E Shtunë, 31 Tetor 2026

OPEC: 15 milionë dollarë për rrugët dytësore

11/12/2008  Komisioni i Ekonomisë

Fondi i OPEC-ut do të financojë me 15 milionë dollarë rehabilitimin e rreth 101.2 kilometra rrugë dytësore. Ky projekt do të zbatohet në 10 nga 12 qarqe në vendin tonë. Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas ndërmjet Qeverisë shqiptare dhe fondit të OPEC-ut për zhvillim ndërkombëtar (OFID) për financimin e projektit të rrugëve dytësore dhe vendore” u miratua dje nga Komisioni i Ekonomisë dhe do të zbatohet nga Fondi Shqiptar për Zhvillim. “Projekti synon përmirësimin e shërbimeve kryesore dhe të tregjeve ekonomike, nëpërmjet sigurimit të rrugëve të përshkueshme”, - tha Benet Beci, drejtor i FSHZH-së. Ai theksoi se projekti parashikon financimin e nënprojekteve për të rehabilituar dhe rindërtuar seksionet e përzgjedhura si parësore të rrjetit të rrugëve dytësore e vendore, përfshirë këtu dhe sigurimin e infrastrukturës së sigurisë rrugore. Nëpërmjet kredisë prej 15 milionë dollarësh, pritet të përmirësohet situata e rrugëve dytësore në rajonet e Vlorës, Tiranës, Korçës, Dibrës, Lezhës, Kukësit, Fierit, Beratit, Gjirokastrës dhe Elbasanit. Zbatuesja e këtij projekti, FSHZH ka një përvojë të gjatë në zbatimin e projekteve të financuara nga Banka Botërore, pasi që nga viti 1993 ka zbatuar 6 projekte të tilla.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›