E Diel, 1 Nëntor 2026

“Qeveria po synon të ndryshojë kontratën e shitjes së ARMO-s për t’i falur borxhet Taçit”Nga TemaDeputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, tha dje se gjithë veprimet e fundit ndaj “Taçi Oil” janë një teatër që synon të fshehë një veprim të qeverisë

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

“Qeveria po synon të ndryshojë kontratën e shitjes së ARMO-s për t’i falur borxhet Taçit”Nga Tema

Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, tha dje se gjithë veprimet e fundit ndaj “Taçi Oil” janë një teatër që synon të fshehë një veprim të qeverisë që synon rishikimin e kontratës, me qëllim faljen e borxhit që ARMO kishte ndaj “Albpetrol”. Braçe e quajti veprimin skandaloz, pasi, sipas tij, në momentin kur është blerë kompania, kishte një sasi shumë të madhe rezervë nafte që mjaftonte për të shlyer borxhin.

“I gjithi është një teatër që po përgatit një operacion të ri kriminal, ku në bazë është gjithnjë privatizimi skandaloz i ARMO-s! Dje, ministri i Ekonomisë deklaroi se kompania paska trashëguar borxhe të mëdha dhe kjo sepse kompania është shitur gabim -gabim i materializuar në kontratë - me gjithë borxhe! Ai tha se ekspertët e ministrisë po analizonin kontratën duke lënë të kuptuar një revizionim të saj në këtë drejtim!

Pra FAMILJA e shtuar dhe me këta të rinjtë po përpiqet t’i falë detyrimet kompanisë së interesave të saj!

Është evidente, ARMO ka borxhe të mëdha, në tatime, në dogana dhe ndaj kompanive të treta që e kanë furnizuar me naftë.

Kur u privatizua, në depozitat e saj ARMO kishte rreth 40 mijë tonë naftë të papërpunuar të marra nga “Albpetrol” dhe një tjetër kompani e huaj.

ARMO u shit e u ble me gjithë këtë sasi, vlera e së cilës natyrisht që duhej të mbulonte pagesat ndaj të tretëve.

Kjo nuk ka ndodhur, është administruar si borxh, është thelluar për gjatë një viti si borxh duke vënë në rrezik falimentimin e “Albpetrol” që ka tre muaj që nuk paguan punëtorët me rroga! Ky borxh tani kërkohet të falet për ARMO-n e të merret përsipër nga qeveria me paratë e taksave të shqiptarëve!

Kjo është kapja e shtetit! Ky është krim i përsëritur në favor të interesave të FAMILJES! PSSH i bën thirrje prokurorisë të merret me të tani! Në kohë! Në detaje dhe deri në fund, për të ndëshkuar një herë të vetme korrupsionin e FAMILJES në këtë vend!” - tha Braçe.

Deputeti socialist shtoi se Taçi ka kapur shtetin duke bërë kontrabandë në emër të Familjes.

“Mënyra se si qeveria e FAMILJES në pushtet po e trajton krizën e kompanisë ARMO, po zbulon një dimension të ri të skandalit shtetëror që u konsumua tri ditë më parë me përplasjen kriminale të dy palë policive në dyert e saj!

Transparencë të veprimeve ligjore të agjencive ligjzbatuese nuk ka, ndërkohë që krimi vazhdon duke treguar një tjetër segment të FAMILJES përfshirë pas zgjedhjeve të vjedhura të 28 qershorit në qeveri, në një operacion kriminal të dhurimit të parave publike.

Dimensioni i ri po kriminalizon edhe me marrëdhënien e FAMILJES me këtë sektor jetik për vendin, por njëherësh garanton boshatisjen edhe më të arkës së parave publike të shqiptarëve!

Arka e shtetit është bosh!

Përtej optimizmit që nis në Kinë të guvernatorit me dy shami - njërën për vete e tjetrën për kryeministrat - pra guvernatorit Fullani, shifrat e 9-mujorit fiskal tregojnë pikërisht këtë.

Arka është bosh, për shkak se paratë publike nuk shkojnë në buxhetin e shtetit, por rrjedhin në arkat ku materializohen interesat e FAMILJES

Në 9 muaj në arkë mungojnë 227,4 milionë USD të ardhura, mungojnë 199,1 milionë USD të ardhura tatimore, mungojnë 77 milionë USD të ardhura nga akciza, për shkak të tyre - mungojnë 48 milionë USD të ardhura nga TVSH.

