Financat, gati gjobat për tetë grosistë të naftës
TIRANE-Organet e Tatimeve, me urdhër nga vetë ministri Bode, kanë bërë gati gjoba shumëmiliardëshe për tetë nga tregtarët më të mëdhenj grosistë të hidrokarbureve në Shqipëri. Sipas burimeve nga Drejtoria e Tatimeve, këto janë kompanitë: 'Kastrati', 'Viloil', 'Europetrol', 'Klodi shpk', 'Petrolimpex', 'Taçi Oil', 'Braka Oil' dhe 'Anoil'. Sipas të njëjtave burime, gjoba më e lartë e parashikuar është rreth 20 milionë euro, për njërën nga këto kompani. Vetëm gjatë ditës së djeshme, tatimorët kanë vazhduar me mbylljen e aktivitetit të shitjes së karburanteve në disa rrethe, duke bllokuar pika të shoqërive 'Kastrati', 'Taçi Oil' dhe 'Europetrol' në Tiranë, Durrës dhe rrethe të tjera të vendit. Sikurse është bërë tashmë e ditur në shtyp, arsyeja e kësaj fushate penalizimesh është rezultat i një kontrolli të ushtruar muajt e fundit në shoqëritë e karburanteve, ku është marrë si bazë një çmim reference i vitit të kaluar, ndër-kohë që ato po gjobiten edhe për mosvendosje të kasave fiskale. Për të dyja këto arsye, shoqëritë kanë sjellë kundër-argumentet e tyre. Çmimi i naftës ndryshon vazhdimisht, si në ulje, ashtu edhe në ngritje. Kurse për kasat është paguar paradhënia, por janë kompanitë fiskalizuese ato që janë tërhequr pas problemeve teknike që lindin nga teknologjia e veçantë e lidhjes së këtyre kasave me pompat.
(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)
(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)