E Shtunë, 31 Tetor 2026

Financat, pritet rishikim i buxhetit

Ministri i Financave nuk e cilësoi mëse të mundshme mundësinë e ndryshimeve në buxhet në muajt në vijim

Bode: Të ardhurat nga doganat dhe tatimet tejkaluan planin për tremujorin e parë të këtij viti

TIRANË- Ministri i Financave, Ridvan Bode, doli dje me shifra tejet optimiste për sa i përket zhvillimeve ekonomike gjatë tre mujorit të parë të vitit 2010 në vend. Më shumë se me tremujorin e parë, optimizmi i kreut të Financave lidhet vçanërisht me treguesit e arritur gjatë muajit mars 2010. Duke theksuar daljen e vendit nga ndikimi i krizës ekonomike globale Bode përmendi një e nga një te gjithë treguesit të cilët sipas tij ndikuan në rikthimin e ekonomisë së vendit në dinamikën normale të zhvillimit të saj. Duke marrë në konsideratë uljen e të ardhurave në buxhetin e shtetit gjatë tre mujorit të fundit të vitit 2009 qeveria uli me 30 miliardë lekë parashikimet e të ardhurave në buxhet duke bërë një program me shpenzime më të vogla. Pikërisht duke iu referuar këtij programi kreu i Financave raportoi dje të dhënat për sa i përket realizimeve në dogana dhe tatime. Mësohet se gjatë tremujorit të parë të këtij viti, doganat kanë realizuar 2.1 miliardë lekë më shumë të ardhura krahasuar me parashikimet e qeverisë në programin buxhetor të rishikuar. "Të ardhurat gjatë muajit mars janë tejkaluar në krahasim me programin fillestar të programit të qeverisë. Ne bemë një korrigjim në programin e të ardhurave me 30 miliardë lekë. Në të vërtetë, marsi ka kaluar këto parashikime pra ato të programit të rishikuar. Administrata doganore raporton për një rritje me 13 për qind gjatë muajit mars, me 2.1 miliardë lekë më shumë se e njejta periudhë e vitit të shkuar. Këto të ardhura janë realizuar në një muaj kur importi i karburanteve ka qënë 10 mijë tonë më pak krahasuar me marsin e vitit 2009", - tha Bode.
Me rritje gjithashtu pasqyrohen edhe treguesit e tatimeve të cilat mësohet se gjatë tremujorit të parë kanë tejkaluar me 300 milionë programin e qeverisë duke pasqyruar një ringjallje të aktivitetit të qarkullimit të mallrave brenda vendit. "Gjatë periudhës tremujore ka një rritje të volumit të eksportve me 167 mijë ton ose 74 për qind më shumë se e njejta periudhe vitit të kaluar. Tatimet kanë kaluar programin fillestar me 2 për qind ose 300 milionë lekë. Më i rëndësishëm edhe sinjifikativ për ekonominë janë të dhënat për TVSH-në që janë rritur me 25 për qind gjatë këtij viti krahasuar me marsin 2009", - vijoi Bode. I pyetur nëse qeveria parashikon të rishikojë buxhetin nisur edhe nga të dhënat pozitive të arritura gjatë tremujorit të shkuar Bode theksoi se ndryshimet në buxhet janë mëse të mundshme nëse këto tregues do të arrihen edhe në muajt e ardhshëm.


Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›