këtë ëndërr, ai e shpall të paligjshme.
Për këtë arsye ajo grua fisnike nga familja Demi e thoshte me sinqeritet te News 24, dy ditë më parë, se ishte ankuar te Shkëlzeni për grabitjen e tokës, por ai s’i kishte dhënë shpresa. Dhe e thoshte me dëshpërim, me makth, sikur kishte humbur gjyqin në Gjykatën Kushtetuese. Kishte humbur shpresat se kishte konsumuar gurin e fundit të pushtetit, djalin e kryeministrit. Ky është shteti real i Sali Berishës.