E Diel, 1 Nëntor 2026

Prifti: Do heqim koncesionin e “Darfo”-s. Në staf ka njeriun kryesor të kësaj kompanieNga TemaMinistri i Ekonomisë, Dritan Prifti, u shfaq dje në krah të sindikalistëve të Dibrës, të cilët iu ankuan atij për koncesionin e “Darfo”-s që ka sjellë vetëm

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Prifti: Do heqim koncesionin e “Darfo”-s. Në staf ka njeriun kryesor të kësaj kompanieNga Tema

Ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, u shfaq dje në krah të sindikalistëve të Dibrës, të cilët iu ankuan atij për koncesionin e “Darfo”-s që ka sjellë vetëm rrënim dhe vdekje në qarkun e tyre.

“Ata i paraqitën ministrit problemet shumëvjeçare të koncesionit që vepron në bazë të ligjit 8791, datë 10.05.2001 për Uzinën e Ferrokromit, Burrel, Minierës Bulqizë, Fabrikës së Pasurimit Bulqizë, si dhe impiantit të seleksionimit, Klos, duke e quajtur këtë koncesion të dështuar në vite. Ndryshimet e herëpashershme të kontratave nënkoncesionare kanë dhënë rezultate vetëm negative. Akoma problemet e trashëguara nga këto nënkoncesionare vazhdojnë sot e kësaj dite duke krijuar vështirësi të mëdha financiare, duke qenë akoma debitore ndaj subjekteve private dhe shtetërore që operojnë në qarkun e Dibrës. Gjithashtu, ata vunë në dijeni ministrin dhe për shumë raste korruptive në lidhje me këto kontrata nënkoncesionare”, - thuhet në një njoftim të Ministrisë së Ekonomisë.

Nga ana e tij, ministri Prifti tha se ka nisur procedurat për heqjen e koncesionit shoqërisë “Darfo”, pasi nuk ka plotësuar asnjë kriter të kontratës koncesionare për shtatë vjet. Prifti tha se koncesioni ishte i dështuar.

Megjithatë ministri bëri kujdes që të theksonte se heqja e këtij koncesioni nuk do të linte pa punë qindra banorë të këtij qarku.

“Uzina e ferrokromit, Burrel dhe miniera e Bulqizës janë punëdhënës shumë të rëndësishëm në qarkun e Dibrës, me rreth 1000 vetë të punësuar. Duke qenë se kryefjala e programit të qeverisë është punësimi, nuk do të lejohet që dështime të tilla të shkaktojnë akoma probleme sociale dhe papunësie, të cilat ulin standardet e jetesës së banorëve të qarkut Dibër”, - thuhet në njoftimin e ministrisë.

Ato që nuk tha Prifti

Por në takimin me sindikalistët Prifti nuk u kërkoi aspak ndjesë atyre dhe familjeve të viktimave fizike, morale dhe ekonomike të kësaj zone, për shkak se ky koncesion u gatua në prag të zgjedhjeve elektorale të vitit 2001, nën kujdesin e vetë Ilir Metës, në atë kohë kryeministër, dhe nën ndikimin e fortë të njeriut që sot këshillon Dritan Priftin.

Pasi kanë shfrytëzuar në mënyrë çnjerëzore këtë pasuri, por dhe banorët e zonës, politikanët e LSI po “lajnë” duart tashmë nga krimi.

Eduard Belegu, këshilltar kryesor i Priftit, ish-kandidat i LSI dhe anëtar i Komitetit Drejtues të kësaj partie, është njeriu kryesor pas “Darfo”-s dhe gazeta “TemA” ka sjellë dokumentet që e faktojnë këtë gjë.

Prifti duhet t’i sqarojë ata se pse nuk ka asnjë penalizim, qoftë për hartuesit e kontratës, qoftë për firmën që mban vulën e LSI sipër, për krimet që kanë bërë në këtë zonë.

