E Diel, 1 Nëntor 2026

Financat futen në krizë? Në maj rënie drastike, të ardhurat bien me 30%

lekuTë dhënat e fundit zyrtare tregojnë së muaji maji ishte katastrofik për financat e shtetit. Sipas Ministrisë së Financave të ardhurat nga taksat ranë me 30 për qind krahasuar me majin e vitit 2012.

Shifrat tregojnë se kjo është rënia më e madhe e të gjitha kohërave, duke nxjerrë jashtë parametrave ligjor të gjithë treguesit e buxhetit. Në total si pesëmujor, të ardhurat e mbledhura në arkën e shtetit janë 10.7 miliardë lekë më pak se plani dhe mbi 7.6 miliardë lekë më të ulëta se një vit më parë.

E thënë ndryshe, për pesë muajt e parë të vitit, shifra e të ardhurave që janë mbledhur në buxhet është më e ulëta e katër viteve të fundit. Por teksa të ardhurat po bien me ritme të shpejta, në prag të zgjedhjeve qeveria ka rritur fort shpenzimet.

Sipas shifrave, krahasuar me një vit më parë shpenzimet e shtetit janë rritur me 16 miliardë lekë ndërsa krahasuar me planin buxhetor të periduhës ato janë 6.3 miliardë lekë më shumë.   Rënia e të ardhurave dhe rritja e shpenzimeve e kanë cuar deficitin, vetëm për pesë muajt e parë në 425 milionë dollarë. Kjo është 2.2 herë më shumë se një vit më parë dhe 1.7 herë më shumë se plani i periudhës.

Në draftin fillestar kufiri ligjor i deficitit për vitin 2013 ishte 48.9 miliardë lekë. Por në prill Qeveria bëri një ndërhyrje duke e rritur shifrën në 60.7 miliardë lekë. Sipas vendimit, shtesa do të financohej me paratë e privatizimeve për të shlyer borxhet e prapambetura ndaj biznesit. Por me rimtet e pesëmujorit edhe ky kufi i rritur i deficitit ka gjasa të tejkalohet. Nga ana tjetër rënia e të ardhurave pritet të vazhdojë për shkak të efekteve nga uljet e taksave që qeveria miratoi në prag të zgjedhjeve, ndërkohë që shpenzimet jo vetëm nuk janë vënë nën kontroll por janë rritur përtej çdo kufiri.

/Top Channel/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›