E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: “Punisto–mafiozët, kundër shtetit ligjor”

Autori i Lajmit: Redaksia
Kryeministri Sali Berisha ka komentuar dje ultimatumin e opozitës, e cila ka vënë si afat 5 dhjetorin për qeverinë që të lejojë hapjen e kutive dhe të bëjë transparencën e zgjedhjeve. Berisha i ka quajtur si aleanca puniste drejtuesit e protestës opozitare, e cila për 3 ditë me radhë qëndroi para Kryeministrisë në kërkim të hapjes së kutive. “Aleanca punisto-mafioze nuk do mund të dhunojë rendin demokratik dhe legjitimitetin e institucioneve kushtetuese të vendit. Do ti shkulim me darët e ligjit një nga një të gjitha dhëmbët e dhëmballët aleancës puniste-mafioze, derisa mos ti ngelet më asgjë në gojë. Qendra e Tiranës u çlirua, po vazhdon pak më tutje e kështu me radhë. Ultimatumet e aleancës punisto-mafioze i marr si nder, më bëjnë nder mua, rendit kushtetues dhe ne do të vazhdojmë projektet evropiane”, - tha Berisha rreth protestës së opozitës për hetim të zgjedhjeve të lira. I pyetur veçanërisht rreth ultimatumit, Berisha theksoi se “unë ultimatumet i marr si nder. Ne do të vazhdojmë me përpjekjet dhe planet tona”. Më tej ai komentoi dhe festën e 8 dhjetorit. E paralajmëruar si një festë e demokracisë dhe aspiratës evropiane të vendit, Partia Demokratike ka mbledhur strukturat politike të Degës Tiranë dhe deputetët e këtij qarku për të përcaktuar detajet mbi organizimin e mitingut të 8 dhjetorit. “Nuk mund ta lë pa theksuar se ata të cilët në vitin 90 na quajtën si antimiting apo mitingashë, në refleksin e etërve të tyre, sërish kanë hapur gazetat e tyre me gërma kapitale dhe vlerësuan 8 dhjetorin si një antimiting. 8 dhjetori është festa e shqiptarëve dhe e idealeve evropiane të shqiptarëve”,- tha Berisha. Kryeministri Sali Berisha tha se ky organizim festiv vjen në një kohë kur vendi ka bërë hapa të rëndësishëm përpara drejt realizimit të ëndrrës evropiane. "Ky përvjetor gjen në pushtet ata që përmbysën diktaturën dhe shembën "Murin e Berlinit". Ky përvjetor gjen shqiptarët me idealin e tyre euroatlantik të shndërruar në realitet, e gjen Shqipërinë si vend anëtar i NATO-s dhe kjo është një arsye madhore për të festuar me krenarinë më të madhe",- tha kryeministri Berisha. Këtu kryeministri kujtoi vendimin më të fundit të BE, të marrë më 16 nëntor, vendim që u hapi rrugë procedurave që Shqipëria të përfitojë statusin e vendit kandidat. "Ky përvjetor i gjen shqiptarët pas vendimit historik të 16 nëntorit për miratimin e kërkesës së Shqipërisë për anëtarësim në BE, më pranë lëvizjes së lirë në mbarë kontinentin evropian". Në këtë drejtim, Kryeministri siguroi se "Qeveria do të vazhdojë projektin evropian dhe nuk do të përfillë ultimatumet e opozitës". Gjatë mbledhjes së zhvilluar në selinë e Partisë Demokratike, u bë dhe prezantimi i Keltis Krujës si sekretar i degës së PD Tiranë, post që mbahej nga Bujar Nishani.

Ky lajm është publikuar: 25/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›