Prifti merr këshilltar njeriun që kontrollon biznesin e mineraleve dhe hidrokarbureve

tema.al

Kabineti i ministrit të Ekonomisë dhe të Energjitikës është shndërruar në folenë më domethënëse të mënyrës se si do të punojë kjo ministri. Ministri Prifti ka emëruar për këshilltar kryesor të tijin Eduard Belegun, i cili është aksionar, pronar dhe përfaqësues ligjor në kompani që merren me shfrytëzim minierash, hidrokarburesh, import dhe eksport mineralesh dhe pajisjesh për miniera, guroresh, tregtim lubrifikantësh etj.

Praktikisht, z. Belegu është i përfshirë në të gjitha llojet e bizneseve që kanë të bëjnë me Ministrinë e Ekonomisë dhe ç’është më e rënda, ai është një njohje e vjetër e ministrit të Ekonomisë, pasi ai ka qenë drejtues dhe përfaqësues ligjor i kompanisë famëkeqe “Darfo”, e cila ka marrë në vitin 2001 të drejtën koncesionare të shfrytëzimit të minierës së kromit në Bulqizë. Duhet thënë se tërë dokumentacioni i këtij koncesioni është përpiluar nga qeveria e atëhershme Meta. Koncesioni, ndër më të këqijtë në Shqipëri, ka qenë ai i “Darfo”-s. Kjo kompani shfrytëzoi pa skrupull punëtorët dhe minierën dhe nuk investoi as 1% të asaj që kishte parashikuar në kontratë me qeverinë. Janë në memorien e qytetarëve vdekjet në galeritë vrasëse të “Darfo”-s. Qeveria e zotit Berisha premtoi ta çlirojë Bulqizën dhe minatorët nga ky makth, madje u fol për gjoba të jashtëzakonshme që do të merrte “Darfo”. Në fakt, “Darfo” u detyrua ta shesë koncesionin, por këshilltari i tashëm i Dritan Priftit mbeti aty përfaqësues. Edhe Ilir Meta u shfaq i përulur para minatorëve në fushatë, kur u fut në galeri e bëri premtime për ta, duke pasur në partinë e tij e tashmë në qeveri njeriun që ka përfituar prej vdekjes dhe vuajtjeve të tyre.

***

Është e frikshme lista e bizneseve ku është aksionar, përfaqësues ligjor apo drejtues këshilltari i ministrit Prifti. Po përmendim disa prej tyre: përfaqësues ligjor i “Albania Chrome” ku “Darfo” ka 100% të aksioneve, përfaqësues ligjor tek “Albania Mineral Group”, e cila merret me shfrytëzim minierash, import-eksport mineralesh të të gjitha llojeve, shfrytëzim guroresh dhe ku 81% të aksioneve i ka këshilltari i z. Prifti. Po ashtu, Belegu është përfaqësues ligjor dhe pronar i gjithë aksioneve të RE-EBEL, e cila merret me tregtim me pakicë të karburanteve dhe gazit. Këshilltari i z. Prifti është aksionar te kompania “Gerold” sh. p. k., e cila merret me shfrytëzim minierash, punime gjeodezike, rilevime topografike dhe import lëndësh plasëse.

Një tjetër kompani ku këshilltari kryesor i ministrit të Ekonomisë është aksionar është “Kuarci Blace” që merret me tregtim, import-eksport ferrokromi, koksi metalurgjik, qymyr, skrap dhe mbetje metalike.

Është e qartë se ministri Prifti ka gati një skemë të qartë se si do të kontrollojë çdo qindarkë që mund të fitohet në sektorin e minierave dhe të koncesioneve në Shqipëri. Ai, me sa duket, i ka pasur gati bashkëpunëtorët. Nuk mund të flitet më për konflikt interesi, por shumë tepër. Belegu është anëtar i Komitetit Drejtues Kombëtar në LSI dhe ka qenë kandidat i kësaj partie për zgjedhjet e vitit 2005 dhe ato të vitit 2007 në zonën 86, ku fitoi një numër të konsiderueshëm votash.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›