E Shtunë, 31 Tetor 2026

Financial Times : “Mirë se erdhe, Shqipëri”

Autori i Lajmit: red.
"Financial Times" gjykon se Brukseli duhet të vazhdojë zgjerimin. Por në rastin me Shqipërinë, BE do të dojë të shohë standardet për zgjedhjet e qershorit. Artikulli kujton se Shqipëria duhet të bëjë shumë më shumë në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. “BE ka mirëpritur një kërkesë për anëtarësim të një vendi të vogël si Shqipëria pikërisht në kohën e krizës së rëndë financiare, të problemeve me traktatin evropian dhe marrëdhënieve të trazuara me Rusinë. Mospranimi i kandidaturës së Shqipërisë është një veprim i lehtë, por i gabuar”. Kështu e cilëson këtë hap “Financial Times”, në një artikull të djeshëm për Shqipërinë, pas dorëzimit të kërkesës për anëtarësim në BE.
Sipas gazetës, zgjerimi i BE-së është një nga sukseset më të mëdha, dhe duhet të përqafohen edhe vende të brishta të Ballkanit Perëndimor si Shqipëria. Hapi i Tiranës zyrtare vjen pak ditë pasi BE pranoi një tjetër aplikim, atë të fqinjit malazez. Por Shqipëria, thotë Financial Times , do të presë ca muaj deri sa Brukseli t i japë Ok , pasi BE do të dojë të shohë nëse zgjedhjet parlamentare të qershorit janë në përputhje me standardet demokratike. Në fakt, në titullin e artikullit shkruhet: “Mirë se erdhe, Shqiperi!”, pasi gazeta gjykon se Brukseli duhet të vazhdojë zgjerimin edhe në kohën kur përballet me pengesa serioze. Ndërkohë që “Financial Times” shton se të gjitha vendet kandidate duhet, në radhe të parë, të luftojnë krimin dhe korrupsionin. “Nuk do të jetë e lehtë, por do të jetë edhe më e vështirë pa perspektivën evropiane”, shkruan “Financial Times”. Artikulli vijon më tej me thirrjen që BE duhet të vendosë rregullin në shtëpinë e vet. Traktati i Lisbonës duhet të fitojë miratimin e gjithë vendeve në pritje që referendumi irlandez të përsëritet këtë vit. Përndryshe, nuk do të ketë asnjë mundësi hyrjeje për vendet e reja, përveç Kroacisë. Turqia dhe Kroacia janë dy vende në bisedime për anëtarësim. Por, kanë vështirësi të mëdha. Për Turqinë ka mungesë vullneti politik nga BE, ndërsa për Kroacinë po pengon dukshëm sherri me Slloveninë për kufirin. Katër vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor – Serbia, Bosnja, Maqedonia dhe Kosova – përballen me shumë sfida para se të mund të hyjnë në bisedime për anëtarësim. Serbia duhet të arrestojë fillimisht Ratko Mlladiçin, të akuzuarin për gjenocid; Bosnja duhet të dëshmojë unitet më të madh midis komuniteteve të ndara etnike; Maqedonia duhet ta zgjidhë konfliktin rreth emrit me Greqinë dhe Kosova duhet të fitojë më shumë njohje ndërkombëtare të pavarësisë së saj.
Ky lajm është publikuar: 30/04/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›