E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bode: Efektet e krizës u kapërcyen

Muaji mars i kthen optimizmin fiskal qeverisë. Pas një mungese disamujore informacioni për tatimet e doganat ministri i Financave Ritvan Bode dhe drejtuesit e tjerë të sistemit fiskal dolën me entuziastë para medive dhe deklaruan se marsi në aspektin e mbledhjes së të ardhurave është 28 për qind më i lartë se planifikimi. Megjithatë vlen të theksohet se si tremujor të ardhurat janë në nivelin 95 për qind të planifikimit.

"Në mars ndodhi ajo që ekonomia shqiptare iu rikthye ritmeve të saj, nuk mund të rrinte për shumë kohë të gjatë e ndrydhur dhe nën presionin e krizës globale. Ajo si të themi stanjacioni momental i tre-kater muajve të fundit ishte tepër i rikuperushëm dhe ju po e shihni që shifrat janë shumë optimiste", deklaroi Ridvan Bode, ministër i Financave.

Bode ka hedhur poshtë edhe mundësinë që rritja fiskale e marsit të ketë ardhur nga nisja e investimeve publike. "E di ku është meraku juaj, qe ne kemi dhënë shumë investime dhe kemi rikuperuar nga investimet. Po ju them, kemi paguar në muajin mars rreth 9 miliardë lekë investime, TVSH-ja e të cilëve do të rekuperohet në muajin prill, sepse ju e dini që bëhet me një muaj vonesë", vijoi Bode.

Kreu i Financave ka folur për shifra pozitive në tatime, dogana, qarkullim ekonomik dhe eksporte. Ai ka ftuar edhe sistemin bankar dhe biznesin privat të bëhen pjesë e këtyre zhvillimeve pozitive ekonomike.

Adi Darsi

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›