Financat e Al-Kaedës drejt tharjes-vrasja e al-Libit vrau edhe premtimet e tij për fonde
Sipas analistëve, vrasja e strategut dhe numrit 2 të Al-Kaedës, Abu Yahya al-Libi, është një goditje e fuqishme për Al-Kaedën, pasi ai ishte personi i cili kishte kontakte personale me grupe militante në Pakistan dhe Afganistan, të cilat shërbenin si korridore për të marrë “donacione” për organizatën e tij
Kur i dytë në komandë të Al-Kaedës, Abu Yahya al-Libi, mbërriti në veriperëndim të Pakistanit disa vite më parë, ai fitoi një respekt aq të madh saqë militantet më të rrezikshëm e përshëndesnin me “Ave”. Pasi u bë një legjendë në botën e hijeve të xhihadit duke u arratisur nga një burg i sigurisë së lartë në Afganistan, në vitin 2005, ai premtoi fonde pafund, trajnime dhe frymëzime për burrat që ëndërronin të shpërthenin masakra në Nju Jork dhe Londër. Në kohën kur u vra nga një avion pa pilot i SHBA-së javën e kaluar, ai ishte viktima e fundit e një seri sulmesh ajrore për të shkatërruar bazat e Al-Kaedës përgjatë kufirit pakistanezo-afgan. Financat e Al-Kaedës po thahen, dhe ata që dikur shikonin tek kjo organizatë një idhull, pyesin veten nëse ajo do të mbijetojë apo jo. "Imagjinoni. Dikur udhëtonin me kamionë të mëdhenj, ndërsa tani udhëtojnë me motoçikleta për shkak të mungesës së burimeve", tha një komandant nga talebanët pakistanezë, i cili është i afërt me Al Kaedën. Shkatërrimi i rrjetit në zonën kufitare filloi kur Osama Bin Laden u vra në një qytet pakistanez në maj të vitit të kaluar, dhe operacione të tjera ajrore e kanë dobësuar më tej rrjetin. Vetëm rreth tetë lider të fuqishëm të al Kaedës besohen se janë ende të strehuar në kufirin afgano-pakistanez. Pasuesi i Bin Laden-it, lideri i tanishëm i Al-Kaedës, Ayman al-Zawahri, është në mesin e atyre që besohen se fshihen në këtë zonë. Gjatë një interviste telefonike, një komandant taleban tha se shumë besnikë të Alk-Kaedës po shesin armët e tyre për të siguruar para në mënyrë që të kthehen në shtëpitë e tyre. Por, sulmi që vrau klerikun libian në Vaziristanin Verior, dhe sulme të tjera të ngjashme në strehimet militante, nuk e kanë bërë rajonin të sigurt. Disa grupe tjera të armatosura gumëzhijnë zonën, dhe nuk janë të dobët. Ndërkohë që fushatat ajrore kanë dobësuar al Kaedën, aleati i saj -talibanët pakistanezë- mbetet një forcë shumë e fuqishme, pavarësisht sulmeve të ushtrisë së Pakistanit kundër bazave të saj në veriperëndim të vendit. Të cilësuar si kërcënimi më i madh i sigurisë për SHBA-në, talibanët janë fajësuar për shumë sulme vetëvrasëse në të gjithë Pakistanin. Sipas zyrtarëve amerikanë, rrjeti Haqqani, i cili është aleati kryesor i talibanëve në Afganistan, gjithashtu ka baza në veriperëndim të Pakistanit. Për Shtetet e Bashkuara, megjithatë, liderët e Al Kaedës, grupi që ishte prapa sulmeve të 11 shtatorit në Nju Jork dhe Uashington, duket të jetë objektivi kryesor. "Ne sapo rrëzuam një tjetër udhëheqës të Al-Kaedës”, tha sekretari amerikan i Mbrojtjes Leon Panneta, duke iu referuar Libit, i cili ishte i dytë në komande dhe një strateg i lartë. "Puna më e keqe që mund t’ju ofrojnë sot është që të jesh zv/lider i Al-Keadës”, shtoi ai duke qeshur.
Financat e Al-Kaedës janë tharë
Banorët në këtë zonë, zyrtarët pakistanezë të inteligjencës dhe ish-militantë militantë kanë theksuar se ofensivat ajrore i kanë vendosur liderët e Al-Kaedës dhe luftëtarët e saj në pozicion mbrojtjeje, duke kufizuar kështu lëvizjet e tyre dhe aftësinë e tyre për të krijuar aleanca të ngushta me grupe të tjera militante. Financimi është provuar të jetë i vështirë, pasi ajo është bërë tradicionalisht në kesh, dhe jo nëpërmjet sistemeve bankare, duke shmangur kështu çdo gjurmim të mundshëm. Libi ishte një nga udhëheqësit e paktë të Al-Kaedës që kishte kontakte personale me komandantë të grupeve të tjera militante. Ai ka përdorur karizmin e tij, dhe kredencialet si një teolog, për ta mbajtur rrjetin e Al-Kaedës të paprekur nga presioni në rritje i sulmeve me avion pa pilot. "Vdekja Libi është një goditje e madhe për Al Kaedën. Ajo aktualisht është duke u përballur me probleme serioze financiare në zonat fisnore të Pakistanit," tha një zyrtar pakistanez i zbulimit. "Dërgimi dhe marrja parave është bërë shumë e vështirë për ta, sepse shumica e kanaleve të tyre kanë qenë të mbyllur apo të komprometuara. Kjo ka ndikuar shumë tek operacionet e tyre".