E Diel, 1 Nëntor 2026

OPEC, 15 milionë USD për rehabilitimin e mbi 101 km rrugë dytësore

Komisioni i Ekonomisë miratoi dje projektligjin "Për ratifikimin e marrëveshjes së huasë ndërmjet qeverisë shqiptare dhe Fondit të OPEC-ut për zhvillim ndërkombëtar (OFID) për financimin e projektit të rrugëve dytësore dhe vendore". Rreth 101.2 km rrugë dytësore në 10 prej 12 qarqeve në vend do të rehabilitohen përmes një kredie prej 15 milionë dollarë nga fondi i OPEC-ut. Projektligji "Për ratifikimin e marrëveshjes së huasë ndërmjet qeverisë shqiptare dhe Fondit të OPEC-ut për zhvillim ndërkombëtar (OFID) për financimin e projektit të rrugëve dytësore dhe vendore" u miratua të mërkurën nga Komisioni i Ekonomisë. Projekti do të zbatohet nga Fondi Shqiptar për Zhvillim (FSHZH), drejtori i të cilit Benet Beci, tha në mbledhjen e sotme të Komisionit të Ekonomisë se "projekti synon përmirësimin e shërbimeve kryesore dhe të tregjeve ekonomike, nëpërmjet sigurimit të rrugëve të përshkueshme". Ky synim, sipas tij, përfshihet në objektivat e Strategjisë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim, 2007-2013.

Duke u ndalur në këtë aspekt, Beci theksoi se projekti parashikon financimin e nënprojekteve për të rehabilituar dhe rindërtuar seksionet e përzgjedhura si parësore të rrjetit të rrugëve dytësore e vendore, përfshirë këtu dhe sigurimin e infrastrukturës së sigurisë rrugore. Nëpërmjet kredisë prej 15 milionë dollarë, pritet të përmirësohet situata e rrugëve dytësore në rajonet e Vlorës, Tiranës, Korçës, Dibrës, Lezhës, Kukësit, Fierit, Beratit, Gjirokastrës dhe Elbasanit.

Kompania amerikane “Computer & Copier Systems”, 15 vjet në Shqipëri

“Computer & Copier Systems”, një emër i njohur në tregun e IT në Shqipëri ka mbushur 15 vjet. Historiku dhe suksesi i kompanisë që zuri ngadalë një vend të respektuar në treg në një kohë që në Shqipëri sapo kishte filluar të ndërtohej ekonomia e tregut, do të kujtohet në ceremoninë e organizuar sot në “Hotel Sheraton”. Janë të ftuar në këtë ceremoni ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, Ambasadori Amerikan në Tiranë, z. John W. Withers si dhe shumë personalitete të njohura të fushës. Bashkë me punonjësit e CCS në këtë ditë do të jenë dhe përfaqësues të gjigandëve në fushën e IT si HP, Microsoft, Oracle, Cisco, Xerox, me të cilët CCS bashkëpunon dhe ka statusin e Partnerit te Privilegjuar. IT është një fushë që përmbush vizionin e së ardhmes për Shqipëri. Integrimi në Evropë nuk mund të arrihet pa kontributin e çmuar që ky sektor sjell në jetën e çdo vendi. Komisioni i KE ka deklaruar se “gjysma e të ardhurave të prodhuara nga ekonomitë tona janë rrjedhoje e impaktit që ICT (Informacioni dhe Komunikimi Teknologjik) ushtron mbi produktet, shërbimet dhe mbi procesin e biznesit”. Aktualisht Tregu i IT në Shqipëri ka vazhduar të rritet fortësisht gjatë 2007, si rrjedhojë edhe e rritjes së shpejtë së sektorit financiar dhe atij të telekomunikacionit, rënies së çmimeve të pajisjeve teknike dhe zhvillimit ekonomik. Duke u bazuar tek studimi i fundit i International Data Corporation (IDC), tregu i IT në Shqipëri në 2007, ka arritur ne 89.34 milionë USD, duke përfaqësuar 28.3% të rritjes vjetore të vendit. E shprehur në lek, tregu ka një rritje me rreth 16.3% në vit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›