Pra 40-45% të parave që mungojnë vijnë nga mosmbledhja e parave nga akciza.

Në një analizë të të ardhurave referuar shifrave të 7-mujorit, Ministria e Financave thotë: Shkak tjetër për mosrealizim të planit të të ardhurave nga akciza mund të jenë procedurat për shtyrje të pagesës së akcizës për sasi karburanti të importuara!

Në qershor dhe në korrik të këtij viti janë raportuar sasi marramendëse naftë të ardhura në portet tona, të rendit të mbi 53 mijë fuçive naftë, për të cilat nuk janë paguar detyrimet fiskale, pasi ajo është konsideruar si lëndë e parë për uzinat përpunuese të ARMO-s! Qeveria e FAMILJES toleroi duke shkelur hapur ligjin në përmbushje të interesave të FAMILJES!

Kjo është kapja e shtetit!

Përplasja e policive të shtetit në shërbim të interesave të FAMILJES, në dyert e ARMO-s u pa me gëzim si lëvizje e vonuar një vit e shtetit për të mbledhur paratë e tij dhe për t’i dhënë fund kontrabandës dhe shkatërrimit të tregut të karburanteve për interesat e FAMILJES!” - tha Braçe.

Punonjësit: Taçi gjeti 60 milionë dollarë mall vetëm në Ballsh

Ky është një shkrim i botuar në media më 7 dhjetor 2008, pikërisht në kohën kur grupi i Rezart Taçit hyri me forcë në ambientet e ARMO-s në Ballsh duke emëruar një drejtor të ri dhe duke tentuar të nxjerrë pa faturë dhe me forcë një tren të mbushur me karburant. Ende nuk është dhënë asnjë shpjegim për këtë ngjarje të rëndë, ku policia u përplas me grupin e Taçit. Pikërisht në këtë shkrim publik, atëherë punëtorët kanë deklaruar në media që vetëm Ballshi pa uzinën e Fierit (tjetër pasuri), ka rreth 60 milionë euro mall. Ky është skandali më i madh që Genc Ruli, i kapur nga Taçi, nuk bëri publik asnjëherë inventarin e kompanisë duke i falur Taçit ARMO-n, pasurinë publike të shqiptarëve

Prifti: Qeveria nuk ka saktësuar se kush do e shlyejë borxhin e ARMO-s

Ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, e ka cilësuar dje si të nxituar veprimin e organeve tatimore në kontrollin e ushtruar ndaj kompanisë ARMO duke shtuar se kompania megjithatë ka mjaft probleme me zbatimin e ligjit. Ministri i Ekonomisë doli qartë në mbrojtje të kompanisë duke thënë se administrata e tatimeve, jo vetëm u nxitua, por ajo nuk ka sqaruar as detajet e urdhrit të kontrollit e as motivin e tij. Ministri qe i detyruar të pranonte problemet e kompanisë, por, sipas tij, qeveria shqiptare dhe shteti me instrumentet e tij e kanë toleruar dhe e kanë shitur kompaninë pa dokumente. Kjo, sipas ministrit, do të thotë se administrata duhet të ishte më e kujdesshme. Kompania e naftës ARMO nuk ka vetëm probleme dokumentacioni, sikundër deklaron administrata fiskale, por pronari i saj, Rezart Taçi, është një nga tatimpaguesit, i cili ka borxhe në tatime dhe dogana. Sipas ministrit, administrata e tatimeve po fsheh arsyen e vërtetë të këtij urdhri për kontrollin e ARMO-s.

“Kompania ARMO mund të ketë probleme, pasi nuk ka paguar një pjesë të taksave ndaj shtetit apo ndaj subjekteve të treta, me të cilat punon, por që ta bllokosh për mungesë certifikate prodhimi, kjo më duket jonormale”, - tha Prifti. Sipas tij, është faji i shtetit që nuk e ka shitur kompaninë me dokumentacionin e duhur. Por ARMO rezulton edhe debitor ndaj “Albpetrol”-it, kompanisë shtetërore të nxjerrjes së naftës. Prifti vijon më tej, kur thotë se në kontratën e privatizimit nuk është e specifikuar se kush do t’i paguajë borxhet e trashëguara. Sipas ministrit, ARMO pretendon se e ka blerë këtë kompani pa detyrime, por ekspertët e ministrisë po merren me sqarimin e detajeve për të zgjidhur situatën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›