E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ronaldo kalon dëmtimin, në fushë kundër Zyrihut

MADRID- Kristiano Ronaldo duket se e ka lënë pas dëmtimin dhe është rikthyer të stërvitet për Realin e Madridit. Trajneri Pelegrini e ka përfshirë atë në listë për ndeshjen e Champions League kundër Zyrihut, në program të mërkurën në mbrëmje në “Bernabeu”. Ronaldo vuante një dëmtim në gju dhe prej dy muajsh ka qëndruar jashtë fushave të lojës. 

Ndaj Zyrihut ai pritet të luajë të paktën një pjesë loje, por më e rëndësishme është fakti që ai do të jetë i gatshëm për takimin ndaj Barcelonës ditën e dielë. Sulmuesi argjentinas Gonzalo Higuain shpjegoi në një konferencë për shtyp se sa i rëndësishëm është rikthimi i portugezit. “Ai ka treguar se sa i rëndësishëm është në momentin që nuk ishte i dëmtuar. Ronaldo shënoi thuajse në çdo ndeshje dhe ishte një lojtar me ndikim të madh në skuadër. Fakti që ai është rekuperuar në këtë javë të rëndësishme është një ndihmë e madhe për ne”, tha Higuain. Argjentinasi shtoi gjithashtu se ndeshja ndaj Zyrihut është më e rëndësishme se ajo me Barcelonën në këto momente. 

Ndërkohë, trajneri Manuel Pelegrini ka deklaruar se Ronaldo është lojtari më i mirë në botë, por pjesa tjetër e skuadrës e ka bërë mirë detyrën e saj kur skuadra kishte nevojë. “Për atë çfarë ka arritur ai konsiderohet si lojtari më i mirë në botë, por edhe pa Kristiano Ronaldon ne kemi arritur të jemi në vend të parë në kampionat dhe në Champions League. Asnjë skuadër nuk varet nga një lojtar i vetëm dhe për mendimin tim, pjesa tjetër e ekipit është përgjigjur siç e prisja”, u shpreh Pelegrini. Reali i Madridit ka 7 pikë në grupin C, po aq sa edhe Milani, ndërsa Marseja ndodhet në vend të tretë me 6 dhe Zyrihu në fund me vetëm 3 pikë.
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›