E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çmimi i biletave e aboneve drejt dyfishimit

19/01/2012  Transporti Publik. Kërkesa për rritjen e çmimit të biletës nga 30-70 lekë, e aboneve nga 1300-2600 lekë.

Qytetarët në panik. Shoqata e transportit kërcënon me mbyllje të linjave nëse nuk aprovohet rritja

Pranvera Kola

Paniku mbërthen kryeqytetasit, pasi shumë shpejt biletat dhe abonentë që përdoren për transportin publik mund të shkojnë drejt dyfishimit. Drejtuesit e shoqatës së transportit publik kanë komunikuar gjatë ditës së djeshme kërkesën që do t’i bëhet Bashkisë së Tiranës për një rritje të mundshme të çmimit të biletave nga 30 lekë që është aktualisht në 70 lekë. Po ashtu rritje dyfish është kërkuar edhe për kartelat abone, për të cilat është propozuar rritja e çmimit në 26 mijë lekë. Sipas drejtuesve të shoqatës së transportit publik, arsyet e rritjes së çmimit kanë ardhur si rezultat i shpenzimeve të bëra gjatë dy vjetve të fundit mbi përmirësimin e kushteve të transportit, ku përfshihen blerja e urbanëve të rinj me kushte më komode udhëtimi, investime të cilat sipas tyre kapin vlerën e 19.2 milionë eurove të marra hua nga bankat. Duke i shtuar kësaj dhe rritjen e çmimit të karburantit çdo vit, operatorët e transportit urban këmbëngulin se çmimi aktual i biletës jo vetëm që nuk i mbulon shpenzimet e tyre, por i çon ata drejt një kolapsi financiar për shkak të huas që kanë me bankat. "Ne vitin e kaluar kemi bërë një investim jashtëzakonisht të madh, gati 19.2 milionë euro, me të cilat kemi blerë autobusë me kilometër zero, autobusë me kushte komode. Të gjitha këto ritin koston. Ndryshe nga bizneset e tjera, ne duhet të akumulojmë. Pra, amortizimi i mjeteve është jashtëzakonisht i madh dhe pas 7 vjetësh përsëri Bashkia do të kërkojë autobusë me kilometër zero", - ka deklaruar gjatë ditës së djeshme kryetari i Shoqatës Kombëtare të Transportit Qytetas, Hazbi Parllaku. Sipas kësaj shoqate, një tjetër arsye e rritjes së çmimit të biletës është edhe indeksimi i çmimit që duhet të bëhet në raport të drejtë me çmimin e naftës në treg. "Nafta te ne zë 60 për qind të kostot. Që nga viti 2008 nuk është indeksuar rritja e çmimit të naftës me rritjen e çmimit të biletës", - ka shtuar më tej Parllaku. Përballë këtyre propozimeve qytetarët shprehen të revoltuar, pasi rritja e çmimit më shumë sesa dyfishimi i biletës aktuale është i papërballueshëm për ta. E në rast të aprovimit të rritjes së çmimit, shumë prej tyre do të detyrohen që të mos përdorim më transportin publik për shkak të mospërballimit të faturës financiare, që do t’u kërkojë përdorimi i transportit publik. Nga ana tjetër, shoqata e transportit publik ka deklaruar se në rast të mosmarrjes parasysh të kërkesave të tyre do të shkojnë drejt falimentimit, pasi do të detyrohen të mbyllin fare biznesin. Pak kohë më parë kjo shoqatë është takuar edhe me kryebashkiakun Lulzim Basha takim në të cilin bashkia ka deklaruar marrjen e masave për mbulimin e kostos së transportit publik ndaj shtresave në nevojë si studentët apo pensionistët, por që nuk u përfol për një rritje të mundshme të çmimit të biletës. Megjithatë, propozimet mund t’i kalojnë Bashkisë nëpërmjet kërkesës përkatëse, por në fund vendimin për të rritur çmimin e biletës do ta ketë Këshilli i Ministrave. Rritja më e fundit e biletës së transportit urban u bë katër vjet më parë, në maj të vitit 2008, me 10 lekë, duke e çuar çmimin nga 20 në 30 lekë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›