“Financimi i BERZH, shenjë besimi ndaj politikave financiare të Bashkisë së Tiranës”
Ndërtimi i terminalit në Tiranë, flet nënkryetarja e bashkisë, Jorida Tabaku
Ekspertë të vendit dhe të huaj do të nisin studimin e projektit multimodal në Tiranë. E parë si një nga projektet më të mëdha të bashkisë së Tiranës, terminali do të ketë më shumë se 10 linja urbani, vendqëndrim për autobusët interurbanë, taksi dhe vend të posaçëm për Tramin.
Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Jorida Tabaku, tha se ky projekt strategjik i bashkisë së Tiranës, kushton në total 20 milionë euro, do të kryhet në partneritet publik dhe privat. Një sipërfaqe prej 80 mijë metrash katrorë do të ketë kapacitet për pothuajse 10 linja autobusësh, mbi 400 mikrobusë, të cilët vijnë nga veriu dhe nga jugu, dhe rreth 350 taksi. Është parashikuar që brenda saj të ndërtohet edhe një qendër tregtare. Do të jetë Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, e cila do të financojë studimin dhe projektin për këtë terminal. Një prej partnerëve të BERZH-it, qeveria italiane, ka akorduar fondin prej 500 mijë eurosh.
Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Jorida Tabaku, tha se kjo është shenjë besimi që një prej institucioneve më të rëndësishme financiare europiane ka te Bashkia e Tiranës projektet dhe politikat e saj financiare.
“Krijimi i këtij terminali të ri multimodal do të jetë një mundësi shumë e mirë për investime në Tiranë, por, nga ana tjetër, do t’i ofrojë mundësinë edhe Bashkisë së Tiranës të angazhohet në një aktivitet të ri biznesi. Do të jetë një kontratë e partneritetit publik-privat dhe do të jetë me kosto ‘zero’ për Bashkinë e Tiranës, duke bërë të mundur krijimin e një projekti koncesionar gjigant për qytetin e Tiranës”, tha nënkryetarja e Bashkisë, Jorida Tabaku.
Sipas saj, për ndërtimin e terminalit multimodal ka një interes të madh të shprehur nga investitorë të huaj.
I gjithë investimi llogaritet të kushtojë 20 milionë euro dhe do të kryhet në partneritet publik-privat, ku përfshihet BERZH-Bashkia e Tiranës dhe investitorë privatë.
Ky është projekti i parë nga katër projektet strategjike që pasojnë. Ndërkohë që ndërtimi i tij pritet t’i japë zgjidhje kaosit të vendqëndrimeve të urbanëve dhe autobusëve interurbanë. Vendi ku do të bëhet ky stacion i madh do të jetë hapësira pranë ish-doganës, truall ky që do të kalojë në pronësi të bashkisë.