E Shtunë, 31 Tetor 2026

Financat hapin garën për licencën e kontablit

11/12/2008  Publikohen nenet mbi kufizimin e ushtrimit të profesionit dhe rastet e heqjes përfundimtare të licencës

Vitin e ardhshëm Ministria e Financave duket se do të rihapë procedurën për marrjen e licencës kontabël të miratuar. Kjo parashikohet dhe në projektligjin që ka nisur të diskutohet me grupet e interesit. Ndërsa në të thuhet se të drejtën do ta kenë ata persona që kalojnë provimet përkatëse. Ndërsa për të arritur deri në test do të duhet stazhi 3-vjeçar i punës si dhe përfundimi i ciklit të dytë të studimeve për ekonomik. Prej gati tre vjetësh ministria ka ndërprerë këtë garë, ndërsa me draftin e ri gjithçka do të jetë e hapur. Nga ana tjetër projektligji parashikon dhe afatin maksimal për të drejtën e ushtrimit të profesionit. Kështu projekti parashikon të drejtën e mbajtjes së profesionit deri në moshën 65-vjeçare, ndërsa për ata që kanë një titull doktorature ose dhe më të lartë profesioni ushtrohet deri në moshën 68-vjeçare. Gjithsesi projektligji pritet të kalojë për votim në qeveri në fillim të muajit janar, ndërsa votimi i tij në Kuvend mbetet për në muajin shkurt-mars.

Çregjistrimi i ekspertëve kontabël nga regjistri publik

1. Eksperti kontabël fshihet përfundimisht nga regjistri publik i eksperteve kontabël në rastet kur:

a) heq dorë nga e drejta për ushtrimin e profesionit të ekspertit kontabël. Heqja dore

bëhet nëpërmjet deklarimit me shkrim kopje e të cilit i dërgohet organizatës

profesionale dhe bordit të mbikëqyrjes publike;

b) konstatohen parregullsi në dokumentet e nevojshme që tregojnë për përfundimin me sukses të provimeve të aftësisë profesionale, apo deklarime të pavërteta në lidhje me dhënien fund të papajtueshmërive që kërkohen për ushtrimin e profesionit në praktikë dhe për garancitë etike e morale të dorëzuara në momentin e bërjes së kërkesës për regjistrimin e parë në regjistrin publik, apo në dokumentet e në faktet e deklaruara gjatë procedurave të mundshme të pezullimit të përkohshëm të ushtrimit të profesionit;

c) në përfundim të një procedure disiplinore ndaj tij është marrë masa disiplinore e çregjistrimit nga regjistri publik;

d) është hequr e drejta e ushtrimit të profesionit për shkak të ndryshimit të kushteve të domosdoshme për regjistrim të lidhura me pjesëmarrjen në kapital;

e) për shkak të shkeljeve dhe masave disiplinore të përsëritura, reputacioni i të regjistruarit është cenuar ndjeshëm;

f) në përputhje me dispozitat e këtij ligji, bordi ka vendosur çregjistrimin nga

regjistri publik;

g) individi i regjistruar ne regjistrin e eksperteve kontabël, arrin moshën 65 vjeç, me përjashtim të ekspertëve kontabël të autorizuar me titull shkencor “doktor i shkencave” apo me titull me te larte, të cilët çregjistrohen kur arrijnë moshën 68 vjeç;

h) individi vdes;

i) personi juridik, përfundon afatin e ushtrimit te veprimtarisë te parashikuar ne statutin e vet.

Kontabilisti i miratuar dhe shoqëria e kontabilitetit

1. Shërbimet e kontabilitetit janë përgjegjësi e drejtimit të shoqërive tregtare dhe entiteteve të tjera.

2. Përveçse përmes punonjësve të angazhuar me një kontratë punësimi të hartuar në pajtim me Kodin e Punës në Republikën e Shqipërisë, shërbimet e kontabilitetit si dhe shërbimet profesionale të tjera, mund të realizohen edhe nga persona fizikë të kualifikuar si kontabilistë të miratuar ose nga shoqëritë e kontabilitetit, që angazhojnë kontabilistë të miratuar, të cilët janë certifikuar nga Autoriteti i Certifikimit.

3. Shoqëritë e kontabilitetit organizohen si shoqëri me përgjegjësi të kufizuar dhe duhet të administrohen nga një ose më shumë persona, të cilët janë pajisur me certifikatën kontabilist i miratuar.

Neni 49

Kriteret e përzgjedhjes dhe regjistrimit të kontabilistit të miratuar

1. Titulli profesional i kontabilistit të miratuar i jepet personit fizik që plotëson këto kritere:

Është pajisur me një diplomë të shkollës së lartë të nivelit të dytë në degën

e kontabilitet dhe degë të tjera të ngjashme të fushës së ekonomisë si

ekonomiks, financë, administrim biznesi, politika ekonomike, etj.

Ka të paktën tre vjet eksperiencë profesionale në fushën e kontabilitetit, të

financës, kontrollit financiar dhe fusha të ngjashme.

Ka kryer kursin e kualifikimit në fushën e standardeve kombëtare dhe

ndërkombëtare të kontabilitetit dhe raportimit financiar, të organizuar ose

monitoruar nga organizata profesionale e kontabilistëve të miratuar ne te

cilën individi dëshiron qe te anëtarësohet.

Kalon me sukses provimet e aftësisë profesionale.

Neni 50

Provimi i aftësive profesionale

1. Për të fituar titullin kontabilist i miratuar, kandidatët që plotësojnë kriteret e parashikuara në nenin 49 te këtij ligji, i nënshtrohen provimit të aftësisë profesionale për vetëm dy testet e para që ju nënshtrohen edhe ekspertët kontabël të autorizuar, të parashikuara në shkronja a) dhe b), te paragrafit te dyte te nenit 18 te këtij ligji.

Neni 51

E drejta e ushtrimit të profesionit

1. Profesioni i kontabilistit të miratuar nga personat që janë kane kaluar provimin e aftësisë profesionale, ushtrohet vetëm pas anëtarësimit të tyre në një organizatë profesionale të kontabilistëve të miratuar, të njohur nga Bordi, e cila angazhohet për ndjekjen e standardeve profesionale cilësisht të larta dhe për zbatimin e një Kodi etike që është në pajtim me Kodin e Etikës të IFAC-ut.

2. Organizmat profesionale të kontabilistëve të miratuar mbajnë dhe publikojnë regjistrin e anëtarëve, i cili ndahet në katër seksionet e mëposhtme:

a) anëtarë persona fizikë aktivë

b) anëtarë persona fizike jo - aktive

c) kandidatë dhe

d) shoqëri të kontabilistëve të miratuar

3. Organizmat hartojnë rregullat e tyre të brendshme dhe statutin, i cili është subjekt i miratimit nga Bordi.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›